Feeds:
Posts
Comments

Erleben

Studiuesit e filozofisë do ta kenë ndeshur gjëkundi vendin që zënë termat Erfahrung dhe Erlebnis, te Walter Benjamin-i; ata që vijnë nga shqipja, ndërkohë, do të kenë reaguar me psherëtimë lehtësimi, kur kanë konstatuar se shqipja ofron dy përkthime të ndryshme për to, përvojë dhe përjetim, në një kohë që gjuhë të tjera, madje të mëdha, luftojnë me nuancat e termit eksperiencë (të cilin shqipja gjithashtu e ka: çfarë bollëku).

Pa u futur në dallimet ndonjëherë të holla mes Erfahrung dhe Erlebnis te Benjamin-i, për të cilat është harxhuar tashmë shumë bojë – dhe për dallimet e ngjashme mes foljeve përkatëse, erfahren dhe erleben, po mjaftohem të vërej këtu se Erfahrung, si përvojë, është diçka që “mësojmë” nga jeta dhe që, në trajtë “urtësie”, mund t’ua përcjellim të tjerëve, ndërsa Erlebnis është më tepër një përvojë e brendshme, e pakomunikueshme, ndoshta irracionale; që i paraprin reflektimit racional dhe njohjes.

Continue Reading »

DUA dhe DUHET

Kuptimin e detyrimit, qoftë ky nga rrethanat qoftë moral ose zakonor, shqipja e jep me foljen DUHET, folje pavetore, që nga prejardhja nuk është veçse trajta pësore-vetvetore e foljes DUA; edhe pse me kohë dy format janë shkëputur nga njëra-tjetra, deri atje sa të jetë përftuar edhe mbiemri I DUHUR, krahas me mbiemrin tjetër I DASHUR; dhe trajta si DUHEMI të duken kuptimisht më afër foljes DUA se ato pavetoret.

Por kjo marrëdhënie, ende e dukshme, mes dy koncepteve në thelb të kundërvëna, si ai i DUA dhe ai i DUHET, meriton vëmendje, sa kohë që DUA lidhet me “vullnetin”, ose atë që gjermanët e quajnë WILLE, dëshirën për të bërë diçka, ose për të bërë që diçka të ndodhë; ndërsa DUHET lidhet me një imperativ, me një detyrim, që mund të jetë religjioz, moral, ligjor ose edhe thjesht taktik.

Në shkollë na patën mësuar një thënie të Engelsit, “Liria është njohje e domosdoshmërisë”, të cilën na thoshin se ky e kish marrë nga Hegeli, por që e kish origjinën te filozofia e Fichte-s; në këtë kuptim, njohja siguron pajtimin mes vullnetit të lirë (Free will, freier Wille, libero arbitrio) dhe domosdoshmërisë, ose asaj çfarë duhet bërë. Me fjalë të tjera, nëse duam ta njohim botën, le të duam atë që duhet. Tingëllon si shaka, por nuk është.

Continue Reading »

Doktori rrotullues

Ngaqë ngacmohem gjithnjë prej kombinimit të mjekësisë me politikën, më tërhoqi vëmendjen titulli i një artikulli në TemA:

Portreti i Lukashenkos nga mjeku i tij: Ka frikë nga e panjohura dhe është i paaftë të dashurojë.

Mbase edhe ngaqë, kur mendon njeriu për Lukashenkon, nuk është se e fillon nga shqetësimi nëse ky është në gjendje apo jo të dashurojë.

Me pak durim, e gjeta edhe origjinalin në italisht:

Continue Reading »

Dërdyl

Kemi pasur një mësuese në klasë të tretë a të katërt tek Avni Rustemi – zysh Dhurata – që ndonjëherë, kur i mbaronim të gjitha mësimet dhe pyetjet dhe detyrat por kishte akoma kohë, na tregonte përralla. Përrallat e zysh Dhuratës ishin të gjata, të komplikuara, me shumë personazhe dhe aventura – dhe unë edhe sot habitem si nuk e humbte kurrë fillin.

Nuk i mbaj mend, përveç një personazhi, një kali me flatra, që ajo e quante Dërdyl. Kam qenë lexues i palodhur përrallash atëherë – mbaj mend një libër “100 përralla” dhe një tjetër përrallash ruse, me careviçë dhe carevna. Por Dërdylin nuk e kisha hasur gjëkundi – dhe ashtu edhe gjithnjë e kam lidhur në mendje me zysh Dhuratën që ma sillte në rrëfim.

Continue Reading »

Shpejtësi skëterrë

 

Shprehja shpejtësi skëterrë sidomos në kombinimin me shpejtësi skëterrë përdoret për të cilësuar shpejtësinë shumë të madhe të një automjeti – po të gjykosh nga hitet në Google (rreth 33,000), ka hyrë tashmë në repertorin klishe të kronikës së zezë (si rregull, makinat që ecin “me shpejtësi skëterrë” bëjnë edhe aksidente të frikshme). Ndonjëherë dëgjohet edhe si shpejtësi skëterre, me përcaktorin në rrjedhore.

