Udha jonë drejt
mbajtjes në punë të
40% të internetit

Mbërritja në këtë pikë të lartë të tanishme kërkoi një sasi të pabesueshme pune të vështirë prej bashkësisë WordPress. Hidhuni një sy 40 piketave kyçe që ndihmuan t’i jepet formë udhës.

40%

Gjashtëdhjetë përqind e internetit akoma për t’u bërë!

Etapa Kyçe

Lind WordPress-i

Pas diskutimesh me Mike Little, Matt Mullenweg krijoi një degë të re të b2-së, në SourceForge, dhe, me emrin e sajuar nga shoqja e tij Christine Tremoulet, e quajti WordPress. WordPress.org zuri fill më 27 maj. Fillimisht, qe shtëpia e blogut të zhvillimit, e ca dokumentimi skematik dhe forumi asistence. The Faqja origjinale hyrëse e WordPress-it i thoshte botës se “WordPress-i është platformë botimi semantik personal, me vëmendje te ana estetike, standardet web, dhe përdorshmëria”. Sajti i dha bashkësisë WordPress një prani dhe forumet furnizuan një shtëpi për të.

Hedhja e Parë Në Qarkullim e WordPress-it

Më 27 maj 2003, u hodh në qarkullim versioni i parë i WordPress-it, WordPress 0.7. Përdoruesit që u hodhën nga b2 në WordPress përfituan disa veçori të reja, me më të dalluarën atë të panelit të ri, të thjeshtëzuar të administrimit dhe Përgjegjësin WordPress të Lidhjeve, e cila u lejoi përdoruesve të krijojnë lista blogjesh të dashur për ta. Pasi u hodh në qarkullim WordPress 0.7, pati një përpjekje për të tërhequr zhvillues të tjerë në projekt, duke nisur me Donncha Ó Caoimh dje François Planque, të cilët që të dy kishin krijuar degëzimet e tyre të b2-së.

Riemërtimi i Madh

Nga fundi i 2003-shit, ndryshime të rëndësishme te struktura e kartelave përfshinë zëvendësimin e kartelave “b2” me “wp-”, ose ndryshe Riemërtimi i Madh. Struktura e kartelave të WordPress-it u shndërrua nga ajo e b2-së në strukturën familjare të kartelave në përdorim sot, me mjaft kartela të konsoliduara në dosjet wp-includes dje wp-admin.

Six Apart, Dyfishim Shkarkimesh

Në 13 maj 2004, Six Apart, shoqëria pas Movable Type, njoftoi ndryshime te licenca e Movable Type-it. Movable Type 3.0, versioni më i ri, erdhi me kufizime licencimi, që do të thoshte se përdoruesit jo vetëm që duhej të paguanin për software-in që më herët qe falas, por të paguanin për çdo instalim shtesë software-i. Lëvizja e Six Apart-it mobilizoi bashkësinë WordPress. Kjo ndihmoi të fuqizohej platforma WordPress. Shkarkimet e WordPress-it në SourceForge më shumë se u dyfishuan, duke u rritur nga 8670 në prill 2004, në 19400 në maj.

Vendimi për të degëzuar b2-shin, jo për të rishkruar platformën qe largpamës: nëse bashkësia do të kishte varrosur veten në një rishkrim, s’do të ishte në gjendje të mirëpriste dhe përkrahte krejt përdoruesit e rinj të WordPress-it. Ndërkohë që këta ishin gati. Për javë të tëra, gjithkush qe përqendruar te ndihma për “ndërruesit”. Zhvilluesit shkruan programthe për të ndihmuar njerëzit të migrojnë kollaj nga Movable Type në WordPress.

Sillet Sistemi i Shtojcave

Në mars të 2004-s, sistemi i shtojcave transformoi WordPress-in për zhvilluesit bazë dhe bashkësinë më gjerë. Kjo do të thoshte se produkti bazë s’kishte pse të përfshinte veçoritë me të cilat merrej çdo zhvillues, por vetëm veçoritë që kishin kuptim për një shumicë përdoruesish. Ryan Boren shprehej se sistemi i shtojcave u lejoi zhvilluesve bazë të vinin në jetë rregullin 80/20: “A është kjo e dobishme për 80% të përdoruesve tanë? Nëse jo, provojeni si një shtojcë.”

