Skip to content

Travaje Gjinore midis Biologjisë dhe Kondicionimit Social – Pjesa III

June 25, 2015

Biologjia apo Verbëria për të Dalluar Elefantin mes Nesh

Mother and Child, Mary Casssatt, 1905

Mary Cassatt: Mother and Child, 1905 – National Gallery of Art, Washington D.C.

Edhe megjithatë – gratë për së mbari – më trëmbnin sepse tek e mbramja ato donin shpirtin tim, mirëpo ç’kish mbetur prej tij, unë doja ta mbaja për vete. – Charles Bukowski

Qasja e Klara Wieck Schumann ndaj karrierës dhe pasiguritë e saj në shekullin e 19-të s’janë aq të ndryshme nga qasjet femërore të shekullit 21-të. Studime të ndërmarra nga autorë të rëndësishëm në dekadat e fundit që e shohin problemin nga pikëpamja evolucionare, biologjike, historike dhe kulturore, evidentojnë se gratë pa dallim gjeografik e kulturor, krahasuar me burrat, priren (1) të kenë shkallë vetë-besimi (assertiveness and self-confidence) më të ulët, (2) të demonstrojnë shkallë dakordësie (agreeableness) më të lartë dhe (3) të përjetojnë më shumë emocione negative (negative emotions).

Sipas neuropsikologut Jordan B. Peterson, ndoshta arsyeja se pse gratë janë më të prirura për të përjetuar emocione negative, dhe lidhur ngushtë me këtë, edhe për t’u prekur nga depresioni ka lidhje me evoluimin biologjik të njeriut dhe mund të shpjegohet me faktin se jeta historikisht ka paraqitur më shumë rreziqe për femrat, të cilat kanë fizik më të vogël e më të dobët se burrat (gjysma e sipërme e trupit femëror sidomos nuk është aq e përshtatshme për dyluftim sa e burrave).  Mundësia për t’u sulmuar seksualisht është gjithashtu më e madhe për femrat, gjë që nëse ndodh ka kosto të rëndë psikologjikisht, fizikisht edhe praktikisht. Për më tepër, e në kontekstin e psiko-biologjisë evolucionare, do vënë në dukje se emocionet negative nisin të shfaqen pikërisht gjatë periudhës së pubertetit, kur vajzat maturohen seksualisht e bëhen kështu target i synimeve ose “gjuetisë seksuale”. Prandaj ka arsye evolucionare që femrat të jenë më të ndjeshme ndaj rrezikut sesa meshkujt, sepse në fund të fundit mbi to rëndon shtatzania dhe barra për t’u kujdesur për të vegjëlit të cilët janë të brishtë, duan ushqyer e mbrojtur ndaj rreziqeve, ndërkohë që babai i tyre është i zënë duke shpërndarë genet në partnere të tjera. Sipas këtij arsyetimi gratë, pavarësisht kulturave ku përkasin, priren më shumë se burrat të vuajnë nga çrregullime anksioze dhe depresioni (për shkak të prirjes për të përjetuar më shumë emocionalitet negativ). Ndërsa burrat nga ana tjetër kanë më shumë gjasë të përfundojnë në burg (për shkak të shkallës më të lartë të asertivitetit ose vetë-besueshmërisë që lidhet me agresivitetin dhe prirjet për të ndërmarrë risk më shumë se gratë). Dua të tërheq vemendjen këtu se në Shqipëri, në bazë të raportimeve të mediave, ndër ata meshkuj që përfundojnë në burg, ose që akuzohen për gjithëfarë kundërvajtjesh e thyerjesh të ligjit, përfshirë krimet me armë zjarri, janë edhe djemtë (jo vajzat) e deputetëve dhe politikanëve – gjë që dëfton edhe se kur një mjedis social-kulturor helmatiset nga korrupsioni e degradon nga lakmia ai shpërthen dyert e normave shoqërore dhe civilizimit që mbajnë nën kontroll biologjinë e njeriut primitiv që i përmbush nevojat, dëshirat e lakmitë si çdo kafshë tjetër në xhungël. vijo leximin…

Travaje Gjinore midis Biologjisë dhe Kondicionimit Social – Pjesa II

June 24, 2015
Clara Schumann Engraving by Em. Raerentzen & Co.

