Normat bankare në Kosovë

Është theksuar shpesh nga gazetarë dhe kritikë të politikave ekonomike në Kosovë fakti i normave jashtëzakonisht të larta të kredive në Kosovë, ndër më të lartat (në mos më e larta) në Evropë. Kjo analizë e shpejtë e të dhënave mbi normat mesatare të interesit për kursimet dhe kreditë në bankat që operojnë në Kosovë vërteton faktin e shpërputhjes së thellë dhe dallimit jashtëzakonisht të madh midis normave të kursimit dhe atyre të kredive.

Për laikët duhet përkujtuar me konceptin themelor të veprimit të një banke. Banka grumbullon depozita, të cilat i ofron me normë të caktuar të interesit për depozituesit. Të njëjtat depozita (apo më saktësisht, atë pjesë që rregullatori bankar nuk e obligon bankën ta mbajë në rezervë), banka ia jep me kredi huamarrësve. Dallimi midis normës së interesit për kursimet dhe asaj për kreditë quhet ‘net interest spread‘ apo shkurt vetëm ‘spread’. ‘Spread’ përbën profitin kryesor të një banke. Ti m’i jep mua 100 USD, që unë t’i kthej ty me 2% kamatë për një muaj, dmth do t’i kthej 102 USD. Mirëpo, këta 100 USD unë do t’ia jap Filanit për 10% kamatë. Filani m’i kthen mua 110 USD, unë t’i kthej ty 102 USD, 8 USD i fus në xhep. Kjo është logjika bankare, e shprehur në mënyrë brutalisht banale (në këtë shembull, unë nuk jam i obliguar të mbajë rezervë, siç kanë bankat normale). Megjithëse bankat mund të kenë burime tjera të profitit, siç janë investimet e ndryshme dhe të hyrat nga shërbimet, aktiviteti kredidhënës mbetët themelor për profitabilitetin e një banke. Sipas kësaj, për ta rritur profitabilitetin e bankës, interesi i bankës është që ‘spread’ të jetë sa më i madh.

Rrjedhimisht, vlera e ‘spread’ duhet të jetë pozitive, në kuptimin që një bankë duhet të japë kredi me norma më të larta se sa ofron për kursime. Kjo është e vetëkuptueshme. Ajo që është shokuese për bankat në Kosovë është se sa e lartë është vlera e ‘spread’ në krahasim me normën evropiane dhe të vendeve të rajonit. Grafikonet më poshtë i ilustrojnë këto të dhëna.

Grafikoni më lartë tregon ‘spreads’ midis normës mesatare të interesit për kursimet dhe asaj për kreditë në Kosovë. Vija e kaltër shpreh normën e interesit për kursimet (aktualisht 3,4%) dhe asaj për kreditë biznesore, shprehur me vijën e gjelbër (aktualisht 12,7%). Mesatarisht, nga viti 2007, ‘spread’ (dallimi mesatar midis normës së kursimeve dhe asaj së kredive, e shprehur në vijën e verdhë) është 10,8%. Kjo është normë jashtëzakonisht e lartë dhe kjo përkthehet në profit të drejtpërdrejtë për bankat.

Që të ilustrohet ky dallim, më poshtë është grafikoni i cili paraqet të njëjtat të dhëna për Kroacinë. Në Kroaci, normat bankare janë më të ulta (si ato të kursimit, ashtu dhe ato të kredive), por që është me rëndësi këtu edhe dallimi midis dy normave është shumë më i vogël. Për periudhën në fjalë, vlera mesatare e ‘spread’ është 2,1%, ose mesatarisht 8,7% më e ulët se në Kosovë. Për më tepër që në Kroaci, norma e interesit për kreditë pak a shumë ndjek ato të kursimeve, që është normale. Në Kosovë, luhatjet e normës për kredi ndodhin pavarësisht normës për kursimet. Madje, në disa raste vështrohen lëvizje të mëdha të normave të interesit për kreditë, si p.sh. gjatë vitit 2010, ndërsa ato për kursimet janë pak a shumë statike. Kjo dëshmon se përcaktues për normat e interesit për kreditë nuk janë kursimet (siç do të pritej nga logjika e operimit bankar), por ndonjë faktor tjetër që për ne mbetët mister.

Që të ilustrohet logjika përcaktuese e shkallës së interesit bankar më saktësisht, më poshtë janë disa të dhëna nga Austria. Austria është marrë si shembull pasi që paraqet një mjedis financiar dhe rregullator stabil dhe kompleks (si anëtare e BE-së dhe eurozonës) dhe në një ekonomi të zhvilluar, por edhe pasi që bankat austriake janë ndër pronarët më të mëdhej të bankave në Kosovë dhe Ballkan.

Në mungesë të të dhënave për normën e kredive për bizneset, këtu kam shfrytëzuar një indikator tjetër, atë të normës së EURIBOR-it që është norma e interesit për huatë përbrenda sistemit bankar evropian  (dmth për kreditë që bankat ia japin njëra-tjetrës). Kjo normë mund të jetë më e ulët se kreditë për bizneset (apo edhe për konsumatorët), pasi që bankat zakonisht favorizojnë njëra-tjetrën, por ajo që shihet qartë këtu është që normat e interesit për kursimet dhe ato për kreditë janë jashtëzakonisht të sinkronizuara. Dhe për më tepër, niveli mesatar i ‘spread’ është negativ (-0,3%). Kjo domethënë se kreditë që këto banka i japin, i japin me humbje, apo, me fjalë të tjera, që subvencionohen nga të hyrat tjera të bankave (nga investimet, kreditë e tjera etj.). Sido që të jetë, ‘spread’ me afër 11% siç është në Kosovë është vlerë jashtëzakonisht e madhe.

Një fakt tjetër ilustrativ është dallimi midis normave për kreditë biznesore në Kosovë, me normat ndërbankare të EURIBOR-it. Dallimi është jo vetëm për dhjetëra pikë, por nëse merret një shtet tjetër tranzicional, Estonia, shihet se edhe aty normat ndërbankare pak a shumë ndjekin ato të EURIBOR-it (me përjashtim të viteve të krizës financiare 2008-09). Kuptohet që Estonia nuk është rast krejt i krahasueshëm me Kosovën, për shkak të shumë faktorëve. Estonia është anëtare e BE-së, si dhe ekonomi me shkallë të lartë të investimeve të jashtme. Por, kjo vetëm ilustron përjashtimin që përbën Kosova përsa i përket operimit “normal” (në kuptimin statistikor të fjalës) të sistemit bankar dhe të shkëputjes së saj nga mjedisi makroekonomik.

Pse ndodh kjo? Me vite të tëra, bankat në Kosovë arsyetohen me faktin se mjedisi biznesor në Kosovë ka risk të lartë. Kjo mund të jetë e vërtetë, por nga kjo rrjedhin dy pyetje: pasi që normat bankare për kreditë kanë ndryshuar pak që nga viti 2004, a domethënë kjo se mjedisi financiar, ekonomik dhe institucional në Kosovë nuk ka ndryshuar fare që nga atëherë? Që nga viti 2004, Kosova ka pësuar shumë ndryshime institucionale – largimi i UNMIK-ut, shpallja e pavarësisë dhe ardhja e EULEX-it. Me sa duket asnjë nga këto nuk i kanë bërë përshtypje bankave në Kosovë, që punojnë me logjikë të njëjtë që nga vitet e para të pasluftës.

E dyta, shkalla e kredive të këqija në Kosovë është e vogël. Nëse këtë e marrim si një matës objektiv të riskut (pasi që vetë “risku” si koncept është shumë labil), çka atëherë e arsyeton këtë lloj politike bankare? Thuhet se një nga problemet tjera është kohëzgjatja e lëndëve në gjykata. Por shkalla e ulët të kredive të këqija tregon se janë vetë bankat që po ndjekin një politikë jashtëzakonisht konservatore të kredidhënies, por që ndërkohë është gjithashtu jashtëzakonisht profitabile për ta. Pse është kështu?

