“Pietà” e Kim Ki-duk. Vizione jashtëkohore nga Vasil Etiko.

Në dramën e Jean Paul Sartre-it “Me dyer të mbyllura” një nga tre personazhet kryesorë, Garcin, hyn në një ferr të mobiluar si një dhomë të shekullit XIX dhe pyet: “Ku janë mjetet e torturës?”. Pyetja shkakton të qeshura tek gardiani i ferrit i cili njeh të vërtetën që tre personazhet kryesorë do ta kuptojnë më vonë: mjetet e torturës janë të panevojshme sepse mekanizmat e duhura për të torturuar veten dhe të tjerët janë brenda nesh.

Në filmin “Pietà” të Kim Ki-duk, mjetet e torturës ekzistojnë si në dukje ashtu edhe në brendësi. Mekanizmat e brendshëm përkojnë me ata të jashtëm në intensitetin dhe pakalueshmërinë e dhimbjes që krijojnë. Për këtë Seoul-i i Kim Ki-duk-ut është një ferr i vërtetë, një ferr industrial. Qyteti, përveç fasadës “normale” – që shfaqet veçse një here, kur personazhi Kang-do shëtit me “mamanë e tij të huazuar” (Mi-sun) -, shfaqet në varfërinë e tij metalike më absolute, industrial dhe me biznese të dështuara familjare, të shtypura në periferitë e tij.

Në këto periferi ftohtësia metalike e makinerive përcakton fatin e personave. Me këto makineri Kang-do – i cili punon për një shoqëri financiare që jep kredi me interesa të lartë – gjymton përdoruesit e tyre për qëllimin kryesor që është  shlyerja e borxhit. Është me makinat, të cilat punëtorët supozohen të zotërojnë, që Kang-do arrin shlyerjen e borxhit, duke marrë lekët e sigurimit të punëtorëve tashmë të sakatosur.

Dhimbja, fizike (prerje duarsh, rrahje, etj.) dhe emocionale (poshtërim i punëtorëve përpara familjarëve të tyre), është e shkaktuar nga vartësia ndaj parave. Të gjithë, të torturuarit apo të vetëvrarët nga borxhi i pashlyeshëm, punojnë me pjesëtarë të familjes dhe janë përfaqësues të biznesit të vogël që regjisori i prezanton si të dështuar dhe të margjinalizuar. Prindërit, gratë, fëmijët janë në vartësi ekskluzive të parasë që – siç thotë Mi-sun – “janë fillimi dhe fundi i gjithçkaje”;  fillimi i çdo dëshire dhe fundi – si qëllim, por edhe si shkatërrim i jashtëm dhe i brendshëm – i qenieve njerëzore.

Paratë dhe makineritë, përveç dhimbjes fizike, janë origjina  e një cikli dhimbjesh shpirtërore, humbje dinjiteti dhe hakmarrje. Kang-do – vegla e një sistemi – jo vetëm merr paratë dhe gjymton viktimat, por edhe i poshtëron. Megjithëse ky rol i Kang-do-së prezantohet në një pamje të parë si pushtet absolut, në përfundim të filmit bëhet e qartë që çdo element i tij – vetmia, mungesa e familjes, ftohtësia e tij e shkaktuar nga kjo mungesë – mbart dobësinë/mospraninë e ndjenjave themelore njerëzore të cilat mundësojnë përdorueshmërinë e Kang-do-së si një vegël perfekte në gjymtimin/eliminimin e viktimave, në krijimin e zëvendësuesve të tij të ardhshëm dhe në veteliminim si pjesë sistemike e natyrshme dhe e detyrueshme.

Në një skenë, e cila ilustron këtë cikël, një fëmijë i vogël godet Kang-do-në me një stilolaps për të marrë hakun e të atit tashmë të sakatosur. Terreni është gati për një zëvendësim të ardhshëm të Kang-do-së. Në një rast tjetër, gruaja e një viktime të rradhës ofron vetveten për të shpëtuar burrin e saj dhe, si rrjedhojë, biznesin, por nuk arrin asgjë: i shoqi gjymtohet dhe ajo e dorëzon më kot dinjitetin. Por, Kang-do vetëvritet nën rrotat e makinës së saj në fund të filmit. Fatkeqësisht, kuptimi është thjesht ndërgjegjësimi i Kang-do-së për rolin e tij si pjesë e një cikli.

Ky akt në mbyllje të filmit shpjegon pjesërisht titullin dhe afron – nëpërmjet një krahasimi tërësisht të përmbysur – Kang-do-në dhe Mi-sun-in me Jezusin dhe Marinë (Maria/Mi-su vajton mbi të birin ende të gjallë por të parikuperueshëm i cili nga nga ana e tij lutet për jetën e Marisë/Mi-sun duke kujtuar se jeta e saj kërcënohet nga një pengmarrës … por është një trill i Marisë/Mi-sun që do të shohë të birin të rikuperuar prej së keqes).

Vetësakrifica e Kang-do-së (ashtu si ajo e Mi-sun-it dhe të gjithë huamarrësve të sakatosur) është kritika më e ashpër e zbrazëtisë së botës moderne. Sakrifica ka humbur qëllimin e saj origjinal; diçka sakrifikohet, jepet nga vetja, për të siguruar një të mirë në këmbim, një shpëtim, një rikuperim apo rihabilitim. Në këtë rast sakrifica nuk prodhon asgjë, ajo është thjesht pjesë e shkatërrimit makinik të parasë. Kang-do veteliminohet për të krijuar vend për “mish të ri/fresh meat”.

Postuar te Filmi | Etiketuar me , , | Lini një koment

Bibliovdekja Kombëtare. Romeo Kodra

Keni provuar ndonjëherë të konsultoni apo huazoni një libër në Biobliotekën Kombëtare? Nëse po, dhe vazhdoni ende të lexoni, patjetër marrdhënia juaj me librin duhet analizuar nga pikëpamja psiko-patologjike. Jua siguroj se nuk është çështje dashurie për leximin, por një kokëmushkësi e shurdhët ajo që ju shtyn të merrni e të lexoni pas një kalvari të tillë. Dua t’ju përshkruaj pak a shumë via crucis-in tim personal që besoj shumë të tjerë e kanë ndarë dhe do ta ndajnë në të ardhmen.