Clara Schumann Engraving by Em. Raerentzen & amp; Co. “Figaro,” 1842 Gilmore Music Library, Yale University

Klara Wieck Schumann, Gruaja në Karrierë e Shekullit të 19-të

Të jesh grua është tmerrësisht punë e zorshme, meqë kjo kryesisht do të thotë të merresh me burra. Joseph Conrad

Duke dashur të rikthehem pak më vonë te përsiatjet e nyjëtuara prej lartësisë së shekullit të 21-të, dua tani të zbres dy shekuj më poshtë për të sjellë në vemendje rastin e një gruaje me karrierë të spikatur artistike. E kam fjalën për Klara Wieck Schumann. Kjo pianiste e shquar e erës romantike të shekullit të 19-të, aftësitë interpretuese të së cilës Europa e muzikës elitare i çmoi qëkur ajo nisi karrierën koncertale në moshën 11 vjeç, ashtu si dikur vogëlushi Mozart në shekullin e 18-të, ishte epiqendra e vemendjes, përkushtimit dhe synimeve për lavdi e kamje e të jatit, pedantit Friedrich Wieck. Edhepse ky, sikurse Leopold Mozart dikur, u soll si diktator me të bijën dhe talentin e saj, personaliteti i Klarës së bukur dyzyar mes modestisë, bindjes ndaj autoritetit, detyrimit dhe nderimit për të jatin nga njera anë dhe shtysës që e grishte drejt lirisë personale dhe dëshirave të zemrës nga ana tjetër, nuk u shndërrua megjithatë në kanarinë në kafaz të pronarit. Klara Wieck është përshkruar nga bashkëkohës e historianë si grua e vetëdijshme për talentin muzikor, famën, vlerën dhe bukurinë e vet, me vetë-besim të spikatur dhe sjellje të shpenguar në shoqëri, e cila në rastin e saj duhet kuptuar si shoqëri burrash – prej moshës së njomë kur i jati e hoqi nga shkolla për ta formuar intelektualisht me anë të tutorëve privatë e deri kur emri i saj u shndërrua në wunderkind, celebrity brand e socialite në sallat e koncerteve e mbrëmjet muzikore në hollet e shoqërisë së lartë europiane.
vijo leximin…

Travaje Gjinore midis Biologjisë dhe Kondicionimit Social – Pjesa I

June 23, 2015

50% – 50% apo Mundësi të Barabarta?

GenderEquality1Të privuar nga puna kuptimplote, burrat dhe gratë humbasin arsyen e ekzistencës; dalin mendsh krejt. –  Fjodor Dostojevski

Në fillim të prillit, në prag zgjedhjesh lokale, mediat njoftuan se Kuvendi i Shqipërisë miratoi kërkesën e Aleancës së Grave Deputete për të rritur përfaqësimin femëror (shih këtu). Synimi i deputeteve pavarësisht përkatësisë politike (mirëkuptuar nga djemtë e parlamentit dhe bekuar nga shefat europianë) është përfaqësimi barabar: 50% burra, 50% gra. E kuptoj motivimin dhe e çmoj fisnikërinë e dëshirës, sidomos në kontekstin e një shoqërie me profil patriarkal si Shqipëria. Por, edhepse përpiqem të informohem për gjendjen e rolin e gruas në shoqërinë shqiptare dhe besoj se sidomos në rrafshin e dhunës në familje dhe pavarësisë ekonomike ka shumëçka për të bërë, kuotën detyruese të përfaqësimit sidomos në këtë masë e gjej të ekzagjëruar — ashtu siç e gjej njëlloj të sforcuar e jo bindëse edhe për vende më të zhvilluara se Shqipëria. Me këtë nuk dua të them se gratë vlejnë më pak se burrat, as se janë më inferiore parë nga cilido rrafsh krahasimi – përkundrazi! Dua të them se diversiteti dhe gjithëpërfshirja ka vlerë të madhe të synohet e të kërkohet, jo si përfaqësim ngjyrash, racash, besimesh, etnish e gjinish – por kryesëpari si diversitet në tregun e lirë të mendimeve, ideve, dhe propozimeve në mënyrë që asnjë mendim, ide e propozim që mund të sjellë ndryshimin e dëshiruar për gjithë shoqërinë të mos përjashtohet a humbasë pa u dëgjuar. Me fjalë të tjera në një tryezë vendim-marrëse janë propozimet për të zgjidhur problemet ato që garojnë, jo gjinia, ngjyra, raca dhe besimi. Çka është themelore e lipset të jetë e garantuar për të gjitha palët së bashku, posaçërisht për gruan në kontekstin e këtij shkrimi, është mundësia e barabartë për të konkurruar për një vend në tryezë, në bazë të cilësisë së propozimit.
vijo leximin…