Përditësimi i Parë: U hodh në qarkullim v1.2 “Mingus”

Maji i 2004-s qe muaji kur doli WordPress 1.2 “Mingus”, që e bëri WordPress-in shumë të përdorshëm dhe të passhëm për një grup më të madh njerëzish. Hedhjet e rëndësishme në qarkullim të WordPress-it emërtohen për nder të muzikantëve xhaz. Charles Mingus qe një basist me influencë në xhazin amerikan, kompozitor dhe drejtues orkestre.

Shtojca e Parë: Hello, Dolly!

Po në maj të 2004-s, shfaqet shtojca e parë, që ende është pjesë e paketës WordPress — shtojca “Hello Dolly”, që shfaq kuturu vargje nga kënga Hello, Dolly! e Louis Armstrong-ut, në cepin e sipërm djathtas të pultit të përgjegjësit. Qe menduar si një udhërrëfyes për zhvilluesit e interesuar për krijim shtojcash, dhe për përdorues që mësonin si të aktivizohen ose çaktivizohen shtojca.

Ndërkombëtarizim (i18n)

Në 2004-n, për ndërkombëtarizimin e WordPress-it, Ryan Boren mbështolli vargjet e përkthyeshme me funksionin e përkthimit __(). Mor në shqyrtim kodin, rresht pas rreshti, gjeti gjithçka që mund të përkthehej, dhe i vuri shenjë si e tillë. Kjo do të thoshte se kur u hodh në qarkullim WordPress v1.2, jo vetëm që përmbante API-n për shtojcat, por qe edhe plotësisht i ndërkombëtarizueshëm.

Krijohet Depoja e Shtojcave

Depoja e Shtojcave për WordPress u vu në punë në janar të 2005-s. E strehuar te dev.wp-plugins.org, dhe e bazuar në Subversion dhe Trac, është goxha e ndryshme nga drejtoria e shtojcave, miqësore ndaj përdoruesit, me të cilën jemi mësuar sot. Depoja e shtojcave qe fjalë për fjalë një depo kodi.

Lista e Postimeve wp-hackers

Megjithatë, lista e parë e postimeve te projekti s’qe wp-hackers, por wp-docs, e cila u formua në nëntor të 2003-shit për të diskutuar dokumentimin dhe wiki-n e WordPress-it. Qe aktive për gjashtë muaj, para se të ujdisej lista e postimeve për zhvilluesit në qershor të 2004-s. E cila më pas u kalua te wp-hackers në 2005-n. Diskutimet mbi zhvillimin kaluan nga forumet te lista e postimeve, duke i lënë forumet si një vend ku jepet asistencë.

Lista e postimeve wp-hackers plasi nga veprimtaria, e zënë me diskutime të nxehta mbi probleme të tilla si nëse duhet të jenë apo jo nofollow lidhjet për te komentet, për të shkurajuar dërguesit e mesazheve të padëshiruar, mënyra më e mirë për formatim të datës, dhe si të fillohet të përkthehet WordPress-i. Zhvilluesit më në fund patën një vend ku të grumbullohen. E përqafuan platformën e re të komunikimeve — vatrën e tyre të re te projekti.

Sillet Sistemi i Temave

Në shkurt të 2005-s u ngrit sistemi i shtojcave duke përdorur PHP-në, e cila është një gjuhë gjedhjesh në vetvete. Sistemi i temave e ndan një temë në elementët e vet përbërës — kryefaqe, fundfaqe, dhe një anështyllë, për shembull. Çdo pjesë është një kartelë individuale që një grafist mund të përshtatë. Një sistem i brendshëm temash WordPress, ndryshe nga një sistem ndryshimi gjedhesh, bie fjala, Smarty, do të thoshte se grafistët mund të konceptonin dhe ndërtonin tema pa mësuar krejt një sintaksë të re.

