Feeds:
Posts
Comments

Shkrimi i fundit i Adrian Beshajt, për disa përdorime të fjalëve të çerdhes së mbiemrave minimal dhe maksimal në shqipe, më solli në mend një kuriozitet – por edhe kundërti – në lidhje me shprehjet e tipit ul në minimum dhe ul në maksimum në shqipe, meqë disa kanë sjellë argumentin se njëra prej këtyre përmban një gabim logjik. Më shumë se për shprehje specifike, këtu kemi të bëjmë me një formulë, e cila pastaj materializohet në reduktoj në minimum/reduktoj në maksimum, pakësoj në minimum/pakësoj në maksimum, kufizoj në minimum/kufizoj në maksimum, thjeshtoj në minimum/thjeshtoj në maksimum, shkurtoj në minimum/shkurtoj në maksimum, etj.; lexuesi do të ketë me siguri shembuj të tjerë të ngjashëm. Tani, të marra në vetvete, në minimum dhe në maksimum janë kuptimisht të kundërta, meqë minimum shënjon diçka më të vogël të mundshme, ndërsa maksimum diçka më të madhe të mundshme; e megjithatë, ul në minimum dhe ul në maksimum janë sinonime, sikurse çiftet në shembujt e tjerë më lart. Në pamje të parë, njëri nga përdorimet duket të jetë i gabuar; por në fakt të dyja janë logjikisht të pranueshme; dhe kjo ka lidhje me profilin semantik të foljeve si ul, reduktoj, pakësoj, kufizoj, të cilat i referohen një procesi zakonisht të vijueshëm, gjatë së cilit kalohet nga një vlerë më e lartë te një vlerë më e ulët, pra duke ndjekur një trajektore zbritëse; dhe këtu ul në minimum do të thotë që ta çosh këtë trajektore deri në pikën më të ulët; nga ana tjetër, vetë ulja, si proces i ndryshimit të një madhësie, ka shpejtësinë dhe shkallën e vet, në kuptimin që është logjike edhe të flasësh për një maksimum të shpejtësisë ose të shkallës së uljes, që këtej edhe ul në maksimum, me kuptimin që “më shumë nuk e ul dot”, ose kufizoj në maksimum me kuptimin që “më shumë nuk e kufizoj dot”; duke shënjuar kjo në maksimum jo sasinë e madhësisë të ndryshuar nga ulja, por shkallën ose shpejtësinë e ndryshimit.

Gjoks

GJOKS është nga ato fjalë të shqipes që nuk e pret njeriu të jenë huazuar, dhe aq më pak nga turqishtja (göks) – meqë shënjon një pjesë të trupit, dhe emrat e pjesëve të trupit zakonisht nuk huazohen kaq lehtë. Edhe në shqipe, këta emra janë zakonisht të trashëguar ose vijnë nga latinishtja – si sy, veshë, kokë, qafë, zverk, faqe, buzë, duar, krah, këmbë, gju, bark, shpinë, shpatull, sup, etj. Edhe për GJOKS shqipja ka një KRAHAROR që duhet të jetë fjalë relativisht e vjetër, sikurse edhe PARZËM.

Continue Reading »

Qafir, qyfyr

Në shqipe, fjala qafir ka hyrë në periudhën osmane, nga një fjalë e arabishtes, كافر‎, e cila ka dhënë edhe turqishten kâfir dhe që, në traditën islame, i referohet dikujt që nuk beson në Zotin sipas Islamit, ose që refuzon autoritetin e Zotit, ose që nuk i pranon parimet e Islamit. E kanë përkthyer, në traditën perëndimore, si “i pabesë”, “pagan”, “femohues”, “renegat”; ndërsa në Kuran përdoret zakonisht me kuptimin “mosmirënjohës” ndaj Zotit. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe i vitit 1984 nuk e ka përfshirë, por Dizdari e jep me këto kuptime standard, sikurse edhe me kuptimin “anmik i atdheut”.

Continue Reading »

Shaka përkthyesish

Te “Dancing on Ropes – Translators and the Balance of History” (Profile Books, 2021), Anna Aslanyan citon nga “Is That a Fish in Your Ear”, një libër i David Bellos-it, një pasazh ku ai autor flet për dy lloj shakash: ato që kuptohen universalisht dhe ato që shfrytëzojnë funksionin metalinguistik të gjuhës. Për të ilustruar të dytat, Bellos citon një shembull nga romani i George Perec, “Life a User Manual” (titulli i origjinalit: “La Vie mode d’emploi”,) ku përmendet një kartëvizitë me këtë mbishkrim: ADOLF HITLER, FOURREUR.