Të jesh a të mos jesh Charlie?

January 25, 2015
Source: nitinuchil.wordpress.com

Source: nitinuchil.wordpress.com

Masakrat e pashembullta që ndodhën në Paris këtë muaj janë përsiatur prej një sërë pikëvështrimesh, sikurse janë ato të terrorizmit, fundamentalizmit fetar, hendeqeve klasore, dasive fetare e kulturore, diskriminimit dhe margjinalizimit të grupeve shoqërore, dështimit të strategjive dhe politikave multikulturore, çështjeve të koklavitura të imigracionit, erozionit të mirëbesimit ndaj qeverive dhe mungesës së ndër-veprimit konstruktiv midis shtresave shoqërore, etj. Të gjitha këto rrafshe bashkëpriten midis tyre. Edhe një nga pikëprerjet ose më mirë një pikënisje e tragjedisë ka të bëjë me vlera, koncepte e të drejta bazë sikurse është liria e shprehjes, një nga tiparet themelformuese të shoqërisë demokratike e pluraliste.

Fundja ishte liria e shprehjes flamuri i Charlie Hebdo-së ndërsa skiconte thagma e blasfemi, pavarërsisht gjithfarë kanosjeve e paralajmërimeve, me po atë shpërfillje ndaj rrezikut sa edhe vagabondi Lancelot te filmi Kalorësi i Parë (First Knight, 1995), kur rrekej kokëkrisurisht të kalonte trokthi përmes një vargu lavjerrësish në formë sëpatash e kosash të hatashme, që natyrisht ishin aty për t’ia bërë trupin atletik feta-feta, dhe e gjithë kjo në këmbim të kënaqësisë së një puthjeje prej Lady Guinevere. Kush e ka parë filmin do t’i kujtohet se kur një djalosh katundi i kërkoi trimoshit ta mësonte sesi të luftonte për të fituar, një nga këshillat që mori ishte: “Lypset të mos çash kryet në jeton a vdes!” Kur këqyra karikaturat provokuese pyeta veten: vallë a ish kjo edhe motoja e Charlie Hebdo-së? Po vallë në shërbim të cilit mision a ideal?
vijo leximin…

Këtu Flitet Rusisht

August 1, 2014

Prej Vladimir Nabokov

Marrë prej librit “Tregimet e Vladimir Nabokov”, Vintage International, 2006, përgatitur nga Dmitry Nabokov dhe botuar në anglisht.

Dyqani i cigareve i Martin Martiniçit ndodhet në një ndërtesë qosheje. S’është për t’u çuditur që dyqanet e cigareve sikur i heq ana drejt qosheve, sepse biznesi i Martinit atje ecën mbroth. Vitrina e dyqanit ka madhësi modeste, por është e rregulluar mirë. Pasqyrat e vogla i japin jetë. Për fundi, te lugjet ndërmjet kodrinave prej kadifeje të kaltër, rrinë si në fole një larushi kutish cigaresh me emra të sajuar në po atë dialekt ndërkombëtar që shërben edhe për të emërtuar hotelet; më lart, rrinë me shend radhët e purove në kuti peshëlehta.