Ka disa shpjegime. E para, Qeveria aktuale e Kosovës nuk ka fare koncept monetar dhe financiar që lidhet me nevojat e zhvillimit ekonomik në Kosovë. Vetë koncepti i zhvillimit ekonomik që ka Qeveria aktuale është joserioz (shprehur butësisht). Aspekti i tij financiar dhe monetar, që është themelor për një vend në zhvillim (dhe që po dëshmohet kyç për shtetet në zhvillim), nuk është askund. Rezultat i kësaj është neglizhimi total i sistemit financiar dhe i politikës bankare nga ana e Qeverisë, përderisa ai nuk i hyn në punë nevojave të veta buxhetore (si p.sh., tani Ministria e Financave ka filluar shitjen e bonove që blihen kryesisht nga bankat vendore).

E dyta, lidhet me ambientin e dobët rregullativ. Banka Qëndrore e Kosovës ka bërë përpjekje gjysmake për uljen e normave të interesit, por autoriteti i saj mbi bankat është jashtëzakonisht i vogël, nga fakti që Kosova nuk ka politikë monetare që lidhet gjithashtu me mungesën e monedhës sovrane.

Një shpjegim tjetër, që është mjaft kredibil, është se bankat aktuale në Kosovë kanë ndërtuar një oligopolBankat kryesore dhe më të mëdha në Kosovë nuk përballen me konkurrencë serioze. Kolektivisht, atyre u intereson mirëmbajtja e kësaj gjendjeje nga e cila ata nxjerrin përfitime të mëdha nga një ekonomi e varfër.

Por një gjë është e qartë. Bankat në Kosovë, dhe sistemi financiar në përgjithësi, nuk po vepron në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. Bankat në Kosovë, ndërkohë që shumica syresh janë në pronësi të huaj, po nxjerrin përfitime të mëdha nga Kosova, ndërsa po i ngulfasin bizneset dhe rrisin barrën financiare për qytetarët e Kosovës me norma të tejfryra të interesit. Përderisa ky problem mbetët i paadresuar çfarëdo shprese për zhvillim ekonomik në Kosovë është iluziv.

Pasojat e përjashtimit të Greqisë nga eurozona

Të hënën që shkoi, gjatë një vizite në një shkollë të mesme në Berlin, kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se “Greqia do të jetë gjithmonë anëtare e BE-së”. Pyetja në fakt ishte nëse Greqia do të vazhdojë të mbetët pjesë e unionit monetar evropian, me euron si monedhë të përbashkët. Përgjigja e znj. Merkel lë të nënkuptuar se çfarë mendon ajo për perspektivën e Greqisë si anëtare të eurozonës.

Po atë ditë, në takimin e ministrave të financave të vendeve të BE-së, diskutimet u përqëndruan më shumë në kufizimin e dëmit që do të bëjë dalja e Greqisë nga eurozona, se sa përpjekjet për mbajtjen e këtij vendi brenda unionit monetar.

Zhvillimet politike në Evropë kanë krijuar një moment kthese në kontinent. Mirëpo Evropa është ende para udhëkryqit, dhe zhvillimet e ditëve dhe javëve që vijnë do të jenë përcaktues për fatin e unionit monetar, por edhe BE-së në përgjithësi.

Më 6 maj, në Francë ndodhi fitorja e pritshme e socialistit Francois Hollande në garën presidenciale, duke privuar nga mandati i dytë (për herë të dytë në historinë e Republikës së Pestë të Francës) Nicholas Sarkozy-in nga radhët e konservatorëve. Në Greqi, ndërkaq, uragani politik i zgjedhjeve të 6 majit i dha fund dominancës disa dekadëshe të dy partive të mëdha, Demokracia e Re dhe PASOK, duke sjellur në radhë të dytë me numër votash grupin e majtë Syriza.

I ashtuquajtur pakt fiskal i Evropës, si dhe marrëveshja e veçantë për borxhin grek e arritur në fillim të këtij viti në mes të fuqive të qendrës dhe qeverisë Papademos në Athinë, po sfidohet si në qendër nga fitorja e Hollande në Francë, ashtu dhe në periferi nga fuqia elektorale e Syriza-s dhe grupeve të tjera që janë kundër masave të thella shkurtuese që i imponohen shtetit grek në kthim për infuzionin e vazhduar të parave nga Banka Qëndrore Evropiane (BQE), Mjeti Evropian për Stabilitet Financiar (EFSF) dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Problemi është se pa këtë infuzion parash Greqia do të kolapsojë financiarisht. Sipas një memorandumi të qeverisë greke, pa të hyrat nga BE-ja dhe FMN-ja, deri në korrik thesari grek do të jetë bosh.

Këtu qëndron i tërë problemi. Merkel, ashtu si ministri i saj i financave Wolfgang Schaeuble dhe shefi i Bundesbankës Jens Weidmann, vazhdojnë të ngulin këmbë se respektimi i marrëveshjes, që i kërkon Greqisë të shkurtojë buxhetin e saj për 325 miliardë euro gjatë tri viteve të ardhshme, është absolutisht i nevojshëm që Greqia të vazhdojë të marrë infuzionin e parave nga fondet evropiane, të financuar kryesisht nga Gjermania dhe shtetet tjera të qendrës.

Nga ana tjetër, implementimi i programit të shkurtimeve po tregohet shkatërrimtar për Greqinë. Që nga viti 2010, kur filloi implementimi i shkurtimeve, ekonomia greke është në tkurrje të thellë, të krahasueshëm vetëm me depresionin kapitalist euro-amerikan të viteve 1930. Deri në vitin 2015, vlera e ekonomisë greke llogaritet të zvogëlohet deri në një të pestën e vlerës së saj më 2008. Përveç shkurtimeve drastike, Greqisë, ashtu si shteteve të tjera të periferisë si Spanja, Portugalia dhe Italia, po i kërkohen të ashtuquajtura “reforma strukturore”, që në thelb kanë të bëjnë me shkurtimin e të drejtave të punëtorëve (p.sh., zvogëlimin e pagave dhe lehtësimin e përjashtimeve nga puna), nën konceptin neoliberal të nxitjes së “konkurrueshmërisë”. Përveç kësaj, siç argumentojnë edhe komentatorët liberalë siç është p.sh. revista The Economist, shkurtimet buxhetore në periudhë krize ekonomike janë vetëvrasëse – sa më e tkurrur ekonomia, aq më i lartë niveli i borxheve. Shkurtimet përkeqësojnë mundësitë e shtetit grek për t’i servisuar borxhet e veta. Madje, edhe masat aktuale të shkurtimeve parashihen se deri më 2015 do ta zvogëlojnë barrën e borxhit grek nga rreth 160% në “vetëm” 120% të Bruto Prodhimit të Vendit.

Qorrsokaku politik në të cilin gjendet Evropa sot është rezultat i jogatishmërisë, sidomos në Gjermani dhe shtetet tjera të qendrës, për reforma më të thella dhe më serioze në Evropë. Zgjidhja për Greqinë dhe për vendet tjera të periferisë nuk janë imponimet e masave drastike shkurtuese, që do t’i çojnë këto shtete në një katastrofë ekonomike dhe shoqërore, barra e së cilës do të paguhet në radhë të parë nga gjenerata e re (papunësia ndër të rinjët nën moshën 25 vjeçare është deri në 50% në shtetet si Spanja dhe Greqia). Ndër zgjidhjet është edhe lansimi i eurobond-eve, apo bono të përbashkëta të unionit monetar të lëshuara nga BQE-ja, që është një nga propozimet e presidentit të porsazgjedhur francez Hollande. Merkel, ndërkaq, ka bërë të qartë kundërshtimin e saj ndaj një mase të tillë, për faktin e qartë se Gjermania do të duhej të mbarrte barrën më të madhe të një mase të tillë, duke marrë përsipër detyrimet e borxheve greke.

Alternativa tjetër, më e rrezikshme por siç po duket gjithnjë e më e mundshme, është përjashtimi i Greqisë nga eurozona. Znj. Merkel dhe ministrat evropianë të financave tashmë kanë thyer tabunë e këtij skenari, që deri para disa muajve përflitej vetëm në margjina (këtë javë, revista Der Spiegel në ballinën e saj deklaroi që ka ardhur koha për largimin e Greqisë nga eurozona). Mirëpo, kostoja e përjashtimit të Greqisë do të jetë katastrofike, në radhë të parë për Greqinë, por pastaj edhe për pjesën tjetër të shteteve në rrezik si Spanja dhe Italia.