Continue Reading »

Sa vyen kjo?

Dorian Kulla kish nxjerrë dje këtë status:

Përkthimi i keq vyen po aq sa poezia e mirë: të shtyn t’ia nisësh nga e para.

Dhe mua këtu më ngecën sytë te folja VYEN, folje e rrallë, sot pothuajse e zëvendësuar nga VLEJ; Kolec Topalli e quan “kryesisht të gegërishtes” dhe e cilëson si të autorëve të vjetër – unë do ta quaja arkaizëm, me gjithë reputacionin historik të pacen. Ndërkaq, mbiemri prejpjesor I/E VYER është i gjallë në shqipe dhe ka fituar me kohë një diferencim leksikor nga sinonimi I VLEFSHËM, duke u specializuar si “precious”, në krahasim me “valuable” të së dytit (krahas me “valid”). Natyrisht, këtu ka ndihmuar edhe zhdukja nga shqipja e mbiemrit I VLEJTUR, që do të ishte prejpjesori i foljes përndryshe standar VLEJ.

Continue Reading »

Erleben

Studiuesit e filozofisë do ta kenë ndeshur gjëkundi vendin që zënë termat Erfahrung dhe Erlebnis, te Walter Benjamin-i; ata që vijnë nga shqipja, ndërkohë, do të kenë reaguar me psherëtimë lehtësimi, kur kanë konstatuar se shqipja ofron dy përkthime të ndryshme për to, përvojë dhe përjetim, në një kohë që gjuhë të tjera, madje të mëdha, luftojnë me nuancat e termit eksperiencë (të cilin shqipja gjithashtu e ka: çfarë bollëku).

Pa u futur në dallimet ndonjëherë të holla mes Erfahrung dhe Erlebnis te Benjamin-i, për të cilat është harxhuar tashmë shumë bojë – dhe për dallimet e ngjashme mes foljeve përkatëse, erfahren dhe erleben, po mjaftohem të vërej këtu se Erfahrung, si përvojë, është diçka që “mësojmë” nga jeta dhe që, në trajtë “urtësie”, mund t’ua përcjellim të tjerëve, ndërsa Erlebnis është më tepër një përvojë e brendshme, e pakomunikueshme, ndoshta irracionale; që i paraprin reflektimit racional dhe njohjes.

Continue Reading »

DUA dhe DUHET

Kuptimin e detyrimit, qoftë ky nga rrethanat qoftë moral ose zakonor, shqipja e jep me foljen DUHET, folje pavetore, që nga prejardhja nuk është veçse trajta pësore-vetvetore e foljes DUA; edhe pse me kohë dy format janë shkëputur nga njëra-tjetra, deri atje sa të jetë përftuar edhe mbiemri I DUHUR, krahas me mbiemrin tjetër I DASHUR; dhe trajta si DUHEMI të duken kuptimisht më afër foljes DUA se ato pavetoret.

Por kjo marrëdhënie, ende e dukshme, mes dy koncepteve në thelb të kundërvëna, si ai i DUA dhe ai i DUHET, meriton vëmendje, sa kohë që DUA lidhet me “vullnetin”, ose atë që gjermanët e quajnë WILLE, dëshirën për të bërë diçka, ose për të bërë që diçka të ndodhë; ndërsa DUHET lidhet me një imperativ, me një detyrim, që mund të jetë religjioz, moral, ligjor ose edhe thjesht taktik.

Në shkollë na patën mësuar një thënie të Engelsit, “Liria është njohje e domosdoshmërisë”, të cilën na thoshin se ky e kish marrë nga Hegeli, por që e kish origjinën te filozofia e Fichte-s; në këtë kuptim, njohja siguron pajtimin mes vullnetit të lirë (Free will, freier Wille, libero arbitrio) dhe domosdoshmërisë, ose asaj çfarë duhet bërë. Me fjalë të tjera, nëse duam ta njohim botën, le të duam atë që duhet. Tingëllon si shaka, por nuk është.