100000 Shkarkime

Në fillim të marsit të 2005-s, WordPress v1.5 “Strayhorn” pati 50000 shkarkime. Vetëm tre javë më pas, numri u dyfishua në 100000. Për të kremtuar këtë arritje, u organizuar një festë 100 mijëshe San Francisko. Më 22 mars, një grup përdoruesish dhe zhvilluesish të WordPress-it u mblodhën në Odeon Bar në San Francisko.

Krijohet Stema e WordPress-it

Për stemën u vendos përfundimisht në 15 maj 2005, kur Mati dërgoi një email te lista e postimeve, me subjektin “Mendoj se kjo është”. Mesazhi i Matit përmbante thjesht kë të figurë të hijshme:

2005 WordPress.org Logo Proposal
Nga Jason Santa Maria, 2005

Krijimi i një shenje, ardhur prej Jason Santa Maria, i dha WordPress-it një element më vete të stemës, i cili, me kalimin e kohës, do të bëhej i dallueshëm edhe pa fjalën pas tij. Kjo mund të përdorej, dhe do të përdorej në ikona, shenja tregtare, dhe bluza. Është bërë e dallueshme menjëherë, me ndihmën e shfaqjes në bluza nga WordCamp-i anembanë botës.

* Për stemat më të reja zyrtare të WordPress-it, klikoni këtu.

WordPress.com

WordPress.com hapi regjistrimet në gusht të 2005-s, vetëm me ftesa, për të kontrolluar shtimin e përdoruesve në shërbyes të patestuar. Shumë prej atyre që qenë përfshirë në projektin WordPress, përfituan blogje WordPress.com, përfshi Lorelle VanFossen-in dhe Mark Riley-in. Gjithashtu çdo anëtar i ri i WordPress.com-it përfitoi edhe një ftesë për ta dhënë diku.

WordCamp-i i Parë (Mbajtur në San Francisko)

Në korrik të 2006-s, Matt Mullenweg njoftoi se do të zhvillonte një veprimtari të llojit BarCamp, të quajtu “WordCamp”, diku më vonë atë verë në San Francisko. “E llojit BarCamp” qe një togfjalësh kod për “minutën e fundit”, tha me shaka ai.

Veprimtaria — të cilën e njoftoi pa vend mbatjeje apo orar zhvillimesh — do të ishte në 5 gusht. U regjistruan më shumë se 500 vetë nga anembanë bota: Donncha Ó Caoimh erdhi prej Irlande, dhe Mark Riley prej Britanie. Kur WordCamp-i pati një vend zhvillimi, qe Swedish American Hall, një banesë në Market Street që pat shërbyes si qendra për Shoqërinë Suedeze të San Franciskos.

Zhvillimi i WordCamp 2006-s pasqyron shqetësimet e projektit dhe pasionin e pjesëmarrësve në të. Mark Riley mbajti praktikën e parë mbi përfshirjen në bashkësinë e WordPress-it, tani një bisedë fikse në WordCamp-e. Andy Skelton paraqiti punën që ka zhvilluar për WordPress.com lidhur me veçorinë e widget-eve. Donncha foli për WPMU, dhe Mark Jaquith eksploroi WordPress-in si një CMS, një nga sesionet më të kërkuar. Pati prezantime mbi blogimin dhe podkaste, dhe mbi gazetarinë dhe monetarizimin.

Funksione Importimi & Eksportimi

Me hedhjen në qarkullim të WordPress v2.1 “Ella” më 2007,funksione importimi dhe eksportimi XML pa humbje e bënë të lehtë të lëvizet lëndë mes blogjesh WordPress. Gjithashtu, erdhi me veçori të tilla si një përpunues i ri me skeda për të kaluar nga përpunimi WYSIWYG në atë të kodit, ose anasjelltas, kur shkruhej një postim. Ndërkombëtarizim më i mirë i ndërfaqes dhe mbulim të gjuhë nga e djathta në të majtë. Një përgjegjësi i ri ngarkimesh e bëri të lehtë administrimin e fotove, videove dhe audios. Pruri kod shumë më të qartë, dhe plot gjëra të tjera.