Duke mos qenë i regjistruar në bibliotekë – sepse për artet performative si teatri, baleti, kinematografia, kjo bibliotekë, është një shkretëtirë absolute – shpesh herë kam qenë i detyruar të konsultoj ato pak libra që më interesonin in loco. Por aventura nuk ka qenë asnjëherë e lehtë.

Kalvari fillon që nga konsultimi on-line, në të cilin librat nuk janë të specifikuar në status; nëse ‘të disponueshëm’ apo momentalisht ‘të huazuar’. Deri këtu nuk ka problem … nuk duhet të jemi maniakalë në kërkesat tona; në Bibliotekën tonë Kombëtare nuk kemi teknologjinë informatike evropiane në dispozicion (edhe pse shifrat e fondeve të derdhura në këtë bibliotekë kanë qenë mëse evropiane)! Kështuqë na leverdis të shënojmë atë dreq numër katalogimi dhe të fillojmë kërkimin vetë nëpër rafte.

Ah, desh harrova: këtu nuk ka as libra e as rafte. Librat nuk mund të konsultohen direkt, por duhet përpiluar një skedë dhe të drejtohet kërkesa tek bibliotekaret. Pas përmbushjes së skedës duhet dorëzuar në bankën e punonjëseve të bibliotekës që referojnë menjëherë se duhet të pritur për së paku 30 minuta për të marrë në dorëzim librin. “Shkoni e pini një kafe! Pse çuditeni? 30 minuta nuk janë asgjë!” sygjeron mirësjellja.

Megjithatë, për tu çuditur është vrima në murë. Aty bibliotekarja depoziton kërkesën. Nuk është Muri i Qarjeve dhe Lutjeve! Aaah, këtu nuk jemi në Jeruzalem … kjo vrimë është thjeshtë një ashensor mallrash për katin e nëndheshëm të bibliotekës … edhe se, për të qarë e për tu lutur vjen!

Herë pas here një zë mbytës nga bota e përtejme e nëndheut dëgjohet duke artikuluar diçka të padeshifrueshme; me shumë mundësi në këto raste paralajmëron Karontin i cili përcjell shpirtrat e vdekur të librave që kërkojnë ringjalljen. E thotë edhe Umberto Eco në “Lector in fabula”.

Gjithkush është dendur me kafen e sygjeruar nga personeli dhe pret përpara bankës së bibliotekareve me padurim librin e tij, shpreson t’i dëgjojë titullin prej zërit të tyre. Shpesh qëllon të jetë i pafat, si unë, dhe nuk i mbetet të kërkoj ndonjë libër tjetër të ngjashëm me të parin që mund t’i bëj punë ose të largohet me një ndjesi bezdisëse të një shërbimi që paguan (meqë Bibliotekën Kombëtare e paguajmë të tërë ne, si publik, me taksat tona), por që i shërben keq ose aspak.

Jo rrallë kam këmbëngulur me një kërkesë të mëtejshme, por rezultati ka qenë thuajse gjithmonë i njëjtë. Skeda me numrin e katalogimit, në më të shumtën e rasteve, më është kthyer e zhubrosur prej atij Spaçi librar ku asfiksohet ajo pak dije intelektuale që zotërojmë.

Herën e fundit, tek prisja kokëfortë i ulur karshi bankës së bibliotekares, më bëri përshtypje fytyra e një të moshuari. Edhe ai priste, si një prind i ri – gjithë shpresë – nën dritaret e maternitetit lajme për foshnjën e tij letrare. Por pa rezultat; kishte gabuar së shkruari numrin e katalogimit në skedë duke harruar t’i vinte bishtin shtatës dhe Karonti, duke e marrë për një njësh, i solli në dorë një fletore zyrtare që kish lidhje me poezitë që kërkonte sa ç’mund të kish lidhje kjo “qendër e dijes” me shërbimin publik.

Megjithatë, dhe më tepër për skaramanci se për bindje, vendosa – pas një mijë e një peripecive – të regjistrohem në Bibliotekën Kombëtare për të parë a do të ndryshonin gjërat. Ndodh, mendova me vete, që ndonjëherë të bëhen preferenca mes të regjistruarve dhe të paregjistruarve si në çdo vend shërbimesh klientelare. Por, mëkot. Kalvari ishte ende larg përfundimit. Këtu, madje zbulova një lloj burokracie borgjeze të fëlliqur dhe me nuanca të theksuara nazistoide që të bëjnë të thërrasësh me gishta në vesh nga tërbimi.

Pikësëpari u informova për proçedurën që duhej ndjekur për regjistrim dhe dokumentat që duheshin paraqitur. Përveç dy fototeserave dhe kartës së identitetit mu kërkua një ‘vërtetim vendbanimi’.

Nisem menjëherë për në degën e minibashkisë dhe më thonë se për të marrë një ‘vërtetim vendbanimi’ më duhet të nxjerr një ‘çertifikatë personale’ e cila, nga ana tjetër, nxirret vetëm pasi ke paguar taksat vendore për pastrimin e rrugëve. Përveç absurditetit të dukshëm dhe konceptit relativ të pastrimit të rrugëve brenda lagjes sime që mund të kenë përfituesit e taksave vendore, edhe më shumë më bën përshtypje fakti që shërbimi bibliotekar kombëtar është i lidhur me mundësinë ekonomike të një individi kundrejt pagesës së taksave.

Unë i kam 5 mijë lekë të reja për të paguar taksat e pastrimit të qelbur të lagjes vazhdimisht të qelbur ku jetoj, po si i bëhet halli me ata që s’i kanë? Si i bëhet halli me fëmijët e tyre? Ç’është ky klasizëm idiot dhe barbar?

I revoltuar, por i nënshtruar fatit, nisem me çertifikatë në dorë drejt Bibliotekës Kombëtare. Aty më pret bibliotekarja e turnit duke më thënë se nëse jam studjues apo pedagog – me një kartë të veçantë – më jepet mundësia të frekuentoj ‘Sallën Shkencore’ që është posaçërisht për këta të privilegjuar. Një tjetër dukuri klasiste idiote dhe barbare për të cilën më vinte për të vjellë vetëm nga mendimi. Falenderova përzemërsisht për informacionin e padëshiruar dhe i thashë se preferoja të frekuentoja Bibliotekën Kombëtare si profan.