Në të ritë e vet, Martini ishte pronar i kamur tokash.  Në kujtimet e mia të fëmijërisë ai është me nam për shkak të atij traktori të mrekullueshëm (kohë kur të birin, Petjan, dhe mua na përpinte njëherazi edhe Meyn Ried edhe skarlatina), aq saqë edhe pas pesëmbëdhjetë motesh mbushur dëng me gjithëfarësoj sendesh, ende më pëlqente të ndaloja te duhantorja në atë qoshk të gëzueshëm ku Martini shiste mallin.
vijo leximin…

Shkretë

November 2, 2013

Shkruar e kompozuar prej Neil Young (1969), kjo këngë titulluar në anglisht Helpless është pjesë e albumit Déjà Vu (1970) të Crosby, Stills, Nash & Young (CSNY).

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Eshtë prej këngëve të mia më të dashura të rinisë, atëhere kur zbulimi i saj përmes qëmtimit të emisioneve cilësore muzikore në stacione radioje me sinjal të dobët (të Philips-it të mirë e të vjetër të gjysh Filipit) dhe ruajtjes në magnetofonë çfarëdo të fillimviteve 80, i ngjante kërkimit të gjatë, të ngadaltë e durim-hekurt të gurit të çmuar në nëntokë. Atëhere kjo përvojë shpirt-transformuese ishte ndër më vetmitaret, oqean i pandashëm me botën sipër…  A., kujtimi yt ngulur viteve të çuditshme e të largëta, më bëhet sot, bash në Ontario (lojë e fatit?), më i afërt se kurrë. Rri me mua pak ta dëgjojmë sërish si dikur…
vijo leximin…

Alibitë tona dhe jeta e përditshme

April 26, 2012

Në kujtim të Ardian Klosit, intelektual i vyer që me punën e mendjes i dha dritë e dashuri Shqipërisë, po sjell këtu një nga shkrimet e tij të botuar te ResPublica.al: “Alibitë tona dhe jeta e përditshme”.

Pjesa më e madhe e opinioneve që botohen në shtypin tonë ka të bëjë me politikën, më ngushtë me politikanët kryesorë. Është një vërshim i vërtetë që shkon nga analiza e qetë politike te eseja pasionante, satira  e hidhur e deri vargëzimi ironik në modelet e tetërrokshit popullor. Në qoftë se 20 vjet më parë kjo pjesë e shtypit merrej më së shumti me diktaturën komuniste dhe protagonistët e saj, nëse 10 vjet më parë ndarja ishte pak a shumë të barabartë midis sasisë së opinioneve që botoheshin mbi politikanët me sasinë e shkrimeve që kishin të bënin me të kaluarën, sot peshorja ka kaluar përfundimisht në anën e politikës aktuale. Edhe vetë kam patur herë-herë shkrime që kanë të bëjnë me politikanët kryesorë, me keqbërjet apo veprat e tyre.
vijo leximin…

Gruaja Sot: Atrofi dhe Qorrsokak

April 1, 2012

“‘Profesori i gjinekologjisë: Ai e filloi kursin e leksioneve si vijon: Zotërinj, gruaja është një kafshë që urinon një herë në ditë, defekon një herë në javë, menstruon një herë në muaj, lind një herë në vit dhe kopulon sa herë t’i jepet rasti.’ Mendova se ish një fjali e drejtpeshuar për bukuri.”

– W. Somerset Maugham, Blloku i Një Shkrimtari (A Writer’s Notebook, 1949)

Shumëkush do ta ketë ndjekur serialin amerikan Sex and the City (Seksi dhe Qyteti), në qendër të të cilit është jeta dhe miqësia e katër newyorkezeve, diku në fund të 30-ave e fund të 40-ave në mbarim të shekullit të 20-të, seksualisht të çliruara, por shpesh të papërmbushura romantikisht; të pashme e të zonjat profesionalisht; të pavarura ekonomikisht, por po aq të varura e obsesive ndaj burrit si kryeobjektiv; gjithnjë duke ndërruar partnerë po aq lehtë e në mos edhe më shpesh se këpucët takëlarta, aksesorët ekstravagantë a fustanet e mbrëmjeve; dëshpërimisht në kërkim të dashurisë e vijimisht të mbetura peng kacavarur dramash sentimentale. Në njërën prej serive, Carrie Bradshow, kryeheroina dhe rrëfimtarja e serialit, pyet mendueshëm: “Vallë a jemi thjesht të pazonjat për të ndërtuar lidhje romantike, apo s’jemi tjetër veçse lavire?”
vijo leximin…

Media apo Merda?