Një analizë të thellë të pasojave ekonomike të përjashtimit të Greqisë nga eurozona e ka bërë Willem Buiter nga banka amerikane Citi. Sipas tij, përjashtimi i Greqisë nuk kërkon asgjë më shumë se sa ndërprerjen e ndihmave evropiane, që do ta linte Greqinë në krizë likuiditeti, pa mundësi për të bërë pagesat e pensioneve dhe shpenzimeve të tjera (pasi që formalisht, sipas traktateve në fuqi, Greqia nuk mund të përjashtohet). Kjo esencialisht do ta detyronte Greqinë që të nxirrte monedhë të vetën, zhvleftësimi drastik i së cilës kundrejt euros (sipas Buiter, deri në 40%, e ndoshta edhe më shumë) do të shkaktonte një zinxhir falimentimesh në tërë ekonominë greke nga firmat që kanë kontrata me detyrime në euro. Përveç kësaj, zhvleftësimi i monedhës së re do të krijonte rrezikun e kolapseve bankare, nga vajtja masive e depozitorëve për t’i tërhequr depozitat e tyre. Hiperinflacioni mund të pasojë gjithashtu. Thellimi i depresionit ekonomik të Greqisë është i pashmangshëm.

Rreziku më i madh i përjashtimit të Greqisë nga eurozona është rritja e gjasave që paniku të kaplojë investitorët edhe në shtetet e tjera në rrezik. Kjo domethënë se kostot e borxheve do të rriteshin në shkallë të papërballueshme edhe për vendet si Spanja dhe Italia. Gjermania do të përballej me influks masiv të eurove nga investitorët që do të synojnë sigurinë e këtij vendi, por me rrezikun e mbivlerësimit të euros (dhe rrezikun e inflacionit edhe më të madh në një vend që përdorë euron si Kosova), që do të dëmtojë eksportet gjermane dhe rrezikojë recesionin në atë vend. Nga ana tjetër, duket se marrëveshja e fillimvitit ka bërë mjaft që të mbrojë bankat gjermane dhe ato të tjera nga rreziku i kolapsit grek. Kjo për faktin se kreditë private ndaj Greqisë tashmë janë vetëm 36 miliardë euro, pasi që pjesën tjetër të totalit të 511 miliardë eurove i ka marrë përsipër BQE-ja, FMN-ja, ESFS-ja dhe entitetet tjera publike të BE-së.

Një faktor tjetër është se përjashtimi i Greqisë nga eurozona do të ketë efekt jashtëzakonisht negativ në të gjitha ekonomitë ballkanike, për shkak të peshës ekonomike që ky vend ka në gadishull. Shqipëria do të goditet jashtëzakonisht keq, jo vetëm nga fakti i remitancave që do të jenë në rënie e sipër (edhe nga fakti se monedha e re greke do të jetë e zhvlerësuar kundrejt euros dhe rrjedhimisht edhe ndaj lekut), por edhe nga fakti se kaosi bankar mund të kaplojë edhe katër nga bankat e mëdha greke që operojnë në Shqipëri, duke destabilizuar edhe më tej financat e brishta të shtetit shqiptar, i cili mund të gjendet para një situate emergjente financiare me mundësi shumë të vogla intervenimi.

Përveç dëmeve të pallogaritshme ekonomike, përjashtimi i Greqisë nga eurozona do t’i bëjë dëm afatgjatë euros, por edhe projektit evropian. Kataklizma e përjashtimit grek (pasi që edhe Syriza, si shumica e grekëve, janë kundër daljes së Greqisë nga eurozona) do të jetë e barabartë me një epizod lufte; do të duhen gjenerata të tëra që grekët të kthejnë besimin tek Brukseli dhe Berlini si partnerë të besueshëm. Euroskepticizmi do të kaplojë edhe vendet tjera, sidomos ato në periferinë e gjerë (si ato të Evropës lindore dhe të Ballkanit), që mund të konstatojnë se BE-ja nuk përbën partneritetin dhe prosperitetin e sigurt që simbolizonte dikur. Tregjet financiare, ndërkaq, mund të humbasin besimin në euron, duke vënë në sprovë statusin e saj si valutë rezervë botërore, dhe duke e reduktuar euron në pak a shumë një monedhë regjionale me bazë gjermane.

Pasojat e daljes greke nga eurozona do të jenë katastrofike për të gjithë. Në dy palë zgjedhje regjionale, në Schleswig-Holstein dhe Nordrhein-Westfalen, CDU-ja e Znj. Merkel humbi, me mundësinë që CDU-ja të ballafaqohet me humbje edhe në zgjedhjet nacionale më 2013, kundrejt forcave si SPD-ja, që është kundër vijës aktuale. Mirëpo nëse znj. Merkel nuk lëshon pe, edhe ndryshimi i kreut në Berlin do të jetë tepër vonë për Greqinë, dhe tepër vonë për Evropën.

Botuar te “Gazeta Shqip” (Tiranë), 17 maj 2012.

A po afrohet momenti i kthesës për Evropën?

Kriza e eurozonës e ka shndërruar Evropën në një kazan me shumë vrima. Sa kujton që mbylle njëren vrimë, sheh se uji rrjedh nga tjetra. Në një pozitë të ngjashme janë liderët evropianë në raport me krizën e eurozonës. Me pakon e fillimvitit u llogarit se problemi i borxhit grek u vu nën kontroll, mirëpo gjendja e fundit e borxheve në Spanjë sërish po ngrit brenga se faza e pauzës së shkurtër nga preokupimi me krizën tashmë përfundoi.

Nga ana tjetër, politika e shkurtimeve të ashpra buxhetore (‘austerity’ në anglisht), e promovuar sidomos nga Bundesbanka dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, si rruga e vetme për daljen nga kriza, është nën thumbin e kritikave gjithnjë e më të ashpra. Është tashmë evidente nga indikatorët ekonomikë se kjo qasje, e imponuar si formulë universale për daljen nga kriza, po e rëndon perspektivën ekonomike të kontinentit.

Sipas parashikimeve të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), rritja ekonomike në eurozonë për vitin 2012, do të jetë në normën negative prej -0,3%. Kjo në kohën kur nevoja më e madhe e kontinentit për të dalë nga kriza është rritja ekonomike. Politikat e shkurtimeve të ashpra buxhetore, si në Greqi, Portugali e Spanjë, ndër vendet tjera, po shihen si një nga shkaktarët kryesorë të recesionit në eurozonë – për të mos përmendur papunësinë, paperspektivën për të rinjtë dhe krizën e përgjithshme sociale që ato kanë shkaktuar në këto vende.

Edhe Britania është në recesion. Ndonëse Britania nuk është anëtare e Unionit Monetar Evropian, për recesionin britanik po fajësohen njësoj politikat shkurtuese buxhetore të kampionit tjetër të ‘austerity’ në Evropë, kryeministri britanik nga radhet e konservatorëve, David Cameron.

Qasja e deritanishme për ballafaqim me problemin e krizës së eurozonës (që përfshin, në radhë të parë, krizën e borxheve të larta publike të shteteve të periferisë, rrezikun që eskalimi i krizës së borxheve paraqet për të adhmen e unionit monetar dhe të monedhës euro, dhe tani edhe problemin e recesionit ekonomik) është karakterizuar nga masat e pjesshme për adresimin e problemit të borxheve.

Nga këto lindën EFSF (Mjeti Evropian për Stabilitet Financiar – fondi për shpëtimin e shteteve në krizë) që derdhi qindra miliarda euro në Irlandë, Portugali dhe sidomos Greqi, propozimi për të ashtuquajturin “pakt fiskal” për eurozonën, që parasheh dënime për shtetet që në të ardhmen tejkalojnë kufizimet e unionit monetar për deficitet buxhetore dhe shkallën e borxhit publik, dhe së fundi pakoja e veçantë e negociuar në fillim të këtij viti për Greqinë, që kërkon nga ky vend implementimin e një plani afatgjatë shkurtimesh buxhetore dhe reformash tjera strukturore në shkëmbim të mbështetjes financiare evropiane.

Megjithatë, përderisa kjo qasje ndihmoi në qetësimin momental të krizës, qëndrueshmëria e kësaj qasjeje po vihet në sprovë.