Sapo i vë në dispozicion ‘çertifikatën personale’ bibliotekarja stepet e pështirosur dhe më vë në dukje mungesën e ‘vërtetimit të vendbanimit’. Për 10 minuta ishte e kotë t’i shpjegoje që në ‘çertifikatën personale’ ishte i shënuar dhe i printuar nga kompjuteri i minibashkisë, me vulë dhe pullë ende të njoma edhe ‘vendbanimi’. Një SS i zellshëm i sapodalë nga rradhët e ‘Rinisë Hitleriane’ do të ishte lëkundur. Bibliotekarja e Bibliotekës Kombëtare jo! Madje më përplas në fytyrë një “Jo!” dhe “Mos e Zgjat!” sikur t’më kish prerë kërthizën. Kuptova që ‘vërtetimi i vendbanimit’ për të është i shenjtë; edhe pse ky i fundit nuk është gjë tjetër veçse një ‘letër bakalli’ e shkruar me dorë nga nënpunësja e minibashkisë që disi e sikletosur pohon midis të tjerash absurditetin burokratik të cilin e detyrojnë të zbatojë.

I trallisur nga nervat si tela violine dal jashtë duke marrë frymë thellë për të ripërpunuar duhmën e pashfryrë ndaj bibliotekares që në fund të fundit automizohet padashur pikërisht falë një mjedisi nazistogjen. Në shtëpi një mikesha ime kishte lënë rastësisht një libër të Umberto Eco-s mbi tryezë: Si bëhet një tezë diplome?. Filloj e shfletoj dhe ndalem në një pasazh: “Duhet tejkaluar droja, dhe shpesh bibliotekari ju jep këshilla të sigurta duke ju bërë të kurseni shumë kohë.” Librit të Eco-s nga dje i mungon një faqe.

Postuar te Uncategorized | Etiketuar me , | Lini një koment

Rexhep Ferri “njeriu që nuk mund të lirohet nga nostalgjia”. Romeo Kodra (Gazeta Shqiptare 1/12/2013)

Prej 18 Nëntorit në Galerinë Kombëtare të Arteve është çelur ekspozita personale e Rexhep Ferrit. Këtë autor, një prej zërave më origjinal të hapësirës mbarëshqiptare, e kam hasur për fajin tim të keq vetëm rreth 2 vite më parë, falë monografisë së botuar prej Akademisë së Shkencave të Kosovës realizuar nga kritiku i artit dr. Gëzim Qëndro.

Duke shfletur këtë monografi, përveç impaktit direkt të veprave të piktorit, një përcaktim i Qëndros më tërhoqi vëmëndjen: “Kështu merr kuptim dhe bëhet më e qartë ekonomia e perceptimit  që lidhet me parapëlqimin e Ferrit për të ndërthurur qasjen fenomenologjike me integrimin gestaltist të formave …”. Nuk është i pakët si afirmim. Nga pikëpamja filozofike jemi në majat e realizimit të koncepteve të shkullit të XX-të, por këtu, në pikturë; dhe ç’është më surprizuese, në një autor shqiptar që dialogon me autorë të rangut të Picasso-s apo Bacon-it.

Kisha menduar prej kohësh, që kur lexova monografinë e dr. Qëndros, të shkruaja diçka mbi këtë autor, por më dukej disi e pavend të shkruaja pa patur as edhe një herë të vetme rastin të shihja veprat e tij nga afër. Ekspozita “Afër dhe Larg” ma ofroi këtë mundësi.

Të shkruarit mbi veprën e Ferrit erdhi edhe si shtysë e kuriozitetit për të parë koherencën e afirmimit, në dukje panegjirik, të Gëzim Qëndros mbi veprën e këtij autori që për habinë time u konfirmua përpikmërisht. “Qasja fenomenologjike” që thotë dr. Qëndro nga njëra anë më solli ndërmend M. Merleau-Ponty, për të cilin fenomenologjia si metodë është “një ‘psikologji përshkruese’ apo një rikthim ‘mbi vetë gjërat’ [Husserl], është mbi të gjitha një mohim i shkencës. Unë – vazhdon Merleau Ponty – nuk jam rezultati apo konvergjenca e rastësive të shumëfishta të cilat determinojnë trupin apo ‘psikizmin’ tim, nuk mund të mendohem si një pjesë e botës, si thjeshtë objekt i biologjisë, psikologjisë dhe sociologjisë, e as të mbyll mbi vete universin e shkencës. Gjithë ç’ka di mbi botën, edhe nëpërmjet shkencës, unë e di duke filluar nga një pikëpamje vetjake, ose nga një eksperiencë e botës pa të cilën simbolet e shkencës nuk do të kishin asnjë kuptim” [Fenomenologjia e Perceptimit]. Dhe po të vërejmë me kujdes sidomos figurat antropomorfe të Ferrit do të na shfaqen të sintetizuara pikërisht fenomenet e eksperiencës së botës. Tek vepra “Afër dhe Larg” [1978] p.sh. shohim në parninë hapësinore të pëlhurës të sintetizuar (apo koaguluar) taksonominë eksperienciale, kohore të një subjekti që ka të shenjuar mbi trup ankthet, pasionet, që formojnë e gjymtojnë në të njëjtën kohë.

Veprat gestaltiste të Ferrit ‘flasin’ detyrimisht një gjuhë universale, përgjithësuese, primitive [ngjyrat e përdorura nga Ferri në to janë të një toke në (zh)bërje e sipër, parahistorike, ançestrale]. Të gjithë jemi, kush më pak e kush më shumë, rrjedhojë e kësaj toke në (zh)bërje e sipër, por për një shqiptar nga Kosova si Ferri metafora është larg. Tek autori kosovar bëhet fjalë për një histori të tërë që nuk ka kohë për imagjinatë, por lëvrin pa rreshtur ndër shekuj midis reales dhe simbolikes; reales së trupave të konservuara në varreza masive që ngrihen si simbol i pazgjidhshëm dhe i pakuptimtë për të gëlltitur Historinë makabër të cilën autori e refuzon parreshtur. Edhe tani që Kosova është një realitet Ferri vazhdon me të njëjtin refuzim autistik, sepse çështja është tek ekzistenca e jo tek kombësia. “Njerëzit pa atdhe ikin ‘me sy kah Itaka’, se nuk mund të lirohen nga nostalgjia …” thoshte për të Ali Podrimja.