Konceptim i Ri i Ndërfaqes së Përdoruesit Përgjegjës

Me WordPress v2.7 “Coltrane” në 2008-n, ndërfaqja e përdoruesit ndryshoi rëndshëm. Kur foto ekrani të ndryshimeve zunë të shfaqen në blogje të bashkësisë, pyetja e pashmangshme qe “pse po e ndryshojnë prapë?” Konceptimi grafik i WordPress v2.5-s s’kish zënë ende vend, kur një tjetër ndryshim i madh erdhi me sendërtimin e vet në v2.7.

Ndryshimi do të thoshte se përdoruesve me shkallë të ndryshme aftësish u duhej të rimësonin WordPress. Bashkësisë gjithnjë në rritje të përkujdesoreve mbi WordPress-in do t’u duhej të ribënin çdo foto ekrani dhe të riregjistronin çdo video. Megjithatë, kur përdoruesit përmirësonin WordPress-in, përshtypjet qenë pozitive. Përdoruesit e deshën ndërfaqen e re. Iu duk intuitive dhe e lehtë për t’u përdorur — duke demonstruar më në fund se s’qenë të pakënaqur nga ndryshimi nëntë muaj më parë — por nga vetë ndërfaqja.

Trupëzime Videosh Më të Lehta

Me WordPress v2.9 “Carmen” në 2009-n, mundeshit thjesht të ngjitnit një URL te rreshti i vet dhe ta shihni të shndërrohej si me magji në kodin e duhur për trupëzim, me mbulim të Oembed-it për YouTube, Daily Motion, Blip.tv, Flickr, Hulu, Viddler, Qik, Revision3, Scribd, Google Video, Photobucket, PollDaddy, WordPress.tv, dhe të tjerë që do të vijonin në hedhjet e ardhshme në qarkullim.

Krijohet WordPress Foundation

WordPress Foundation u krijua në janar të 2010-s. Automattic shpërnguli shenjat tregtare më vonë atë vit, në shtator. Si pjesë e shpërnguljes, Automattic përfitoi përdorimin e WordPress-it për WordPress.com, por jo për përkatësi të ardhshme. Matit iu akordua një licencë për WordPress.org dhe WordPress.net. Veç shpërnguljes së shenjave tregtare të vetë WordPress-it, shoqëria shpërnguli gjithashtu emrin WordCamp. Si me vetë WordPress-in, kjo mbron në vazhdimësi WordCamp-et si veprimtari edukative, jofitimprurëse.

Bashkësia qe e kënaqur me shkëputjen e projektit WordPress nga Automattic, shoqëria. U dha njerëzve më tepër besim se Automattic s’ishte për mbizotërim të ekosistemit komercial WordPress.

I pari “Kamp Fëmijësh” brenda një WordCamp-i

WordCamp Ireland, organizuar nga Sabrina Kent dhe Katherine Nolan, qe veprimtaria e parë WordPress për t’u ofruar veprimtari fëmijëve të moshës 3-12. Krishna De mund të ketë qenë personi i parë që sajoi termin “Kamp Fëmijësh.” Pasuan më tepër veprimtari për fëmijë, siç dëshmohet nga kjo listë, e cila vlen për deri më 2019-n.

Takimi i Parë i Lartë i Bashkësisë WordPress

Takimi i parë masiv, vetëm me ftesa, i bashkësisë WordPress — Takimi i Lartë i Bashkësisë — u zhvilluar në 2012-n. Takimi i Lartë i Bashkësisë u përqendrua në probleme të hasura në zhvillimin e software-it WordPress dhe në bashkësinë më të gjerë të WordPress-it. Anëtarët e bashkësisë propozuan veten dhe të tjerë për të marrë një ftesë; një ekip prej 18 vetësh shqyrtoi dhe voti se cilët do të ftoheshin. Pjesëmarrësit — kontribues aktivë, blogues, zhvillues shtojcash dhe temash, dhe pronarë biznesesh nga krejt bashkësia WordPress — u mblodhën në Tybee Island, Xhorxhia, për të biseduar mbi WordPress-in.