Janë dy faktorë kryesorë që po e sfidojnë qëndrueshmërinë e qasjes aktuale:

I pari është fakti se kriza e borxheve shumë shpejt mund të dalë nga kontrolli në njërën nga ekonomitë me të mëdha evropiane. Këtij rreziku i kanosen në radhë të parë Italia dhe Spanja, si dy ekonomi me peshë të madhe në eurozonë.

Javën që shkoi Spanja u zu befas me rritjen e normës së interesit për bonot e saj nga 5,1% sa kanë qenë në fillim të këtij viti, në 6%. Sado që kjo nuk është ende afër pikës kulminante të nëntorit të vitit të kaluar, kur normat arriten në afër 7%, ky ndryshim mjaftoi për të nxitur alarm te politikbërësit evropianë se masat reduktuese të kryeministrit Mariano Rajoy, nuk po japin efektin e duhur, nën supozimin se vënia nën kontroll të financave publike do ta kthejë besimin e tregjeve financiare.

Italia paraqet rrezikun e dytë të madh për eurozonën, dhe trendi i rritjes së normave italiane gjatë dy muajve të fundit është po ashtu shqetësues. Ndërkohë që Spanja dhe Italia do të jenë të dyja në recesion sivjet, çështja është vetëm se drastik do të jetë recesioni. Pa bërë fjalë për revoltën sociale që ka kapluar këto dy vende, dhe që në çdo moment mund të rrezikojë stabilitetin e ketyrë qeverive, sidomos në një vend si Spanja, ku papunësia e të rinjve ka arritur në shkallën 50%.

Faktori i dytë është perspektiva e fitores së kandidatit socialist Francois Hollande në garën presidenciale në Francë, dhe humbja e presidentit aktual, Nicholas Sarkozy. Hollande është deklaruar kundër politikave shkurtuese të ndjekura deri tani, duke bërë thirrje për politika që shkojnë në favor të rritjes ekonomike.

Përkrahja për politikat shkurtuese duket se është zbehur edhe në Holandë, pasi që të hënën që shkoi erdhi deri te prishja e koalicionit qeverisës të kryeministrit Mark Rutte, si pasojë e kundërthënieve për masat e reja të shkurtimeve buxhetore. Holanda është një nga shtetet e pakta të eurozonës me financa të “shëndosha” dhe që ka qenë në ballë të thirrjeve për masa të ashpra kursyese në shtetet si Greqia dhe Spanja.

Faktori më i rëndësishëm që jep shenja për një kthesë të mundshme është megjithatë fitorja shumë e mundshme e Hollande në Francë. Me këtë, do të zhbëhet aleanca Sarkozy-Merkel që ka qenë boshti themelor politik i qasjes së gjertanishme, duke sjellë një konfiguracion të ri politik në kontinent, dhe ide të reja për ballafaqimin me krizën.

Ka qenë e qartë që nga fillimi i krizës së eurozonës se masat e pjesshme, çfarë nxiteshin nga Bundesbanka dhe boshti Sarkozy-Merkel nuk do të jenë të qëndrueshme, pasi që eurozona ka nevojë për reforma më të thella institucionale, dhe jo vetëm politika shkurtuese që, në thelb, po tregohen si shkatërrimtare për Evropën. Është indikative se këto ditë, kreu i Bankës Qëndrore Evropiane (BQE), Mario Draghi bëri thirrje për një “pakt të rritjes” për Evropën, ndërkohë që në mbështetje të këtij pakti u paraqit edhe Merkel.

Gjatë majit, CDU-ja e Merkelit do të ballafaqohet me zgjedhje në nivel të landeve në Gjermani, rezultati i së cilave mund të jetë përcaktues për fanatizmin me të cilin Merkel do ta mbrojë vijën e shkurtimeve si zgjidhje.

Është vështirë të thuhet se çfarë do të jetë përgjigja e re ndaj krizës së eurozonës, mirëpo momenti i kthesës po afron shpejt.

Botuar te “Zëri” (Prishtinë), 28 prill 2012 dhe “Gazeta Shqip” (Tiranë), 29 prill 2012.

Bedri Hamza apo Deutsche Bank? (Pjesa 2)

një shkrim timin nga janari i këtij viti kisha sugjeruar se për ta parashikuar gjendjen ekonomike dhe financiare të Kosovës, është më mirë të shikohet gjendja financiare e Deutsche Bank, bankës më të madhe në Gjermani dhe një nga bankat më të mëdha evropiane, se sa kursimet e aty-këtushme të ministrit të Financave të Kosovës Bedri Hamza.

Tashti, mora ta shikoj këtë raport në mënyrë pak më formale. Në grafikonin e më poshtëm paraqitet një krahasim midis vlerës së aksioneve të Deutsche Bank në bursën e New York-ut (NYSE) dhe të hyrave në Kosovë në formën e remitancave nga Gjermania (sipas të dhënave të botuara nga Banka Qëndrore e Kosovës). Gjermania përbën burimin më të madh të remitancave në Kosovë, me rreth 35-50% të vlerës së përgjithshme të tyre. Duhet ta pranoj se sipas kësaj analize formale kisha pasë vetëm pjesërisht të drejtë. Siç tregon grafikoni, vlera e aksioneve të Deutsche Bank dhe nivelit të remitancave është mjaft ngusht i koordinuar gjatë vitit 2009, viti i rimëkëmbjes nga kriza e madhe financiare e vitit 2008. Në periudhën më të fundit, pra në vitin 2011, vihet re një shkëputje kur vlera e aksioneve të Deutsche Bank është në rënie, ndërkohë që remitancat nga Gjermania shkojnë duke u rritur.

Duhet të sqaroj se ky është vetëm një eksperiment dhe me këtë nuk po sugjeroj një marrëdhënie shkak-pasojë, në kuptimin që vlera e aksioneve të Deutsche Bank duhet të merret si tregues i saktë i nivelit të remitancave në Kosovë, pasi që kjo nuk rezulton as në të dhënat e paraqitura këtu dhe as (të paktën, unë besoj) nuk do të ishte lehtë e shpjegueshme teorikisht, për shkak të faktorëve të shumtë ndërmjetës. Me këtë vetëm dua ta ilustroj një formë se si fati ekonomik i Kosovës është ngusht i lidhur me atë të Evropës dhe Gjermanisë në veçanti (dhe më tej me ekonominë botërore dhe krizën e kapitalizmit global) dhe për këtë arsye besoj se grafikoni e bën këtë gjer në një shkallë të caktuar.

Grafikoni paraqet vlerën e aksioneve të Deutsche Bank të tregtuara në NYSE (vija e kaltër) krahasuar me nivelin e remitancave nga Gjermania në Kosovë (vija e gjelbër), gjatë periudhës 2009-2011 (T3). Në të majtë është vlera e remitancave në miliona euro, kurse në të djathtë është vlera e aksioneve në USD. Vlerat janë të ndryshme por për këtë krahasim na interesojnë se sa të koordinuara mes veti janë lëvizjet e tyre.

Fusnotë ekonomisë

Bujrum, merrni krejt.

Vëmendja e opinionit publik në javët e fundit rreth çështjes së fusnotës dhe kontributin e çmuar që marrëveshja e fundit me Beogradin dha në pranimin e kandidaturës së Serbisë në Bashkimin Evropian, ka bërë që të kalojë në neglizhencë një nga pikat tjera kryesore të agjendës qeveritare për sivjet. Këto janë planet qeveritare për privatizimin e PTK-së, dhe masat privatizuese në sektorin energjetik, me planin për privatizimin e Distribucionit të KEK-ut dhe hapjen e tenderit për ndërtimin e “Kosovës së Re”. Siç paralajmëron një raport i botuar së fundi nga gazeta “Jeta në Kosovë”, pakoja për ndërtimin e “Kosovës së Re” përfundimisht do të shoqërohet me kalimin e “Kosovës B” në pronësi të investitorit në “Kosovën e Re”, gjë që, në vitet e shkuara, kishte qenë një nga pikat kontestuese rreth këtij projekti.

Efektivisht, qeveria ka vendosur që ta falë “Kosovën B” për ta bërë më të levërdishëm investimin në “Kosovën e Re”, pasi që të ardhurat nga “Kosova B” do të shfrytëzohen nga pronari i ri për investimin që do të bëhet në “Kosovën e Re”.