Ndërsa “integrimi gestaltist i formave” që nënvizon dr. Qëndro në monografinë e Ferrit nga ana tjetër hap mëtej edhe një dritare mbi artin bashkëkohor të përjetuar nga prof. Ferri, hap problematikën e autorit si koncept themeltar. Edhe këtu Rexhep Ferri është kirurgjikal. Në veprat gestaltiste fokusi primar është ai i subjektit vrojtues që interpreton dukshmërinë ambivalente të veprës duke u shndërruar në këtë mënyrë në një autor/krijues të pjesshëm të saj. Por interpretim nuk është i rastësishëm, autori këtu ka vënë gjithsesi kufijtë e tij (autoritar dhe të vetëdijshëm) duke vënë në skenë një mjedis të paracaktuar imtësisht dhe jo një atmosferë të vagullt. Po të shohim “Maskën e zezë” [2004] të vendosur në një skenë klasike teatrore, tmerri na paraqitet nga prania e papranishme që qëndron pas saj. Sytë përtej vrimave të kësaj maske mungojnë, mungon dhe goja apo dhëmbët. E zeza e maskës ndjell fatkeqësi vetëm në kontrast me bardhësinë pas saj. Prania antropomorfe pas saj jepet vetëm nga një element: pika të zeza që përkojnë me nyjëzimin e kafkës njerëzore. Por është një njeri i tjetërsuar, i tëhuajzuar nga qenia e tij, është një masë tumorrale, pa organe shqisore: një tumorr inorganik vdekjeprurës që ka uzurpuar skenën; është apoteoza e vdekjes së verbër.

Nuk duhet harruar sëfundmi Rexhep Ferri i letrave të cilit po i lë fjalën e mbylljes: “Në Ishullin e Mjaltit dhe Gjakut. Afër shtatë hijeve të një ngjyre. Pak më parë e pak më vonë, Hajrush Fazliu e sheh të vërtetën. Me urtësinë e tij të qetë pikturon një ëndërr. Jo duke krijuar portretin e Afërditës as Torzon e Venerës, por duke ruajtur origjinën e ndryshimeve. Jo larg rimodelimit. Me disa detaje nga jeta. Historia duket e gjallë. Për kohën antike dhe kohën moderne ëndrra ishte e njëjtë. Unë vetëm pak sa u ndala.” Kjo ishte vetëm një pjësëz e prozës, poetika e tij shkon përtej. Ju ftoj ta ndiqni në ekspozita, librari apo biblioteka.

Postuar te Art Pamor, Letra | Etiketuar me , , , , | Lini një koment

BARTELBY NË PROTESTË PËRPARA KRYEMINISTRISË DHE ‘CHEMICAL BROTHERS’ (Romeo kodra)

Kriza politike e retorikës dhe retorike e politikës këto ditë të nxehta nëntori po na shfaqet në gjithë qartësinë e saj. Shihet qartë tek kryeministri Rama, shihet tek mënyra e të artikuluarit të diskurit të tij të lëkundshëm duke qenë se mbështetet në një retorikë boshe që kërkon të fitojë kohë kur kohë nuk ka, kur koha nuk ekziston, kur ekzistenca si qenie refuzon kohën. Të rinjtë e sheshit para Kryeministrisë kanë se ç’t’i mësojnë nga kjo pikëpamje.

Kryeministri e di që zgjedhja është një jo-zgjedhje, e ndjen në mish, në shpirt, e ndjen në atmosferën që e rrethon: një atmosferë që i merr frymën. Shihet qartë tek z. Rama vështirësia e pamëshirshme e të mësuarit përmendësh letrën e diskurit të tij të shkruar tjetërkund, nga tjetërkush: në dyert e hekurta të Ambasadës së rrugës së Elbasanit. Frymë/marrja gjatë deklaratave për shtyp i mjafton vetëm për oksigjenimin e gojës, deri diku të mushkërive, por jo të trurit. Zoti Kryeministër flet duke ditur që po flitet nga dikush tjetër, nga gjuha e tjetrit, nga diskuri i Big Brother-it tonë made in USA.

Shpresoj që z. Kryeministër të mos këtë pësuar shgënjimin e rradhës në këto ditë të nxehta nëntori. Shpreoj që z. Rama të mos ketë kujtuar se Big Brother-it do t’i mjaftonte antiçegevarizmi i deklaruar haptazi në përvjetorin e parë të vrasjeve të 21 Janarit, në 2012, kur nga podiumi mohonte një ikonë të së majtës mbarëbotërore. Duke mohuar Che Guevara-n zoti Rama besoj se e ka kuptuar që po bënte një kapërcim 180° në rrafshin e politikës … apo jo? Ndoshta Kryeministri duke dashur t’i flasë portës së hekurt të Ambasadës së rrugës së Elbasanit kapërceu i shtyrë nga entuziazmi një cak që e bën të luaj një lojë politike në një fushë tjetër, tërësisht djathtas. Shpresoj që zoti Kryeministër ta ketë kuptuar që me atë akt simbolik (‘nuk jemi çegevaristët e Amerikës Latine’, thënia e tij, është një pozicionim simbolik dhe politik i mirëfilltë) po bën një politikë të majtë të shprishur. Edhe pse reformat që po ndërmerr janë më pak të djathta se të qeverisë informale (jo-qeverisëse) Berisha, duke mohuar simbolet Kryeministri duhet të kuptojë se po heq rrënjët e idealeve, po shkëputet nga ideologjia, nga logjika e ideve. Po bën pra një politikë skizofrenike duke predikuar majtas në një fushë të djathtë dhe kjo s’është tjetër gjë veçse shfaqja konkrete e një politike tautologjike dhe entropike.

Kryeministri Rama në një interviste të pak kohëve më parë dhënë një gazetari francez shprehte vullnetin e tij për të hyrë në Historinë (Histerike) shqiptare. Nuk tha se për çfarë motivi. Duke ditur se historia përbëhet në më të shumtën e rasteve nga monstra, mishi më ngjethet. Nuk na mbetet veçse ta mbajmë nën vrojtim konstant, ta vëzhgojmë në çdo lëvizje politike që ndërmerr, ta analizojmë në detajet më të imta të diskurit të tij tëhuajzues dhe të tëhuajzuar.

