Veçori

Mbi WordPress ngrihet më shumë se 42% e web-it — një shifër që rritet përditë. Gjithçka, nga sajte të thjeshtë, në blogje, në portalë të ndërlikuar dhe sajte ndërmarrjesh, madje dhe aplikikacione, janë të krijuar me WordPress.

WordPress-i ndërthur thjeshtësinë për përdoruesit dhe botuesit me ndërlikueshmërinë nën kapak për zhvilluesit. Kjo e bën të zhdërvjellët, teksa mbetet i lehtë për t’u përdorur. Sa vijon, është një listë e disa veçorive që janë pjesë standarde e WordPress-it; sidoqoftë, ka me mijëra shtojca që zgjerojnë atë çka kryen WordPress-i, ndaj ç’mund të arrihet aktualisht është thuajse e pakufi. Jeni gjithashtu i lirë të bëni ç’të doni me kodin e WordPress-it, ta zgjeroni apo ndryshoni në çfarëdo mënyre ose ta përdorni për projekte komerciale pa ndonjë çmim licence. Kjo është e bukura me software-in e lirë, “i lirë” nuk i referohet vetëm mungesës së çmimit, por edhe lirisë për të pasur kontroll të plotë mbi të.

Ja disa veçori që mendojmë se do t’i doni fort.

  • Thjeshtësi
    Simplicity ju bën të mundur të kaloni në internet dhe të filloni të botoni, pa humbur kohë. Asgjë s’duhet të pengojë krijimin dhe vënien në punë të sajtit tuaj. WordPress-i është krijuar për ta realizuar këtë.
  • Zhdërvjelltësi
    Me WordPress-in, mund të krijoni çfarëdo lloj sajti që doni: një blog ore sajt personal, një fotoblog, një sajt biznesi, një portofol personal, një sajt qeveritar, një sajt reviste apo gazete, një bashkësi internetore, madje edhe një rrjet sajtesh. Sajtin tuaj mund ta hijeshoni me tema grafike, dhe ta zgjeroni me shtojca. Mundet madje edhe të krijoni aplikacionin tuaj.
  • Botoni me Lehtësi
    Nëse keni krijuar ndonjëherë ndonjë dokument, jeni gati për krijim lënde me WordPress-in. Mund të krijoni Postime dhe Faqe, t’i formatoni lehtësisht, të futni në to media, dhe me klikimin e një butoni lënda juaj është në web.
  • Mjete Botimi
    WordPress-i jua bën të lehtë administrimin e lëndës. Krijoni skica, planifikoni publikim, dhe shihni te rishikime të postimit tuaj. Kalojeni lëndën tuaj publike ose private, dhe sigurojini postimet dhe faqet me një fjalëkalim.
  • Administrim Përdoruesish
    Jo gjithkujt i duhet e njëjta hyrje në sajtin tuaj. Përgjegjësit administrojnë sajtin, redaktorët merren me lëndën, autorët dhe kontribuesit shkruajnë atë lëndë, dhe pajtimtarët kanë një profil që mund ta administrojnë. Kjo ju lejon të keni një larmi kontribuesish te sajti juaj, dhe të tjerëve thjesht të jenë pjesë e bashkësisë tuaj.
  • Administrim Mediash
    Thonë se një foto vlen sa një mijë fjalë, dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të jeni të aftë të ngarkoni në WordPress figura dhe media shpejt dhe lehtë. Që ta shtoni te sajti juaj, merreni dhe lëreni median tuaj te ngarkuesi. Shtoni tekst alternativ, legjendë, tituj, dhe futni te lënda juaj figura dhe galeri. Madje kemi shtuar edhe pak mjete përpunimi figurash, me të cilat mund të zbaviteni.
  • Përputhje e Plotë Me Standardet
    Çdo pjesë e WordPress-it prodhon kod që është plotësisht në përputhje me standardet e vendosur nga W3C. Kjo do të thotë që sajti juaj do të funksionojë në shfletuesit e sotëm, teksa ruan përputhshmërinë për në të ardhmen me brezin tjetër të shfletuesve. Sajti juaj mbetet një gjë e bukur, tani dhe në të ardhmen.
  • Sistem i Lehtë Temash
    WordPress-i vjen i paketuar me tre tema grafike parazgjedhje, por nëse nuk bëjnë për ju, ka një listë temash me mijëra tema për ju, që të krijoni një sajt të hijshëm. Asnjë prej tyre s’ju vjen për shtat? Ngarkoni me një klikim, temën tuaj. Lypsen vetëm pak sekonda që t’i ndryshoni plotësisht pamjen sajtit tuaj.
  • Zgjerojeni me Shtojca
    WordPress-i vjen plot me veçori për çdo përdorues. Për çdo veçori që s’gjendet në bazën e WordPress-it, ka një listë shtojcash me mijëra shtojca. Shtoni galeri të ndërlikuara, media shoqërore, forume, widget-e mediash shoqërore, mbrojtje nga mesazhe të padëshiruar, kalendarë, përimtoni kontrollet për optimizim motorësh kërkimi, dhe formularë.
  • Mekanizëm i Brendshëm Komentesh
    Blogu juaj është shtëpi juaj, dhe komentet u japin shokëve dhe ndjekësve tuaj një hapësirë ndërveprimi me lëndën tuaj. Mjetet e komenteve në WordPress ju japin gjithçka duhet për të pasur një forum për diskutim dhe për ta moderuar atë diskutim.
  • Optimizuar Për Motorë Kërkimesh
    WordPress-i është i optimizuar për motorët e kërkimeve fill e me instalimin. Për kontroll më të imët SEO, ka mjaft shtojca SEO që ta bëjnë këtë për ju.
  • Përdoreni WordPress-in në Gjuhën Tuaj
    WordPress-i është i gatshëm në më shumë se 70 gjuhë. Nëse ju ose personi për të cilin po krijoni sajtin do të parapëlqente ta përdorte WordPress-in në tjetër gjuhë nga anglishtja, kjo bëhet kollaj.
  • Instalim dhe Përmirësime të Lehta
    WordPress-i ka qenë përherë i lehtë për t’u instaluar dhe përmirësuar. Mjaft strehë web ofrojnë instalues me një klikim të WordPress-it që ju lejojnë ta instaloni WordPress-in me, hëm, vetëm një klikim! nëse jeni i lumtur të përdorni një programi FTP, mund të krijoni një bazë të dhënash, ta ngarkoni WordPress-in duke përdorur FTP-në, dhe të xhironi instaluesin.
  • Importues
    Përdorni një software blog-u ose sajti me të cilin s’jeni të kënaqur? E xhironi blogun tuaj në një shërbim strehë që është duke u mbyllur? WordPress-i vjen me importues për Blogger, LiveJournal, Movable Type, TypePad, Tumblr, dhe WordPress. Nëse jeni gati të bëni kalimin, e kemi lehtësuar këtë për ju.
  • Të dhënat Tuaja
    Shërbimet e strehuara diku vijnë dhe ikin. Nëse keni përdorur ndonjëherë një shërbim që avulloi, e dini se sa lënduese mund të jetë kjo. Nëse keni parë reklama të shfaqen të sajtin tuaj, gjasat janë që të jeni bezdisur jo pak. Përdorimi i WordPress-it do të thotë që askush s’ka hyrje te lënda juaj. Jini zot i të dhënave tuaja, të krejt atyre — të sajtit tuaj, të lëndës tuaj, të të dhënave tuaja.
  • Liri
    WordPress-i licencohet sipas GPL-së, e cila qe krijuar për të mbrojtur liritë tuaja. Jeni të lirë ta përdorni WordPress-in në çfarëdo mënyre që zgjidhni: ta instaloni, përdorni, ndryshoni, rishpërndani. Liria e software-it është themeli mbi të cilin është ngritur WordPress-i.
  • Bashkësi
    Si CMS-ja me burim të hapur më popullore në web, WordPress-i ka një bashkësi plot gjallëri dhe përkrahëse. Bëni një pyetje në forumet e asistencës dhe ndihmohuni nga një vullnetar, merrni pjesë në një WordCamp ose Meetup që mësoni më tepër rreth WordPress-it, lexoni postime blogu dhe përkujdesore mbi WordPress-in. Bashkësia është në zemër të WordPress-it, duke e bërë atë çka është sot.
  • Jepni ndihmesë
    Edhe ju mund të jeni i WordPress-it! Ndihmoni të ndërtohet WordPress-i, përgjigjuni pyetjeve në forumet e asistencës, shkruani dokumentim, përkthejeni WordPress-in në gjuhën tuaj, flisni në një WordCamp, shkruani rreth WordPress-it në blogun tuaj. Cilatdo qofshin aftësitë tuaja, do të na pëlqente shumë t’ju dëgjonim!