Kemi të bëjmë edhe me një hap të ri drejt shpronësimit total të ekonomisë kosovare dhe kalimit të aseteve kryesore industriale në kontroll të kapitalit të huaj.

Shpërthimi në “Ferronikël” na përkujton se jemi në vazhdën e transformimit strukturor të ekonomisë kosovare dhe hapjes së saj për eksploatim të pamëshirshëm nga kapitalizmi global, ndërkohë që me privatizimet e planifikuara Kosova efektivisht ngelet pa sektor publik, dhe jo vetëm kaq, pa kontroll dhe pronësi mbi asetet dhe industritë kryesore të vendit.

Fjala është për asete dhe burime që kanë vlerë të paktën një miliard euro (një vlerësim konservator), pra sa gati një çereku i BPV-së së tërë vendit, dhe që përbëjnë pjesën kryesore të aseteve industriale të vendit. Kjo vlerë është jashtëzakonisht më e madhe nëse llogariten potencialet energjetike të vendit, dhe nevojat në rritje në tregun e energjisë në Ballkan dhe në Evropën Qendrore.

Natyrisht, qytetari i rëndomtë kosovar përditë shantazhohet me idenë se rruga e privatizimit total është e paalternativë, se o do të shkojmë drejt privatizimit total të ekonomisë, o vendi ngelet me shërbime dhe infrastrukturë inferiore si pasojë e joefiçiencës dhe korrupsionit në sektorin publik. Gjatë vitit të kaluar opinioni publik ishte po kaq i bombarduar me idenë se rruga e ndjekur nga qeveria është e vetmja drejt tregut të lirë, pasi që çdo opsion tjetër përfaqëson një mbeturinë nga e kaluara.

Në rastin e Kosovës, privatizimi i sektorit publik përfshin dy sektorët kyç, energjinë dhe telekomunikimin, që janë sektorë të rëndësishëm jo vetëm për ekonominë e Kosovës dhe për faktin që kryejnë shërbime esenciale publike, por njëkohësisht edhe sektorët dominantë industrialë në gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore. Nga top 500 firmat më të fuqishme në Evropën Qendrore dhe Lindore, shumica (rreth 47%) në renditjen sipas të ardhurave të realizuara gjatë vitit 2010 janë firma në fushën e energjisë (si PGE polake apo ÇEZ-i çek) dhe të telekomunikimit.

Me një fjalë, në vend të investimit në asetet industriale me qëllim të orientimit të tyre drejt konkurrueshmërisë rajonale dhe evropiane, asetet dhe burimet e vendit efektivisht po iu falen investitorëve të huaj, që të përfitojnë nga ato. Dhe, përderisa privatizimet në Evropën Lindore dhe Qendrore ndihmuan në integrimin e rajonit me industrinë gjermane dhe Bashkimin Evropian, kur merret parasysh se në listën e investitorëve më të mëdhenj në Evropën Qendrore dhe Lindore, sipas listës së përpiluar nga firma “Deloitte”, janë prodhuesi gjermanë “Volkswagen”, kompania britanike e energjisë “E.On”, rrjeti i hipermarketeve “Metro”, kompania gjermane e energjisë “RWE” dhe kompani të tjera si “Samsung”, “Nokia”, dhe “Fiat”.

Ndërkaq, po shihet se interesi kryesor në asetet industriale në Kosovë po vjen nga kapitali me origjinë nga Azia dhe Lindja e Mesme. Kjo nuk është gjë e keqe në vetëvete (në fund të fundit, kapitali nuk njeh kufi e as gjeografi), por pashmangshëm do të ketë implikime në gjeopolitikën e rajonit në dekadat që do të vijnë. Po harrojmë se, p.sh., edhe një vend si Serbia, aq sa mund të kultivojë marrëdhëniet diplomatike me Rusinë, ekonomikisht, për nga niveli i investimeve dhe i tregtisë, është shumë më ngushtë e lidhur me Gjermaninë dhe vendet e BE-së, madje shumë më tepër se sa Kosova.

Dhe ndonëse qeveria mund ta shfrytëzojë argumentin se me rastin e privatizimit të PTK-së, ata po e ndjekin trendin rajonal të privatizimeve në telekomunikim, ky argument nuk vlen për energjinë, pasi që ajo që po ndërmerr Qeveria e Kosovës (dhe paralelisht ajo në Shqipëri) në këtë pikëpamje janë jashtëzakonisht radikale.

Afër gjysma e firmave të energjisë në Evropën Qendrore dhe Lindore (dhe shumica dërrmuese në Ballkan) janë në pronësi shtetërore. Politika e privatizimit total të sektorit të energjisë në Kosovë është jashtëzakonisht radikale edhe për standardet e rajonit dhe të të gjitha vendeve transicionale. Projekti neoliberal në Kosovë, të paktën sa i përket sektorit të energjisë, do të shkojë në përmasa ekstreme, me pasoja që tashmë po shihen në Shqipëri, e kapluar nga kriza e thellë energjetike pas privatizimit të rrjetit të shpërndarjes.

Me fjalë të tjera, po shkojmë drejt një situate ku Kosova do të prodhojë energji me bollëk, por e cila do të orientohet kryesisht për nevojat e eksportit, pasi që kjo do të jetë më e levërdishme për pronarin e aseteve energjetike të vendit, ndërkohë që qytetarët akoma do të vuajnë nga mungesa e energjisë dhe e investimeve në sistemin furnizues. Nga kjo do të goditen sidomos të varfrit, dhe sidomos zonat rurale, me çka edhe furnizimi me rrymë gradualisht shndërrohet në një lloj privilegji social dhe klasor.

Por, në planin më të gjerë do të rezultojmë në një situatë ku tre sektorët kryesorë ekonomikë të vendit (përjashtuar atë të tregtisë) do të kontrollohen nga kapitali i huaj: energjia, telekomunikimi dhe bankat. Mbetet vetëm edhe privatizimi i “Trepçës” që kosovarët të shndërrohen në argatë të kapitalit të huaj në shtëpinë e tyre, ndërsa konsumojnë mallra të importuara (kryesisht nga Serbia), u paguajnë kamata ekstrem të larta bankave të huaja, dhe punojnë për menaxherët e huaj që do të kontrollojnë pjesën më të madhe të industrive kryesore në Kosovë.

Ndërkohë që pjesa më e madhe e kosovarëve, ata që nuk kanë fatin të kenë familjarë të punësuar jashtë vendit, do të vazhdojnë ta kalojnë jetën në varfëri ekstreme, një “popullatë tepricë” e papërdorshme për kapitalin, siç i quante Marksi të varfrit dhe të papunët. Politikat neoliberale gjithkund dhe gjithmonë kanë rezultuar në ashpërsimin e pabarazive sociale dhe ky është trendi që po e vështrojmë sot në Kosovë dhe i cili premton që të intensifikohet në vazhdimësi.

Shprehur ndryshe dhe më figurativisht, kjo qeveri, pas vënies së fusnotës në emrin e shtetit, sivjet do t’ia vërë fusnotën edhe ekonomisë. Në fusnotë, ndërkaq, do të kenë të listuara të gjitha firmat e huaja që kontrollojnë ekonominë e Kosovës, pasi që vendi efektivisht do të mbetet pa ekonomi të veten.

Botuar te Zëri, 9 mars 2012.

Rruga drejt BE-së (dhe larg fusnotave) kalon nëpër OKB

Pranimi i “fusnotës” për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale dhe ndërkombëtare nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi nuk bën asgjë për të avancuar interesin primar të Kosovës, që është konsolidimi i shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare. Përkundrazi, ky është hap drejt institucionalizimit të statusit aktual të Kosovës, si shtet me njohje të pjesshme ndërkombëtare, me shtetësi të kontestuar nga Serbia, me mungesë njohjeje nga shumica dërrmuese e shteteve të botës, dhe pa anëtarësi në institucionin kryesor ndërkombëtar, Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Përveç avancimit të kandidaturës së saj në Bashkimin Evropian, Thaçi i ka bërë një favor të hatashëm Serbisë, duke konfirmuar edhe ndërkombëtarisht faktin se shtetësia e Kosovës është ligjërisht e kontestuar. Ky veprim, që kthen në lojë rezolutën tashmë të tejkaluar 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mohon edhe suksesin e Kosovës në vendimin e dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë se pavarësia e Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Vendimi i GjND-së në një mënyrë abrogoi Rezolutën 1244, jo në kuptimin formal të fjalës (pasi që këtë mund ta bëjë vetëm Këshilli i Sigurimit, ku Rusia gëzon fuqinë e vetos), por të paktën në peshën e saj juridike, pasi që një instancë e lartë e ligjit ndërkombëtar në një formë njohu të drejtën e Kosovës për pavarësi.