WordCamp-i i Parë Në Europë

WordCamp Europë, më 2013-n, qe WordCamp-i i parë masiv i mbajtur në Europë. Me masiv nënkuptojmë se qe i madh. Dhe me të madh, nënkuptojmë i mrekullueshëm. Ky qe shansi që bashkësia evropiane WordPress të mblidhej tok në qytetin idilik të Leidenit për programim, shkëmbim përvojash, biznes, dhe mbi të gjitha për të biseduar mbi WordPress-in.

Dizajn MP6 & Ikona të Sheshta

Më janar të 2013-s, Ben Dunkle propozoi ikona të reja, të sheshta. Pjesa e përgjegjësit të WordPress-it qe vjetruar, veçanërisht në ekrane Retina, ku ikonat shfaqeshin të pikselizuara. Ikonat e sheshta mund të ripërmasoheshin si duhet dhe t’u lejonin grafistëve ngjyrosjen e ikonave duke përdorur CSS. Kështu, projekti i grafikës MP6 filloi të merret me ikonat dhe përmirësime të tjera. Puna u zhvillua në një shtojcë të strehua nga drejtoria e shtojcave WordPress. Shtojcën mund ta instalonte kushdo dhe të shihte ndryshimet te pjesa e përgjegjësit. Çdo javë, grupi jepte një hedhje në qarkullim dhe një raport që qe i hapur për mendimet e publikut.

Shtojca MP6 u bë pjesë e WordPress v3.8 “Parker”, hedhur në qarkullim më dhjetor të 2013-s, duke demonstruar se, edhe pse mund të duhet kohë për ta arritur, grafika e harmonishme është e mundur në projekte software-i të lirë.

U përmirësua Përpunimi Pamor

Me WordPress v3.9 “Smith” më 2014-n, përditësimet e përpunuesi pamor përmirësuan shpejtësinë, përdorimin nga persona me aftësi të kufizuara dhe mbulimin për celular. Tani mund të ngjitnit te përpunuesi pamor që nga përpunuesi juaj i teksteve pa humbur kohë në pastrim stilesh të rrëmujshëm. Me marrje më të shpejtë të mjeteve të qethjes dhe rrotullimit, tani qe shumë e lehtë të përpunoheshin figura, teksa përpunohen postime. Tjetër, u bë e mundur të ripërmasohen figura drejtpërdrejt te përpunuesi, dhe galeritë zunë të shfaqin një rrjetë të hijshme figurash drejt e në përpunues, si të ishte një postim i botuar.

Zgjerime të Tjera të Përpunimit Pamor

Me WordPress v4.0 “Benny” në 2014-n, u bë e mundur të eksplorohen ngarkimet në një rrjetë shumë të bukur, të pafund. Një paraparje e re e hollësive e bëri një grimë parjen dhe përpunimin e çfarëdo sasie mediash. Trupëzimi u bë një funksion pamor, duke shfaqur një paraparje të vërtetë të lëndës së trupëzuar (bie fjala, video YouTube), duke kursyer kohë dhe duke shtuar besim. Shkrimi dhe përpunimi u bënë më të rrjedhshëm dhe më tërheqës. Përpunuesi tani mund të zgjerohej për të nxënë lëndë dora-dorës që shkruani, dhe mjetet e formatimit tani qenë të pranishme gjithë kohën.

Një Miliard Shkarkime Shtojcash

Teksa përqindja në treg e WordPress-it vazhdoi të rritej, kështu bëri edhe sasia e shkarkimeve prej listës së shtojcave. WordPress-i qe i aftë për krijimin e thuajse çfarëdo sajti që mund t’ju vinte në mendje, dhe pati mjaft persona të mençur që zunë të ndërtojnë shtojca, qoftë të lira, qoftë me pagesë. Qe kryesisht kjo rritje e sipërmarrjes së WordPress-it që e shpuri numrin e kërkimeve mbi 1 miliard në gusht të 2015-s.