January 9, 2012

Qysh prej mëngjesit të së dielës, 8 janar 2012, kam mbetur sa e trishtuar aq edhe e çmerituar e gojë-hapur me lajmin qe kish botuar Balkanweb dhe Panorama se publicisti A. Klosi, pas një tentative vetëvrasjeje, ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Nga kërkimi që bëj në google gjej edhe plot site të tjera, që si bisha nuk e kanë lënë llokmën e sensacionit pa ia shitur publikut bashkë me kafen e simiten e mëngjesit. Më vjen rëndë që duke shkruar sot për të, në një farë mënyre edhe vetë s’bëj veç riprodhoj e përhap të njejtin lajm ndyrësirash. Por nga ana tjetër kam shpresë se megjithatë po bëj diçka të mirë duke u shprehur për shëmti të tilla mediatike.

Balkanweb shkruan:

Pas masave paraprake të marra nga mjekët, ai është shtruar në Psikiatri, pasi gjendja nuk paraqitet ende e stabilizuar. Lajmin e konfirmojnë burime pranë Qendrës spitalore universitare, të cilët shtojnë se prej disa kohësh publicisti merrte ilaçe antidepresive. Sipas mjekëve gjendja e publicistit Ardian Klosi ende nuk është e stabilizuar, raporton Gazeta Shqiptare.

vijo leximin…

Të Vërteta të Pathëna

December 20, 2011

Nga Christopher Hitchens, Vanity Fair, Maj 2011

Çastin e madhështisë time të shndrisë, e kam parë,
Edhe Lakeun eternal pallton të ma mbajë, e të nënqeshë, e kam parë,
Edhe shkurt, kisha frikë.

– T. S. Eliot, “Kënga e dashurisë e J. Alfred Prufrock.”

Sikurse shumë lloje të përvojës në jetë, risia e diagnozës së kancerit malinj e ka edhe ajo një prirje për t’u fashitur. Nis e bëhet bajate, madje edhe vjen duke u bërë banale. Njeriu mund të mësohet fare mirë me fantazmën e Lakeut eternal, si të ish ndonjë i çartur mortsjellës që përgjueshëm fundmbrëmjes në koridor zë pusí, duke gjuajtur çastin për ta thënë një fjalë. Edhe unë jo se kam kushedi çfarë për të mos qenë dakord që të ma mbajë pallton në atë farë mënyre të spikatur, si për të më kujtuar ashtu pazëshëm së është koha për t’u qëruar. Jo, është skërmitja ajo që më vë poshtë.

Shumë më shpesh se rregullisht, sëmundja më shërben edhe me speciale cingërisëse të ditës, ose shijen e muajit. Këto mund të jenë inflamacione kuturu ose ulçera në gjuhë a në gojë. Ose, pse jo edhe pak neuropati periferale, që t’i bën këmbët të mpira e të akullta? Ekzistenca e përditshme shndërrohet kështu në diçka si prej bebeje, e matshme jo me lugë kafeje të Prufrock-ut, por me doza picërrake ushqimi, që shoqërohen me zukama zemërdhënëse vëzhguesish, ose me diskutime solemne të operacioneve të aparatit tretës, që zhvillohen me të panjohur që të përkushtohen si mëma. Në ditë më pak të mira, ndihem si ai derrkuci këmbë-drunjtë që i përket një familjeje sadistikisht sentimentale, së cilës s’i bën zemra t’ia kullufisë njëherësh më shumë se një llokmë. Veçse kanceri s’është kaq… i tapinosur.

vijo leximin…