Te flasësh është një akt pushteti, por kur e ndjen që është pushteti që të flet kjo kthehet në një pakënaqësi që shprish gjakun, shpirtin, mendjen, esencën e të qenurit njerëzor. E përsëris edhe një herë: besoj se z. Rama e ndjen këtë, por për mua dhe për çdo shqiptar të përfaqësuar nga të rinjtë e sheshit para Kryeministrisë është thelbësore që të mos alienohemi, tëhuajzohemi nga një e ardhme ekologjikisht dhe biologjikisht e sigurt, kështuqë është e pamundur – për nga vlera që ka – t’i lihet në dorë ekskluzivisht z. Rama apo kujtdo prej politikanëve tautologë shqiptarë.

Në terrenin e fjalës nuk ka vend për asnjë pafajësi, për asnjë siguri. Kush flet ka pushtet dhe pushteti e flet. Për Jacques Lacan fjala na flet, siç flet Kryeministrin Rama fjala e tjetërkujt nga tjetërkundi i rrugës së Elbasanit. I rëndësishëm është vetndërgjegjësimi mbi këtë çështje dhe mbi të gjitha duhet reaguar, fizikisht, me trup dhe shpirt në sheshin përpara Kryeministrisë për të thënë JO! Njësoj si melville-iani “Bartelby the scrivener” të cilin e rekomandoj për lexim … në fund të fundit jam pro-amerikanë edhe unë.

P.S.1 Dje mu bë qejfi edhe për reagimin e të rinjve të sheshit të Kryeministrisë ndaj vejushave të luftës së humbur të pushtetit, Berisha-Basha apo BeriBasha. Do të kisha dashur të kisha qenë aty në këtë event që demonstron qartësisht se protestuesit janë shumë më përpara se politikanët dhe se ‘delet’ e vërteta janë këta të fundit që kanë shitur gjithçka për pushtetin e kukullave.

P.S.2 Nuk më pëlqen muzika huose por ‘Chemical Brothers’ dhe Big Beat-i i tyre janë perfekt për këto ditë të nxehta nëntori.

Postuar te Letra | Etiketuar me , , , | Lini një koment

MBI “POLIFONI PA FUSTANELLË” (Romeo Kodra)

Të premten e shkuar në Black Box të Universitetit të Arteve u organizuar një takim me psikanalistin Sergio Caretto të titulluar “Polifoni pa fustanellë”. Pjesëmarrës ishin përveç Sergio-s, Jolka Nathanaili-Penotet, Matilda Odobashi dhe i nënshkruari. Nuk e di ç’u ka mbetur të pranishmëve nga ky takim, por shpresoj që për së paku tendenca polifonike e diskurit të ketë dalë e qartë.

Personalisht mora pjesë duke lexuar një tekst të publikuar edhe në aksrevista.wordpress.com, dhe pikërisht me “Praktika skizogjene dhe proksemia e hapësirës: ‘Blloku’ i Tiranës”. Ky tekst është pjesë e një studimi më të gjerë që i përket interesit tim primar: teatrit, në kuptimin e tij më të gjerë; që nga trupi i aktorit, fjala e deri tek hapësira performative. Teksti i prezantuar në “Polifoni pa fustanellë” është një trajtesë mbi hapësirën konkrete, dhe më specifikisht mbi një hapësirë të përshenjuar dhe përshenjuese: Bllokun.

Më nevojitet në këtë pikë të shpjegoj ç’është ‘përshenjimi’ si term. Për ta bërë të qartë nevojitet një impostim, një pozicionim teatror karshi fjalës. ‘Shenjimi’ konkret, si akt specifik, është diçka, ndërsa ‘përshenjimi’ është diçka tjetër. Ky i fundit është akti dytësor, akti ripërsëritës i ‘shenjimit’, është akti i vlefshëm ‘për të shenjuar’ diçka, është në një farë mënyre akti teatror i aktit ‘shenjues’ primar apo simptoma e një shenjimi real.

Pse e bëj këtë? Pse ky shpjegim? Së pari, për të thënë se nuk është gjë tjetër veçse konfermimi i pozicionimit lakanian mbi përparësinë e gjuhës karshi subjektit: ne vijmë në jetë të zhytur në gjuhë; vijmë në jetë falë gjuhës; ekzistojmë fillimisht në projektet e prindërve tanë siç kanë ardhur ata vetë falë gjyshërve, e kështu me rradhë që nga terri i kohërave. Së dyti, për të vënë pikat mbi ‘i’ rreth konceptit të përshenjuar dhe përshenjues “BLLOK”; sepse koncept është tashmë. Ky koncept nuk erdhi me mbretin Zog, as me fashizmin, as me enverizmin dhe as me bllokmenët e rinj. Ky koncept është i ndërthurur me dëshirën e pavetëdijshme të qenies njerëzore, në tendëncën natyrore të ‘sintezave pasive’ deleuze-iane. Tek të gjithë, pa përjashtim, ekziston tendenca e ndërsjelltë e përshenjimit makinik dhe mekanik me territorin, dhe si rrjedhojë është e kotë dhe e shterpë tendenca e kërkimit të përshenjuesit të parë, fajtorit të parë arkaik (shpresoj që të mos keqkuptohem: nuk po them që gjithçka është e justifikueshme dhe të gjithë janë të pafajshëm). Kështuqë duhet hulumtuar dhe kuptuar proçesi i territorializimit (Deleuze), përndryshe jemi të destinuar të ndjekim – si ai gomari karrotën që ka të lidhur pas shpine – copa, thërrime, fragmente të reales që na përpin parreshtur brenda vetes.

‘900-a e dy Luftrave Botërore shfaqi haptazi një subjekt autoritar të thërmuar, të coptuar, të shkërmoqur. Foucault rreth këtij subjekti teorizon figurën e autorit – dhe rrjedhimisht të të gjithë qarkut semantik të ‘auctoritas’ – si instrumental karshi diskurit, si sintetizues i pluridiskureve qarkulluese. Për Roland Barthes “autori është i vdekur”, rëndësi për të ka teksti si (ndër)thurje tekstile, i vetmi locus vital gjenerator dhe indikator jete.