Edhe pse tashmë i kodifikuar, togfjalëshi nuk ka kuptim: nuk ka asgjë në kuptimin e fjalës skëterrë, që të sugjerojë përdorimin si amplifikues i fjalës shpejtësi (khs. shpejtësi rrufeje – rrufeja është në fakt e shpejtë). Amplifikimi këtu sugjeron drejtpërdrejt idenë se kjo shpejtësi është “e keqe” (ngaqë mund të vrasë).

Me gjasë, shprehja ka hyrë në shqipen bisedore si titull i një filmi anglez, Hell Drivers, të vitit 1957, që pati mjaft popullaritet në Shqipëri. Ky titull është përkthyer ndryshe në gjuhë të tjera: Train d’enfer (frëngjisht), I piloti dell’inferno (italisht), Адские водители (rusisht), Ruta infernal (spanjisht), Cehennem sürücüleri (turqisht), Duell am Steuer (gjermanisht), Na Rota do Inferno (portugalisht). Në shumë nga versionet, figuron fjala për “shofer”; në disa të tjera ajo për “rrugë”; koncepti i ferrit/skëterrës nuk mungon asnjëherë. Me përjashtim të versionit gjermanisht, që tingëllon diçka si “duel në timon”.

Ç’ta ketë shtyrë përkthyesin shqip të titullit të ketë përdorur një metaforë të tillë?

Edhe pse italishtja e përdor ndonjëherë velocità d’inferno dhe velocità infernale, për shpejtësi e madhe, sikurse edhe anglishtja infernal speed, paraleli më i çuditshëm është ai me anglishten fast as hell, që frazeologji aq e zakonshme në këtë gjuhë, sa të ketë dhënë edhe ajo një titull filmi. Edhe në anglishte, ky përdorim intensifikues i as hell mund të përligjet vetëm në kontekstin e shprehjeve të ngjashme good as hell, sweet as hell, true as hell, easy as hell, happy as hell, strong as hell, mad as hell, hot as hell – ku fjala hell i ka humbur lidhjet kuptimore me “ferrin/skëterrën”, dhe ruan vetëm një valencë amplifikuese. Krahaso këtu edhe bloody hell, një pasthirrmë që nuk ka lidhje kuptimore as me gjakun as me ferrin; krahaso edhe run like hell.

Continue Reading »

Mace me vonesë

Emrin e maces (Felis catus), me versionet maçe, mackë, maç, etj. shqipja e ka huazuar nga sllavishtja e Ballkanit (skr mačka, sllavo-maqedonisht мачка, khs. edhe rum. mâță), me gjasë nga një formë më e vjetër (protosllavishte e rindërtuar), *maca, që gjykohet si onomatopeike – e rrjedhur nga tingulli që lëshojmë për ta thirrur macen, khs. italishten micio. Khs. edhe rumanishten pisică “mace”, me shqipen pis-pis-pis, që përdoret për të thirrur macen; dhe emrin përkëdhelës pisonare që përdoret në Jug (Gjirokastër) për macen.

Continue Reading »

Letër dhe kartë

Shqipen letër e nxjerrin nga italishtja lettera dhe në analizë të fundit nga latinishta littera “shkronjë, epistull”, edhe pse kuptimi i materialit mbi të cilin shkruhet (angl. paper, ita. carta), i mbështetur në një metonimi, nuk ka qenë i zakonshëm as në italishte as në latinishte, çfarë do ta bënte letër një nga ato raste kur zhvillimi kuptimor ka kaluar nga abstraktja drejt konkretes, aq sa në shqipen e sotme letër, me kuptimin “mesazh i shkruar” na duket si metonimi e bazuar në kuptimin “material mbi të cilin shkruhet”. Continue Reading »

Fili

Siç rrëfen Henry A. Davidson, te A Short History of Chess (Greenberg Publisher, 1949), ajo figurë e shahut që ne sot e njohim me emrin fil ka pasur më shumë emra dhe kuptime simbolike se çdo figurë tjetër. Në versionin e lashtë indian të lojës, e quanin gaja ose Bishophasti, të dyja me kuptimin “elefant,” duke qenë elefanti element madhor i formacionit luftarak të kohës në Indi. Persianët e përkthyen këtë gaja në gjuhën e tyre, si pil; dhe pastaj arabët e morën nga persianët dhe e bënë al fil, sërish me kuptimin “elefant”. Prej arabëve, fjala kaloi në gjuhët europiane si alfil (kështu sot e kësaj dite në spanishte), duke u përçudnuar në italishte më parë si delfino, dhe pastaj duke u identifikuar me alfiere – që në atë gjuhë ka kuptimin “flamurtar” dhe që e shpjegojnë si nga spanjishtja alférez, e cila nga ana e vet prej arabishtes al-fāris “kalorës”. Nga ana tjetër, edhe të diturit mes shahistëve në Europën mesjetare nuk i jepnin dot dum konceptit të “elefantit” për figurën në fjalë, sepse në oborret mbretërore të kohës dhe në fushën e betejës kish vërtet mbretër e mbretëresha, kala dhe kuaj, ushtarë dhe oficerë – por jo elefantë. Nga kjo përpjekje për t’i dhënë një interpretim këtij al-fili, francezët e deformuan fjalën në fol dhe pastaj në fou (fjalë e njëjtë me fool të anglishtes), duke shënjuar kështu lolon e oborrit mbretëror. Continue Reading »