Veçori për Zhvillues

Për zhvilluesit kemi nën lëkurë plot gjëra të mira të cilat mund t’i përdorni për ta zgjeruar WordPress-in sipas cilitdo drejtim që doni.

  • Sistem Shtojcash
    API-t e WordPress-it ju bëjnë të mundur të krijoni shtojca për të zgjeruar WordPress-in. Zgjerueshmëria e WordPress-it bazohet në mijëra hook-e në dispozicionin tuaj. Pasi ta keni krijuar shtojcën tuaj, kemi për ju edhe një depo shtojcash ku mund ta strehoni.
  • Sistem Temash
    Krijoni tema WordPress për klientë, përdorues të tjerë të WordPress-it, ose për veten. WordPress furnizon mundësinë për të krijuar tema aq të thjeshta apo të ndërlikuara sa doni. Nëse doni ta jepni falas, mund t’ua jepni përdoruesve që nga depoja e temave.
  • Platformë Aplikacionesh
    Nëse doni të krijoni një aplikacion, WordPress-i mund t’ju ndihmojë edhe në këtë. Nën kapak, WordPress-i furnizon plot veçori që do t’i duhen aplikacionit tuaj: përkthime, administrim përdoruesish, kërkesa HTTP, baza të dhënash, drejtim URL-sh dhe mjaft e mjaft të tjera. Për të ndërvepruar me të mund të përdoreni edhe API-n tonë REST.
  • Lloje Vetjakë Lënde
    WordPress-i vjen me lloje parazgjedhje lënde, por për më tepër zhdërvjelltësi, mund të shtoni pak rreshta kod që të krijoni llojet tuaj vetjakë të lëndës, klasifikime, dhe tejtëdhëna. Shpjereni WordPress-in në çfarëdo drejtimi që dëshironi.