“Polifoni pa fustanellë” nga kjo pikëpamje ishte thurje e shumzërëshit të lektorëve dhe publikut (folësve) të pranishëm, ku gjithsecili vinte në diskutim dhe denonconte (në kuptimin e vërtetë të fjalës) autoritetin e tij (auctoritas) në mënyrë të vetëdijshme. Diskuret tona (të lektorëve/folësve) specifike ishin fragmente të një realiteti personal, fragmente realitetesh përkatëse të autorëve (auctoritas), realitete që ne (në vetë të parë) performojmë/jetojmë. Nuk ka dyshim që realiteti im personal është një diskur i mbyllur si një bllok hermetik për të tjerët rreth meje, është për ta një realitet i vdekur dhe pa akses. “Nuk ka komunikim” thoshin Sergio dhe Jolka duke përmendur Lacan-in. Vetëm në momentin kur zërat ndërthuren (polifonia) diçka mbetet. Kjo mbetje është diferenca, ndryshueshmëria midis diskureve.

Diferenca që shfaqet vetvetiu nga ballafaqimi i diskureve tona, njësoj sikur të kishte një jetë të vetën, tregon në mënyrë simptomatike edhe mungesën tonë të kontrollit mbi diskuret që teorikisht na përkasin (edhe një herë: është gjuha që na flet!). Jemi pra, përpara një mungese që përmblidhet apo konsiston në mungesën e vetndërgjegjësimit rreth saj (Nuk duhet ngatërruar kjo mungesë me mangësinë tonë fizio-biologjike; diskuri im nuk rreh rreth nikilizmit, kështuqë është mëse e qartë që këtë mungesë e shoh si të kapshme dhe kuptueshme).

Një pyetje rreth ndërhyrjes sime që kish të bënte me argumentimin e mbështetur në etimologjinë çabejane të termit ‘bllok’ – që koinçidon thuajse në mënyrë aksiomatike me funksionin e sintezave pasive deleuze-iane – mu duk si një rast emblematik për të nënvijëzuar edhe një herë nevojshmërinë e vetndërgjegjësimit mbi diskurin apo fjalën si mungesë. Shpesh herë thuhet se jemi tepër mbrapa nga pikëpamja e stabilizimit gjuhësor të studimeve filozofike dhe si rrjedhojë të shumë fushave të tjera që me filozofinë kanë të bëjnë. Atëherë, pse duhet t’më duket si spekulativ argumentimi kur mbështetem në një etimologji të gjuhës sime amtare? Pastaj, mos ndoshta gjuha ime amtare nuk është gjuhë autoritare (auctoritas) në filozofi? Nuk është se më intereson t’i jap autoritetin që i takon gjuhës sonë në fushën e filozofisë apo në ndonjë fushë tjetër; nuk kam tendenca rilindase (“Polifoni pa fustanellë” duhet kuptuar edhe si “Polifoni pa folklor” … është abuzuar së tepërmi me folklorin shqiptar sa na u duk tërësisht e panevojshme t’i mëshonim edhe më tej këtij argumenti ekzotik). Gjuha dhe auctoritas janë një. Kush flet është autoritar sepse autoriteti/gjuha na flet.

Interesi im primar pra, është të bëj një hap përtej tendencave anakronike rilindase, është të ndjek shpalosjen e instancave të autoritetit nëpërmjet gjuhës in toto, në teatër dhe – në rastin konkret të çështjes ‘blloku’ – interesi im qëndron pikërisht tek autoriteti dhe qerthulli i menaxhimit të territorit të tij. Në këtë qerthull natyrisht që formohen subjekte, por janë subjekte që ripërsërisin parreshtur dhe të përpjestuar në fragmente minore subjektet zogiste-fashiste-enveriste-bllokmene.

Postuar te Letra | Etiketuar me , , , , , | Lini një koment

Gomerёt peshkopё II, ose mbi arsimin publik shqiptar. Fragmente …pa sygjerime. (Romeo Kodra)

   Prej kohёsh mё tundonte ideja e njё artikulli mbi arsimin publik shqiptar qё do tё kompletonte diptikun me “Gomerёt Peshkopё, ose mbi arsimin jo publik shqiptar. Fragmente dhe sygjerime.”, por nuk do t’ma kishte marrё kurrё mendja qё diptiku do tё kompletohej jo vetёm pёr nga trajtesa argumentuese, por edhe nga njё ndёrthurje koinçiduese dukurishё ndёrinstitucionale arsimore tё provuara nё vetё tё parё.

   E para dhe mё e rёndёsishmja prej kёtyre dukurive koinçiduese mu materializua tek lexoja njё artikull tё publikuar nё tё pёrditshmen “Panorama” tё 11 Nёntorit: “Financimi i universiteteve, nisin konsultimet me rektorёt. Nikolla: Agjenci e huaj pёr akreditimin e universiteteve”. Nёntitulli i artikullit mё solli ndёrmend propozimin tim nё mbyllje tё “Gomerёve Peshkopё”, nё tё cilin sygjeroja pikёrisht njё angazhim tё institucioneve nё kёtё drejtim, dmth. nё pёrzgjedhjen e njё agjensie tё huaj pёr akreditimin e universiteteve (sidomos atyre private) pёr tё shmangur rryshfetet dhe dallaveret familjare midis akredituesve dhe tё akredituarve si nё rastin e eksperiencёs sime personale tё dokumentuar nё artikullin e Shtatorit. Ministrja Nikolla, ose dikush pёr tё, mund tё ketё qenё njё ndёr 493 lexuesit e derimёsotёm tё artikullit tё “askrevistes”, dhe kjo gjё mё lumturon tejmase; ose thjeshtё, ka patur tё njёjtёn ide, dhe kjo mё lumturon dyfish sepse do tё thotё se dikush po merret seriozisht me reformat nё arsim.

   E dyta dukuri koinçiduese ishte konfermimi i pranisё sё “Gomerёve Peshkopё” (shih pёr kuptimin nё artikullin e 3 Shtatorit tё kёsaj platforme) edhe nё brendёsi tё “gjёsё publike”. Kjo mё bёn tё mendoj se ёshtё sistemi qё i vetgjeneron. Por le tё ndjekim disa hapa tё eksperiencёs sime pёr tё pёrfiguruar mё mirё panoramёn e institucioneve arsimore publike.