Me veprimin e saj, ndërkaq, Qeveria e Kosovës shkon në drejtim të formalizimit të statusit gjysmak dhe jo të plotë ndërkombëtar të Kosovës, i tillë çfarë është tani. Aq më tepër që Thaçi tashmë pranoi rolin e Serbisë në definimin e statusit të kontestuar ndërkombëtar të Kosovës, që është qëllimi kryesor i të ashtuquajturës “fusnotë”, pasi që insistimi që Rezoluta 1244 të jetë pjesë definuese e statusit të Kosovës në kontestimin e pavarësisë së saj është një nga boshtet themelore të politikës së jashtme serbe.

Duhet theksuar faktin se pavarësia e Kosovës është ende e pakonsoliduar, jo vetëm në aspektin e cenimeve të brendshme të sovranitetit të saj në veri, por edhe në aspektin ndërkombëtar të mosnjohjes së Kosovës si shtet nga OKB-ja. Kjo vazhdon të jetë sfidë e madhe për shtetin e ri dhe përderisa Kosova nuk arrin ta realizojë njohjen e plotë ndërkombëtare, Serbia do ta ketë në vazhdimësi derën hapur për kontestime të shtetësisë së Kosovës në forumet ndërkombëtare ku ajo është e pranishme. Imponimi i “fusnotës” paraqet sukses të Serbisë në këtë orvatje të degradimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ajo që është më shqetësuese se pranimi i “fusnotës” nga Thaçi – pasi që dihet fare mirë se sa politikisht labil është Thaçi dhe sa kollaj ai u nënshtrohet kërkesave të “miqve” ndërkombëtarë, është vetë fakti se “fusnota” erdhi si imponim jo vetëm nga BE-ja, por u pranua vetëm pas vizitës në Kosovë të ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Bill Burns.

Në një mënyrë, se insistimi për pranimin e “fusnotës” vjen edhe nga një vend sponsor i pavarësisë së Kosovës, është tregues ogurzi se edhe sponsorët kryesorë të pavarësisë së Kosovës, SHBA dhe katër vendet tjera të Quintit, tashmë kanë braktisur përpjekjet për ta shtyrë përpara njohjen e mëtejmë të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke konsideruar se konsolidimi ndërkombëtar i pavarësisë së Kosovës ka arritur një limit të patejkalueshëm.

Si pasojë, SHBA-të dhe shtetet tjera të Quintit mund të kenë vendosur që zgjidhja për Kosovën është që të akomodohet ndërkombëtarisht me statusin e saj aktual, siç bën, p.sh. Tajvani me shtetësinë e tij në vazhdimësi të kontestuar nga Kina, duke pranuar realitetin se njohja e plotë e pavarësisë së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare dhe anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk janë opsione të mundshme tani për tani.

Se SHBA-të kanë pak interes për të lobuar nëpër botë për njohjen e Kosovës, tregon fakti se Washingtoni tashmë ka një agjendë të ngjeshur ndërkombëtare me çështjet që nga revolucionet në Lindje të Mesme deri tek Afganistani dhe Pakistani dhe rreziku i mundshëm i konfliktit me Iranin, ndaj kapitalin e vet të çmuar politik nuk do ta shpenzojë në presione ndaj shteteve për njohjen e Kosovës.

Nga ana tjetër, BE-ja është e pafuqishme për të ndërmarrë ndonjë hap rreth kësaj pasi që ka pesë anëtarë të saj që nuk e pranojnë Kosovën, që e detyron vetë BE-në që të ketë një qasje neutrale ndaj statusit të Kosovës, çka po reflekton negativisht në tërë procesin e negociatave me Serbinë.

Aq më keq që Kosova ballafaqohet me ketë problem në një moment të pavolitshëm historik – influenca e SHBA-ve në botë akoma vuan nga dëmi i politikave dhe intervenimeve unilaterale të administratës së Bush-it, ndërkohë që kriza ekonomike botërore ka vënë nën hije shtetet perëndimore duke nxjerrë në plan të parë vendet me zhvillim të hovshëm si Kina, Brazili dhe India, asnjëra nga të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Aq më tepër që Kosova asnjëherë nuk ka arritur që problemin e pavarësisë së saj ta shtrojë si një problem të vetëvendosjes, duke e bërë pavarësinë e Kosovës të interpretohet në një pjesë të qarqeve diplomatike të Jugut global si një projekt perëndimor apo amerikan të ndërmarrë për ta ndëshkuar në mënyrë arrogante Serbinë.

Imazhi i kriminalizuar dhe i korruptuar i qeverisë së Hashim Thaçit dhe suitës së tij në pushtet, kombinuar me kapacitetet e ulta të politikbërjes së pavarur, gjithashtu nuk i bën gjërat më të lehta për vendin.

Numri i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, për vit dhe totali. *Të dhënat për vitin 2012 përfshijnë periudhën deri në muajin shkurt.

Kosova, në një mënyrë, ka provuar dhe po zbulon kufijtë e influencës amerikane dhe asaj perëndimore, fakt të cilin po e provon edhe imponimi i “fusnotës”, që është simptomë e krejt kësaj. Kosova njihet gjithsej nga 88 nga 192 shtete anëtare të OKB-së. Në vitin 2011, Kosova u njoh nga 12 shtete, kurse në vitin 2010 vetëm nga 8. Kosovën nuk e njohin shumica e shteteve të Amerikës latine, shumica e shteteve të Afrikës, shumica e shteteve të Azisë, shumica e shteteve të Lindjes së Mesme, përfshirë fuqitë regjionale të rajoneve përkatëse që (përveç Rusisë) përfshin Brazilin, Indinë, Pakistanin, Iranin, Kinën, Egjiptin dhe Afrikën e Jugut.

Përfaqësimi rajonal i shteteve që njohin pavarësinë e Kosovës, sipas grupeve joformale regjionale në OKB. Kuadrat e kuq tregojnë për përqindjet e ulët të njohjeve në regjionet përkatëse. *Grupi "të tjerët" përfshin SHBA-të dhe Kiribatin.

Paraqitja grafike e përfaqësimit të regjioneve në vendet që njohin pavarësinë e Kosovës, shprehur në përqindje (sipas të dhënave në tabelën e mësipërme).

Paradoksalisht, Kosova paraqitet në një formë si e kundërta e Palestinës – përderisa Palestina gëzon mbështetje të gjerë në OKB, ndërkohë që shpalljen unilaterale të shtetësisë së saj e kundërshtojnë në radhë të parë SHBA-të dhe disa aleatë të saj, SHBA-ja është një nga sponsorët kryesorë të shtetësisë së Kosovës ndërkohë që kauza e vendit për pavarësi gëzon fare pak mbështetje në OKB.

Si vend i vogël dhe i varfër, dhe me një qeveri të korruptuar dhe me kredibilitet të ulët ndërkombëtar, Kosovës i mbeten pak opsione për të vepruar në plan afatshkurtër për konsolidimin e pavarësisë së saj në planin ndërkombëtar. Mirëpo, në plan afatgjatë, Kosova duhet t’i rimendojë orientimet e veta strategjike.

Në njërën anë, Kosova duhet të anashkalojë pengesat e BE-së duke thelluar marrëdhëniet bilaterale me shtetet mbështetëse të Kosovës, sidomos në nivel ekonomik dhe tregtar. Në anën tjetër, Kosova duhet të synojë partnerë të rinj nëpër botë, për të shkuar përtej euro- dhe amerikano-centrizmit të ngushtë në vizionin e saj për politikën e jashtme, duke shfrytëzuar çdo levë dhe mundësi për ta konsoliduar bazën ndërkombëtare të shtetësisë së saj, me synim që Kosova sa më parë të aplikojë për anëtarësim në OKB.