Më tepër Se 25% e Internetit

Më 2015 W3Techs.com analizoi Internetin dhe e ndau sipas çdo sistemi administrimi lënde. WordPress-i ia kalonte pa masë numrit dy të listës, që qe Joomla me vetëm 2.8 përqind. Matt Mullenweg shkroi, “Mundësi e madhe mbetet ende 57% e sajteve që s’përdorin ende ndonjë CMS të identifikueshme, dhe kjo është ajo ku mendoj se sa ka një det rritjeje për ne (dhe e them edhe për krejt CMS-të e tjera me burim të hapët).”. Ai postoi gjithashtu një mesazh me vetëm pak fjalë, “Seventy-Five to Go”.

WordCamp-i Inagurues në ShBA

Qe, në atë kohë (2015), WordCamp-i më i madh në botë, dhe veprimtaria e parë kombëtare WordCamp US. Pennsylvania Convention Center hapi dyert e saj për më tepër se 1800 blogues, grafistë, zhvillues WordPress dhe mjaft të tjerë. Një nga këshilltarët e zgjedhur në Filadelfia, David Oh shpalli 5 dhjetorin ‘Ditën e WordPress-it’, gjatë fjalës “State of the Word” nga Matt Mullenweg.

Bursa Përkujtimore Kim Parsell

Në kujtim të Kim Parsell-it, më 2015-n, WordPress Foundation krijoi një bursë për të dhënë financim vjetor për një grua të cilitdo seksi, që kontribuon në WordPress, të ndjekë WordCamp US.

Pikëmbarime Lënde API REST

Me hedhjen në qarkullim të WordPress v4.7 “Vaughan” më 2016-n, u shtuan pikëmbarime AIP REST për postime, komente, terma, përdorues, meta dhe rregullime. Pikëmbarimet e lëndës dhanë hyrje të jashtme të lexueshme prej makinash te një sajt WordPress, me një ndërfaqe të qartë, të bazuar në standarde, duke shtruar udhën për metoda të reja risore ndërveprimi me sajtet përmes shtojcash, temash, aplikacionesh, etj.

Zë Fill Projekti Gutenberg

Matt Mullenweg-u bëri të ditur planet e veta për të ripunuar përpunuesi gjatë fjalës së tij “State of the Word”, më 2016-n. Më hollësisht, foli për krijimin e një “përpunuesi me bazë blloqe” dhe theksoi se qe e rëndësishme të vazhdohet të mësohet në thellësi JavaScript-i. Jo shumë kohë më vonë, projektit iu dha një emër, Gutenberg. Kontributi i parë ndodhi më 3 shkurt 2017 dhe hedhja e parë në qarkullim si një shtojcë WordPress-i, në qershor 2017. Fillimisht, Gutenberg-u hasi në ca debat, pro krejt bashkësia WordPress u mblodh rreth projektit për të ndihmuar të sigurohet suksesi i tij.

Gutenberg-u Bëhet Përpunuesi Parazgjedhje

Përmirësime të mëdha te përpunuesi. Me hedhjen në qarkullim të WordPress v5.0 “Bebo” më 2018-n, Gutenberg-u u bë mënyra parazgjedhje e përpunimit. Përpunuesi i ri me blloqe qe hapi i parë drejt një të ardhme të re ngazëlluese. Qoftë kur po krijonit sajtin tuaj të parë, ripunuar blogun tuaj, apo shkruar kod për të nxjerrë jetesën, Gutenberg-u ofroi më tepër zhdërvjelltësi për lëndën.

Për zhvillues që ndërtojnë sajte për klientë, tani mund të krijoni blloqe të ripërdorshëm, duke i lënë klientët tuaj të shtojnë lëndë të re në çfarëdo kohe, teksa ruhen pamje dhe ndjesi të njëtrajtshme nëpër projekt. Një koleksion i gjerë API-sh dhe përbërësish ndërfaqeje e bënë të lehtë të krijohen blloqe me kontrolle intuitive. Përdorim i këtyre përbërësve jo vetëm përshpejton punën në zhvillim, por ofron gjithashtu një ndërfaqe më të qëndrueshme, të përdorshme.