   Hapin e parё e mora nё Shtator 2013, nё Ministrinё e Arsimit. Aty kёrkova njё informacion tё thjeshtё pёr itinerarin qё duhej tё ndiqja pёr tё ndёrmarrё karrierёn e pedagogut (tё lёndёs sё Artit) nё shkollat e mesme. Mё thanё qё gjithçka ishte nё varёsi tё Drejtorisё Arsimore Rajonale tё rrethit (Tiranёs). Nisem dhe, pas 2 javё sorrollatjesh (ndoshta kaosi i zgjedhjeve dhe lёvizjeve post-elektorale), takoj znj. Arjana Bekteshi (ish-drejtoreshё tashmё e institucionit kryeqytetas). Pasi prezantohem i kёrkoj informacione mbi itinerarin qё duhet tё ndjek. Pa mё thёnё gjё mbi kёtё çёshtje, mё informon se ёshtё shumё e vёshtirё dhe se duhet tё kem “mbaruar pёr mёsuesì”. I shpjegoj qё kam njё eksperiencё 2 vjeçare nё njё universitet privat tё Tiranёs, kam dhёnё njё lёndё laburatorike nё njё universitet publik nё Itali dhe se diploma italiane mё ёshtё njehsuar nga Ministria e Arsimit, por nuk kam diplomёn pёr mёsuesi. “Pa tё nuk tё ndihmoj dot”, mё pёrgjigjet, “nuk kam si tё thyej ligjin”. I them se mё duket çudi qё pedagogёt e gjimnazeve tё jenё tё gjithё tё kualifikuar me njё diplomё pёr mёsuesì dhe se nga Ministria nuk mё kishin vёnё nё dijeni pёr njё gjё tё tillё. “Po deshe, shko dhe informohu tek z. Fatmir Vejsiu, drejtor pёr arsimin para-universitar nё Ministri. Merr njё vёrtetim ku tё shkruhet se me diplomёn qё ke mund tё japёsh mёsim nё shkollat e mesme dhe UNЁ DO T’GJEJ MЁ T’MIRЁN E MUNDSHME”. Kjo frazё e fundit mё “vrau disi veshin”: drejtoresha do mё gjej mё t’mirёn e mundshme? Nuk ekziston njё pёrzgjedhje nga njё komisjon? Nuk ka njё konkurs? Pyetje tё cilave nёpёr korridoret e Drejtorisё Arsimore tё Tiranёs u qarkullonin pёrgjigjet, por qё nuk po i jap kёtu sepse ёshtё mё mirё tё shkruaj vetёm pёr eksperiencёn time nё vetё tё parё.

   Pa e zgjatur shumё dhe me gjithё dyshimin e njё sorrollatjeje tё kotё nisem tё takoj z. Fatmir Vejsiu. Drejtori i sektorit pёr arsimin para-universitar tё Ministrisё mё njoftoi se “ёshtё e vёrtetё qё ka njё ligj pёr ‘mёsuesìnё’, por qё ministri i mёparshёm (Tafaj) dhe ajo e sotmja (Nikolla) e kanё pezulluar me njё urdhёr tё brendshёm dhe gjithçka ёshtё nё dorё tё Drejtorisё Arsimore qё ёshtё autonome nё kёtё aspekt”. Nё pak fjalё kuptova qё isha nё dorёn e znj. Arjana Bekteshi qё duke ditur shumё mirё pёr urdhёrat ministrore tё pezullimit tё kriterit tё mёsuesisё mё kishte dёrguar tё “shkrythja kёmbёt” deri nё Ministri sёkoti. Pak kohё mё vonё lexova nё shtypin e pёrditshёm pёr abuzimet e ish-drejtoreshёs me dhёnien e posteve sipas dёshirёs (ёshtё pёr tu provuar ‘militantizmi’ nё kёtё çёshtje kёshtuqё po evitoj ta quaj tё tillё) dhe vendimeve tё saj direkte, autoritare, pa kurrёfarё konkursesh apo komisionesh siç pёrshkruhet nga ligji.

   I paepur nё kёrkimin e njё vendi pune i drejtohem ministres Nikolla nё njё takim direkt. Nё pritje kishte edhe njerёz tё tjerё me halle nga mё tё ndryshmet dhe mё tё rёndat. Njё prind kish ardhur tё ankohej pёr mbylljen e shkollёs nё Shёn Gjergj qё si rrjedhojё sillte pёr fёmijёt e tij 2 orё ecje nё kёmbё vajtje (edhe nё mes tё dimrit me dёborё), dhe 2 orё ardhje (“natёn dhe mes ujqish” shtonte i shkreti). Problemet e mia borgjeze dukeshin substancialisht çikёrrima. Gjithsesi prita i sikletosur ministren e re bashkё me tё tjerёt.

   Znj. Nikolla erdhi dhe pasi na dёgjoi tё gjithёve sёbashku pёr 7-8 minuta (i duhej tё largohej se kishte njё takim me “disa tё huaj”) na u lut tё shkruanim (dorazi) gjithçka nё njё letёr qё do tё transkriptohej nё format digjital nga sekretarja personale e saj po atё ditё, dhe premtoi se do tё na pёrgjigjej brenda max. 2 javёve tё gjithёve pa pёrjashtim.

   Pasi znj. Nikolla mё kishte thёnё gojarisht se ishte duke u marrё pikёrisht me Drejtoritё Arsimore nё atё moment, dhe qё do t’mё duhej tё prisja vetёm pak kohё pёr tё parё ndryshimin, vendosa qё nё letёr t’i shkruaja pёr gjendjen e arsimit tё lartё publik, dhe nё mёnyrё specifike pёr Universitetin e Arteve pёr tё cilin nuk pata edhe aq kohё pёr t’i folur.