Rruga për në BE, dhe rruga kundër fusnotave, kalon medoemos nëpër OKB.

Shkrimi origjinal botuar te Zëri (Prishtinë) dhe Shekulli (Tiranë)23 shkurt 2012.

Shënim: Një burim i mirë i të dhenave për njohjet e Kosovës është websajti kosovothanksyou.net.

Periferia e vërtetë e Evropës

Kohëve të fundit dallimi qendër-periferi ka kapluar ligjërimin publik mbi krizën e eurozonës – e përdorur në shkrime edhe nga autori i këtyre rreshtave. Një gjë që duhet theksuar është se një dallim i tillë është relativ – përderisa ne mund të bëjmë dallimin midis qendrës dhe periferisë përbrenda BE-së dhe më saktësisht përbrenda eurozonës (duke dalluar shtetet si Greqia, Portugalia, Irlanda etj. që janë zhvilluar më vonë dhe që aktualisht ballafaqohen me krizë fiskale dhe vendet e zhvilluara më herët dhe në gjendje më stabile financiare si Gjermania, Franca dhe Holanda), nuk duhet harruar se periferia e vërtetë e Evropës vazhdon të jetë zona lindore dhe juglindore e kontinentit, e përkufizuar nga shtetet ish-socialiste të Evropës qëndrore, të vendeve të Baltikut dhe ato të Ballkanit.

Grafikoni i mësipërm, i përgatitur për lëndën time në Binghamton University për Evropën lindore, tregon për hendekun e thellë zhvillimor që ekziston midis këtyre grupeve të shteteve. Grupi i shteteve të përfaqësuara nga shtylla e kaltër janë grupi i shteteve të BE-së deri në vitin 2004. BPV-ja për kokë banori në mesatare për këto shtete në vitin 2010 ka qenë rreth 44.500 USD. Kjo dallon dukshëm nga BPV-ja mestare për kokë banori për shtetet ish-socialiste që iu bashkuan BE-së pas vitit 2004 (Hungaria, Polonia, Çekia, Sllovakia, Bullgaria, Rumania, Sllovenia, Estonia, Latvia, Lituania, të përfaqësuara nga shtylla e kuqe), ku shifra ishte rreth 14.400 USD. Dallimi bëhet edhe më i qartë kur merren parasysh shtetet kandidate dhe ato që synojnë anëtarësi në BE (siç janë vendet e Ballkanit, me përjashim të Turqisë dhe Islandës, të përfaqësuara nga shtylla e gjelbër), ku BPV-ja mesatare për kokë banori është rreth 5000 USD. Tabela e mëposhtme rendit të gjitha shtetet evropiane sipas BPV-së për kokë banori, ku dallimet midis shteteve të qendrës dhe periferisë bëhen shumë të qarta (për shkak të burimit të të dhënave që kam përdorur, në listën e shteteve nuk janë të dhënat për Kosovën).

Çështja është se shtetet më pak të zhvilluara, që prej zgjerimit të parë të BE-së në vitet 1970 (kur në BE u futën vendet si Irlanda, Portugalia dhe Greqia), vendet e reja anëtare kanë parë tek BE-ja një mjet zhvillimor – gjë që ka dalë e saktë për këto shtete, të paktën deri në vitin 2008 kur ajo që mund ta quajmë ‘modeli zhvillimor evropian’ (tregu dhe monedha e përbashkët, lehtësimi i qarkullimit të kapitalit) ka dhënë rezultate relative, sado me kosto të theksuar (shkatërrim i industrive vendore, financiarizimi gjithnjë e më i madh, çmontimi i shteteve sociale dhe mbrojtjes së punëtorëve etj.). Shtetet postsocialiste të anëtarësuara pas vitit 2004, gjithashtu panë një shtim të rritjes ekonomike pas anëtarësimit në BE, gjë që shihet në ngritjen e shkallës së rritjes vjetore të BPV-së në 6-10 për qind deri në vitin e krizës 2008. Sipas një llogarie që kam bërë, bazuar në të dhënat e UNCTAD, përfitimi më i madh i këtyre shteteve të reja anëtare ka ardhë në formën e rritjes së investimeve të jashtme direkte (FDI). Kështu, nëse për shtetet e reja anëtare, niveli i përgjithshëm mesatar i FDI-së ishte rreth 1.880 miliardë USD në periudhën 1994-2003, në periudhën 2004-2008 ky nivel arriti në mbi 6.100 miliardë USD (në vitet e krizës 2008-2010, investimet kanë rënë në rreth 2.800 miliardë USD).

Paradoksi është që rritja ekonomike (dhe si pasojë struktura ekonomike e vendeve të reja anëtare) u bë gati krejtësisht e varur nga investimet e jashtme, kështu që, në momentin e krizës së vitit 2008, të gjitha këto vende përjetuan recesion të thellë në vitin 2008 me një krizë të pakapërcyeshme që vazhdon t’i godasë ekonomitë e tyre. Sipas llogarive të UNCTAD, shtetet postsocialiste të Evropës qëndrore dhe juglindore kanë një nga shkallët më të larta të TNI (Transnational Index), që llogarit varshmërinë e punësimit dhe formimit të kapitalit në një shtet nga investimet e jashtme. Nuk kam bërë një llogari rreth kësaj, por duket hipotezë e saktë për Evropën qëndrore dhe juglindore se sa më e transnacionalizuar ose globalizuar ekonomia e atij vendi, aq më i fuqishëm ishte impakti dhe pasojat e krizës globale financiare. Kështu, vendet që dikur merreshin si model i neoliberalizmit lindor, si vendet baltike, në vitin 2008 patën rritje negative nga -14 deri në -18 për qind të BPV-së (krahaso këtë me një ekonomi të paglobalizuar si Shqipëria, ku përkundrazi, në vitin 2008 pati rritje ekonomike). Kështu që, hapja ndaj BE-së, sado që solli beneficione imediate, gjithashtu ekspozoi shtetet e reja anëtare ndaj rreziqeve të cikleve spekulative të kapitalizmit global, çmim që ato po vazhdojnë ta paguajnë sot. Begatia e Evropës shumë shpejt u shndërrua në mjerim.

Aspekti i dytë i ‘modelit zhvillimor evropian’ është fakti se ai nuk solli ndryshim rrënjësor në strukturën ekonomike të vendeve të reja anëtare. Në shtetet ish-socialiste dominojnë sektorët e vjetër industrialë si energjetika, telekomunikimi dhe metalurgjia, pra industritë e trashëguara nga socializmi – industria e lartë teknologjike, që po shërben si motor zhvillimi në Azinë juglindore, nuk ka zënë rrënjë pothuajse fare në Evropën qëndrore dhe juglindore. Në esencë kjo do të thotë se transformimi strukturor ekonomik nuk është dëshmuar si pjesë e ‘modelit zhvillimor evropian’. Ky fakt vërtetohet në mënyrën më të mirë nga shembulli i Greqisë, dhe përvoja e këtij vendi pas hyrjes në unionin tregtar dhe monetar – ajo nuk çoi në ristrukturim ekonomik dhe industrial të Greqisë, ngaqë vendi mbeti me po atë strukturë ekonomike që kishte në vitet 1970 dhe 1980. Thellimi i marrëdhënieve në BE rezultoi në thellim të varshmërisë nga importet dhe nga fuqia financiare e qendrës. Ideja se ristrukturimi ekonomik i Greqisë do të ndodh si rezultat i dhunës së reformave të shkurtimeve buxhetore që po i imponohen Greqisë nga kancelarja Merkel dhe teknokracia e BE-së është në njërën anë iluzive dhe shkurtpamëse, në anën tjetër një akuzë që me vetë ngritjen e saj dëshmon dështimin fundamental të ‘modelit zhvillimor evropian’.