Zgjerim i Udhëheqjes

Udhëheqja e WordPress-it u zgjerua më 2019-në, për të ndihmuar drejtimin më efikas të projektit. Josepha Haden Chomphosy u emërua drejtoreshë ekzekutive dhe mori përsipër veprimet e përditshme të projektit, si dhe asistencën e ekipeve të kontribuesve.

Për nder të Alex Mills-it

Më 2019-n, Matt Mullenweg-u mbajti një çast heshtje për një anëtar të bashkësisë për një kohë të gjatë, Alex Mills (viper007bond), që vdiq pas një beteje të gjatë me leukeminë. Aleksi qe shumë i sjellshëm, krijues dhe me kontribut të pasur në WordPress.

State of The Word, në Gutenberg

Më 2019-n, prezantimi vjeto i Matt Mullenweg-ut, “State of The Word” qe shkruar dhe konceptuar hijshëm plotësisht në Gutenberg, për herë të parë.

Mbulim për Drejtori Blloqesh

Me WordPress v5.5 “Eckstine” më 2020-n, u bë më e lehtë se kurrë të gjendet blloku që ju duhet. Drejtoria e re e blloqeve tani qe ndërtuar drejt e te përpunuesi me blloqe, duke bërë të mundur të instalohen lloje të rinj blloqesh pa dalë faqe nga përpunuesi.

Ekip Tërësisht Me Gra & Persona Që Nuk Identifikohen Në Mënyrë Dyore

Më 2020-n, hedhja në qarkullim WordPress 5.6 “Simone” erdhi prej ekipit të parë tërësisht me gra dhe persona që nuk identifikohen në mënyrë dyore. WordPress 5.6 pruri mënyra të panumërta për të çliruar idetë dhe për t’i vënë në jetë.

Me një temë parazgjedhje fringo të re si kanavacë, dhe mbulim për një koleksion gjithnjë në rritje të blloqeve si penela, u bë e mundur të pikturohet me fjalë, foto, tinguj, apo media të pasur të trupëzuar.

Hedhje Në Qarkullim e Temës Me Blloqe TT1

Më 2021-shin, tema TT1 Blocks u hodh në qarkullim si një version eksperimental me bazë blloqet i temës Twenty Twenty-One. Është krijuar për të shfrytëzuar funksionet për përpunim të plotë sajti që është pjesë e shtojcës Gutenberg. Jo e menduar ende për sajt faktitk.

Hedhja e 100-të në Qarkullim e Gutenberg-ut

17 shkurti i 2021-shit shënoi hedhjen e 100-të në qarkullim të Gutenberg-ut, dhe ndërsa duket e dallueshme nga jashtë, vetë hedhja në qarkullim mban lart gjithçka kanë bërë hedhjet e tjera në qarkullim. Përmban përmirësime në veçoritë ekzistuese, ndreq të meta që janë njoftuar nga përdorues, shton veçori të reja, dhe nxjerr në pah eksperimente me ide të reja. Ajo që e bën të dallueshme hedhjen në qarkullim janë njerëzit. Ata që qenë me ne që prej fillimit, ata që qenë me ne por ikën, ata që iu bashkuan udhës tonë, cilido që ndihmoi gjatë rrugës, cilido që dha përshtypjet, cilido që punoi, dhe cilido që ka përdorur këtë përpunues, që provoi ta zgjerojë, dhe që dha ide.

Me WordPress-in xhiron 40% e Internetit

Gjithashtu, në shkurt 2021, W3Techs.com njoftoi se WordPress-i mban në punë 40% të 10 milionë sajteve kryesues në botë! Çdo dy minuta, një sajti i ri që përdor WordPress-in, thotë “Hello world”!

Për 1000 sajtet kryesuese, pjesa e tregut është edhe më e lartë, te 51.8%. Gjatë 10 vjetëve të shkuar, shpejtësia e rritjesh është shtuar, çka pasqyrohet nga fakti se 66.2% e krejt sajteve të rinj përdorin WordPress-in!

Twitter @wordpress Facebook WordPress