   I shkruajta ministres sesi edhe kёtu ka njerёz qё abuzojnё me pushtetin dhe trajtojnё “gjёnё publike” si tё ishte njё çiflig mesjetar. I shkruajta sesi nga ana e rektorit (z. Petrit Malaj) nuk kam patur as edhe njё reagim ndaj propozimit pёr lёndё tё reja rreth lёmёs teatrore (qё ёshtё pikёrisht lёma e interesave tё mia), qoftё pёr mungesё totale interesi (qё rezulton dekurajuese nga ana e njё drejtuesi universitar qё deontologjikisht ka si fokus primar risinё dhe rinovimin), injorancё mbi subjektet e trajtuara prej meje (qё tregon njё mungesё indirekte tё kompetencave e njohurive personale dhe frikё pёr ballafaqimin e tyre) apo injorim me dashje (qё pёrshfaq qarkun e mbyllur nё vetvete tё njё ambjenti me dukuri paramafjoze).

   I shkruajta ministres Nikolla qё, edhe pse siç thotё ajo “universiteti ёshtё autonom nё zgjedhjen e lёndёve”, Ministria dhe ministrja vetё kanё detyrimin qё tё kontrollojnё kualitetin e mёsimdhёnies duke qenё se firmosin aprovimin pёr akreditim. I shkruajta ministres qё do tё ishte me mend qё tё konfirmohej vlefshmёria e lёndёve (flas vetёm pёr ato lёndё me subjekte teatrore, duke qenё se ato njoh mё mirё) mundёsisht nga ekspertё me njё formim jo-shqiptar, sepse ekspertёt me formim autokton nuk kanё lexuar as edhe njё tekst teoriko-teknik tё etёrve tё lёmёs teatrore tё ‘900-ёs gjatё formimit tё tyre sepse nuk ёshtё denjuar kurrё tё pёrkthehet qoftё edhe njёri prej tyre (Ministria e Arsimit dhe Kulturёs e njohin kёtё problem?). I shkruajta ministres se duke u kёrkuar opinione pёr programet mёsimore dhe lёndёt ”ekspertёve” tё Institutit tё Albanologjisё qё janё formuar nё Shqipёri (ata qё merren me studimet teatrore pёr sё paku) nuk bёn tjetёr veçse kёrkon informacion brenda njё konteksti deformativ, deformues dhe autoreferencial, nё tё cilin jo vetёm qё mungojnё priftёrinjtё e hipur mbi gomerё, por mungon edhe hija e kujtesёs sё ekzistencёs sё tyre. Kёtu lёvrijnё gomerёt nё liri tё plotё. Priftёrinjve su ka mbetur as nami e as nishani.

   Ministres nuk i shkruajta pёr zgjidhjen e problemit. Ndoshta pёr kёtё s’kam marrё ende pёrgjigje (ka kaluar njё muaj nga 2 javёt e premtuara prej saj). Ndoshta shkrimeve tё mia duhet tu vё njё copyright, t’i regjistroj me tё drejtё autori.

Postuar te Letra | Etiketuar me , | Lini një koment

Armët kimike dhe alkimia e Arben Imerit. (Nga Romeo Kodra dhe një shkrim i Arben Imerit)

   NË KËTË HAPËSIRË VIRTUALE KULTURA KONCEPTOHET SI KULTIVIM DHE NUK ËSHTË NË ASNJË MËNYRË SINONIM I SHKOLLIMIT. KJO HAPËSIRË, SI RRJEDHOJË, ËSHTË E HAPUR PËR NJERËZ TË KULTURËS.

JO DOMOSDOSHMËRISHT PËR TË SHKOLLUARIT; POR E HAPUR EDHE PËR ATA QË NJË DIPLOMË NUK E KANË MARRË KURRË; DHE MBI TË GJITHA: E MBYLLUR PËR ATA QË DUAN TË KALOJNË KOHËN!!!

   Arben Imeri, i vetëquajtur ‘gjindje e pashkollume’ kultivon imanencën e pasionit të tij duke filtruar ç’ka e rrethon pa pretendime artistiko-letrare, dhe për këtë, në mënyrë tërësisht të pavetëdijshme, ka gjetur formulën alkimike të të shkruarit. Shpresoj që lexuesit e këtij blog-u ta shijojnë si i nënshkruari leximin e artikullit. Romeo Kodra.

   Nëse armët kimike të Sirisë nuk shkatërrohen në Shqipëri, ku në të s’ëmës do asgjësohen ato?! Më mirë të demontohen tek ne, se sa mafia e armëve të zgjasë tentakulat e saj e të pasurohet në mënyrë kriminale.

   Në Shqipëri ka 3 milionë banorë dhe një numër të pafundë qytetesh! Bëhet qameti nëse vijnë edhe armët e Sirisë mike? Ata janë në hall dhe nuk dinë ku të fusin kokën! Harruam Gërdecin neve? Kaq shpejt?! Dmth, Gërdeci ishte i nënës dhe Siria trajtohet si e njerkës, për të mos thënë e kurvës? Jetesë vëllazërore është kjo? Pse ky trajtim mizor ndaj tyre?! Ku është bujaria e shqiptarit?! Ku është vullneti ynë për të vuajtur bashkë me popujt e tjerë?! Kujt do ja besojmë botën me paqe, zotit apo ujqërve? Zoti nuk ka nge të merret me veten e tij e jo më me hallet tona, ndërsa ujqërve nuk mund t’ju zëmë besë.

   Duhet vrarë mendja, vëllezër! Nga se kemi frikë, nga përrallat apo nga fjalët? Nga shpërthimet, helmimet? Ikni tutje e mos dërdëllisni qesim! Amerika e bëri shkrumb e hi Hiroshimën dhe japonezët aty janë, më të fortë e më kokëderra se kurrë! Janë shtuar në numër dhe dashurohen njësoj si para bombës atomike. Kur je i çmendur nga dashuria, nuk shikon leverdinë, shikon marrëzinë ! Ata e bënë eksperiencën e tyre me bombat; Hiroshima e Nagasaki, sot, janë krenarë për të kaluarën e tyre. Ne nuk mund të mburremi me një palo Gërdec (për fat të keq, bën rimë me emrin qurravec). Gërdeci duket si i virgjër para qyteteve japoneze. Kemi rastin e rrallë që të shkërdh…atdheun tonë. Mos vononi burra ! Ngopjani me pjekuri dhe me garanci!

   … garancia e atyre që kokën e përdorin për të ndarë veshët !

Postuar te Letra | Etiketuar me , , | Lini një koment