Panuklla

Fjala PANUKËLL, PANUKLLA sot ka mbijetuar më shumë në mallkimin “(të) shp(ë)laftë panuklla” (me versione të ndryshme) të ligjërimit bisedor dhe thjeshtligjërimit, edhe pse folësit si rregull nuk ia dinë kuptimin fjalës vetë. FGJSSH nuk e ka. Topalli, te Fjalori etimologjik, e jep me kuptimet “pece, shtupë, sukull, copë rrobe me të cilën lahet trupi i të vdekurit para varrimit (sipas how_the_plague_reshaped_the_world_1050x700ritit islamik)” dhe e ilustron edhe ai me mallkimin të shpëlaftë panuklla, duke e cilësuar si “fjalë krahinore të Elbasanit”. Mendon se “mund të jetë huazim prej italishtes panno “leckë, pece, copë pëlhure”, pannicolo “membranë”. Ndërkohë, në greqishte, πανούκλα (panúkla) ka kuptimin “murtajë” (sëmundja); po ashtu edhe në aromanishtja (vllahishtja) panukle. Brenda mallkimit “të shp(ë)laftë panuklla”, kjo fjalë pranon edhe kuptimin “leckë me të cilën lahet trupi i të vdekurit”, edhe kuptimin “murtajë”. Te mallkimi më lart, kuptimi “murtajë” tingëllon më bindës për arsye mirëfilli semantike – si sëmundje, murtaja ka më shumë “agjenci” se lecka me të cilën lajnë të vdekurit, prandaj edhe mund të përdoret më lehtë si kryefjalë; me kuptimin e dytë, do të pritej diçka si “të shplafshin me panukëll” (khs. “të prufshin në pallto”). Meqë fjala përdoret në Elbasan, ka të ngjarë të jetë huazim nga arumanishtja panukle me kuptimin “murtajë”; ndërsa shpjegimi i drejtpërdrejtë i shqipes nga italishtja pannicolo nuk bind nga pikëpamja formale; por edhe huazimi i drejtpërdrejtë nga greqishtja nuk përjashtohet. Me gjasë, arumanishtja e ka marrë fjalën nga greqishtja; ose edhe arumanishtja edhe greqishtja janë reflekse të fjalës latine (mesjetare), siç thotë Çabej (SE VI, te lema pe).

Saraçineskë

Këtë fjalë, me kuptimin “duq me të cilin hapet e mbyllet rrjedha e një lëngu a e një gazi” (Topalli) nuk e kanë as fjalori i 1954-ës, as ai i 1980-ës, edhe pse përdoret rëndom në industri dhe në ligjërimin popullor, për të shënuar një lloj valvule me obstruksion mekanik; por që ndryshon nga rubineti, sepse nuk kontrollon gjë derdhjen e lëngut.

Sara

Kolec Topalli, te Fjalori etimologjik, e shpjegon si “huazim i ri nga italishtja saracinesca, prej emrit të popullsisë arabe të saraçenëve në periudhën e kryqëzatave”, edhe pse, e thënë kështu, nuk kuptohet se çfarë lidhje ka kontrolli i rrjedhës në një tub, me saraçenët e Mesdheut në Mesjetë. Në fakt, në italishte saracinesca ka shënuar një lloj porte të kështjellës, ose të mureve rrethuese të një qyteti a të një ndërtese të fortifikuar, që mund të ngrihej ose të ulej me zhinxhirë. Mendohet se kjo lloj porte përdorej nga saraçenët, në fortesat e tyre; ose, anasjelltas, përdorej në kohën kur vendësit mbroheshin prej inkursioneve të saraçenëve. Në italishte, saracinesca shënjon edhe qepenët e dyqaneve dhe një lloj grile dritaresh, (e quajtur edhe persiana), për shkak të mekanizmit të njëjtë që përdoret për t’i lëvizur dhe funksionit të ngjashëm.

Bibliografia:

Topalli, Kolec, “Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe.”
Enciclopedia Treccani, zëri saracinesca.