Continue Reading »

Doktori rrotullues

Ngaqë ngacmohem gjithnjë prej kombinimit të mjekësisë me politikën, më tërhoqi vëmendjen titulli i një artikulli në TemA:

Portreti i Lukashenkos nga mjeku i tij: Ka frikë nga e panjohura dhe është i paaftë të dashurojë.

Mbase edhe ngaqë, kur mendon njeriu për Lukashenkon, nuk është se e fillon nga shqetësimi nëse ky është në gjendje apo jo të dashurojë.

Me pak durim, e gjeta edhe origjinalin në italisht:

Continue Reading »

Dërdyl

Kemi pasur një mësuese në klasë të tretë a të katërt tek Avni Rustemi – zysh Dhurata – që ndonjëherë, kur i mbaronim të gjitha mësimet dhe pyetjet dhe detyrat por kishte akoma kohë, na tregonte përralla. Përrallat e zysh Dhuratës ishin të gjata, të komplikuara, me shumë personazhe dhe aventura – dhe unë edhe sot habitem si nuk e humbte kurrë fillin.

Nuk i mbaj mend, përveç një personazhi, një kali me flatra, që ajo e quante Dërdyl. Kam qenë lexues i palodhur përrallash atëherë – mbaj mend një libër “100 përralla” dhe një tjetër përrallash ruse, me careviçë dhe carevna. Por Dërdylin nuk e kisha hasur gjëkundi – dhe ashtu edhe gjithnjë e kam lidhur në mendje me zysh Dhuratën që ma sillte në rrëfim.

Continue Reading »

Shpejtësi skëterrë

 

Shprehja shpejtësi skëterrë sidomos në kombinimin me shpejtësi skëterrë përdoret për të cilësuar shpejtësinë shumë të madhe të një automjeti – po të gjykosh nga hitet në Google (rreth 33,000), ka hyrë tashmë në repertorin klishe të kronikës së zezë (si rregull, makinat që ecin “me shpejtësi skëterrë” bëjnë edhe aksidente të frikshme). Ndonjëherë dëgjohet edhe si shpejtësi skëterre, me përcaktorin në rrjedhore.

Edhe pse tashmë i kodifikuar, togfjalëshi nuk ka kuptim: nuk ka asgjë në kuptimin e fjalës skëterrë, që të sugjerojë përdorimin si amplifikues i fjalës shpejtësi (khs. shpejtësi rrufeje – rrufeja është në fakt e shpejtë). Amplifikimi këtu sugjeron drejtpërdrejt idenë se kjo shpejtësi është “e keqe” (ngaqë mund të vrasë).

Me gjasë, shprehja ka hyrë në shqipen bisedore si titull i një filmi anglez, Hell Drivers, të vitit 1957, që pati mjaft popullaritet në Shqipëri. Ky titull është përkthyer ndryshe në gjuhë të tjera: Train d’enfer (frëngjisht), I piloti dell’inferno (italisht), Адские водители (rusisht), Ruta infernal (spanjisht), Cehennem sürücüleri (turqisht), Duell am Steuer (gjermanisht), Na Rota do Inferno (portugalisht). Në shumë nga versionet, figuron fjala për “shofer”; në disa të tjera ajo për “rrugë”; koncepti i ferrit/skëterrës nuk mungon asnjëherë. Me përjashtim të versionit gjermanisht, që tingëllon diçka si “duel në timon”.

Ç’ta ketë shtyrë përkthyesin shqip të titullit të ketë përdorur një metaforë të tillë?

Edhe pse italishtja e përdor ndonjëherë velocità d’inferno dhe velocità infernale, për shpejtësi e madhe, sikurse edhe anglishtja infernal speed, paraleli më i çuditshëm është ai me anglishten fast as hell, që frazeologji aq e zakonshme në këtë gjuhë, sa të ketë dhënë edhe ajo një titull filmi. Edhe në anglishte, ky përdorim intensifikues i as hell mund të përligjet vetëm në kontekstin e shprehjeve të ngjashme good as hell, sweet as hell, true as hell, easy as hell, happy as hell, strong as hell, mad as hell, hot as hell – ku fjala hell i ka humbur lidhjet kuptimore me “ferrin/skëterrën”, dhe ruan vetëm një valencë amplifikuese. Krahaso këtu edhe bloody hell, një pasthirrmë që nuk ka lidhje kuptimore as me gjakun as me ferrin; krahaso edhe run like hell.

Continue Reading »