Tashmë që ‘modeli zhvillimor evropian’ është në krizë terminale, pyetja është se çfarë do të thotë kjo për vendet e periferisë. Kam frikën se – pa e elaboruar tepër këtu – se pa një ndryshim radikal në këtë model, pa  formulimin e një modeli të vërtetë zhvillimor që do ta ristrukturojë dhe ribalansojë ekonominë evropiane dhe ta bëjë Evropën në tërësi konkurrente në ekonominë globale (ku synim primar është nivelizimi zhvillimor i gjithë kontinentit evropian), e ardhmja e vendeve të periferisë është e zymtë. Ajo që është në horizont të periferisë së re është zgjedhja midis Greqisë dhe Hungarisë – nënshtrimi ndaj diktateve financiare të BE-së deri në përdhosjen e sovranitetit dhe demokracisë në njërin rast, apo instalimi i një autoritarizmi të ri të djathtë dhe pseudo-demokratik dhe mbrojtës të shtresave të reja të të pasurve në rastin tjetër. Kombinuar me rritjen e popullizmit të djathtë dhe sentimenteve anti-imigrante gjithandej Evropës, po bëhet e qartë që e ardhmja e gjithë Evropës është në sprovë më të madhe se kurdoherë më parë.

Bedri Hamza apo Deutsche Bank?

Urimi i parë për vitin e ri, Kosovës i erdh në formën e raportit të fundvitit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) për gjendjen ekonomike dhe fiskale të vendit. Ndonëse raporti nuk është bombastik, ai përmban një numër paralajmërimesh për rreziqet që e presin Kosovën gjatë vitit 2012.

Ashtu siç pritej, gjendja e pafavorshme ekonomike në kontinentin evropian pritet të reflektojë negativisht në ekonominë kosovare. FMN-ja tashmë ka zvogëluar parashikimin e saj për rritje ekonomike në vitin 2012 nga 5 në 4 për qind. Në radhë të parë, këtu demitizohen pretendimet e dikurshme të qeverisë për rritje ekonomike 7-8 për qind, ndonëse sikur për rënien e vazhdueshme të investimeve të jashtme, qeveria do të pretendojë se kjo rezulton nga kriza ekonomike në Evropë, gjë që nuk qëndron fare. Tashmë mund të thënë se kur flisnin për rritje ekonomike, mendjen në fakt e kanë patur tek inflacioni, për çka kjo qeveri mund të krenohet se po then rekorde.

Sido që të jetë, fakti se do të vazhdojë të ketë rritje ekonomike është lajm i mirë për vendin, sidomos në kontekstin e një ekonomie evropiane në krizë. Mirëpo shkalla e rritjes ekonomike në vetëvete nuk tregon asgjë për cilësinë e zhvillimit ekonomik që po ndodh. Ta zëmë, edhe investimi në ndërtimin e burgjeve regjistrohet si rritje e BPV-së së një vendi, por për një vend që rritë BPV-në e saj duke investuar vetëm në burgje dhe duke rritur numrin e gardianëve të punësuar nuk mund të thuhet se ka zhvillim cilësor ekonomik. Aq më pak mund të flitet për cilësinë e jetës në një shoqëri të tillë, ku nevoja për burgje dhe gardianë është aq e madhe. Sido që të jetë, jemi në një situatë pak a shumë të ngjashme, ku investimet në burgje në rastin konkret të Kosovës mund t’i zëvendësojmë me investime në asfallt, dhe atë në vetëm një rrugë, autostradën Morinë-Merdarë, investim që për vitin 2012 do të vazhdojë të kushtojë mbi 20 për qind e gjithë buxhetit të paraparë për qeverinë qëndrore. Me fjalë të tjera, investimet kapitale vazhdojnë të jenë motori kryesor i rritjes ekonomike në Kosovë, gjë që është e paqëndrueshme aq më shumë kur investimet po bëhen në infrastrukturë dhe asete të tjera joproduktive, aq më tepër kur kjo infrastrukturë në vetëvete nuk pritet të nxisë ndonjë zhvillim tjetër ekonomik. Këto ditë doli lajmi se investimi prej tetë milionë eurosh në Parkun Industrial në Drenas po del një investim i dështuar, pasi që nuk ka biznese të interesuara që të vendosen në atë lokacion. Ky pak a shumë mund të merret si model i politikave “zhvillimore” të qeverisë aktuale, i cili investimet i bën sipas kalkulimeve politike, dhe i cili në vend se të investojë në mbështetjen direkte të zhvillimit industrial, investon në projekte të padobishme nga pikëpamja ekonomike dhe që në fund sjellin vetëm humbje.

Shkalla e papunësisë në Gjermani, Zvicër, Itali dhe Greqi, 1999-2010 (në përqindje).

Shqipëria po ballafaqohet me vështirësi të mëdha fiskale dhe ekonomike në vitin 2012, ndërsa shkalla e rritjes ekonomike në Shqipëri, që mbeti një nga më të lartat në Evropë përgjatë viteve të krizës financiare 2008-10, tashmë pritet të bie dukshëm si pasojë e efekteve të masave shkurtuese në Greqi dhe Itali. Rripi tashmë është shtrënguar dhe problemet buxhetore në Shqipëri tashmë kanë çuar në shkurtime serioze të shpenzimeve, me mundësi që këto shkurtime të shkojnë edhe më thellë, veçanërisht nga fakti se qeveria e Sali Berishës nuk mund të mbulojë deficitet përmes shitjes së aseteve publike, ngase nuk i ka mbetur pothuajse asgjë më për të privatizuar. FMN-ja ndërkaq ka të drejtë kur sheh rritjen ekonomike në Kosovë në varshmëri të plotë nga remitancat që vijnë nga Gjermania dhe Zvicra. Me fjalë të tjera vetë rritja ekonomike në Kosovë është një lloj “knock-off effect” i rritjes ekonomike dhe papunësisë së vogël në këto dy shtete. Gjermania vazhdon t’i bëjë ballë problemeve që kanë shumë vende evropiane, si pasojë e fuqisë së vazhdueshme të eksporteve gjermane (Gjermania është, pas Kinës, eksportuesi i dytë më i madh në botë). Këto ditë doli lajmi se papunësia në Gjermani ka rënë në nivelin më të ulët që nga fillimi i viteve 1990. Zvicra gjithashtu mbetet e mbrojtur nga problemet e shumë vendeve evropiane, ndihmuar edhe nga fakti se Zvicra nuk është e ngarkuar me problemin e euros. Fati se Kosova ka shumicën e emigrantëve të saj në Gjermani dhe Zvicër (dhe jo në Itali dhe Greqi si Shqipëria) është faktor kyç në faktin se luhatjet ekonomike në Evropë kanë patur një efekt më të zbutur në rritjen ekonomike në Kosovë. Ironia qëndron te ajo se profitet dhe vlera e aksioneve të Deutsche Bank, dhe jo raportet dhe politikat e Bankës Qendrore të Kosovës, Ministrisë së Financave apo Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, janë indikatori më i mirë se si do t’i ketë punët Kosova gjatë 2012-ës. Deutsche Bank nuk ka investime dhe as interesa të drejtpërdrejta në Kosovë, mirëpo është një nga fascilituesit më të mëdhej financiarë të eksporteve gjermane, si dhe një nga institucionet bankare më të ekspozuara ndaj krizës së borxheve sovrane. Nëse njëri nga këta faktorë cënon bilansin dhe profitet e Deutsche Bank-ës (dhe rrjedhimisht ekonominë gjermane), Ministria e Financave e Kosovës shumë shpejt do të ballafaqohet me rënie të të hyrave dhe krizë buxhetore.(1) Le të lutemi pra për suksesin e vazhdueshëm të kapitalizmit gjerman!

Megjithatë, sado që Kosova duhet t’i falemndërohet qëndrueshmërisë ekonomike të Gjermanisë dhe Zvicrës në kushte krize (dhe punëtorisë kosovare në këto vende që përmes remitancave vazhdon ta mbajë të gjallë ekonominë kosovare), politikat ekonomike vazhdojnë të jenë në duar të qeverisë dhe ato ndërlidhen ngushtë me udhëzimet, parametrat dhe kërkesat e FMN-së.

Një gjë që del qartë nga raporti është se qeveria i ka bërë “detyrat e shtëpisë” përsa i përket mbajtjes së shpenzimeve dhe bilansit buxhetor në rend sipas kërkesave të FMN-së. Siç dihet, FMN-ja ka kërkuar nga qeveria e Kosovës një disiplinë të jashtëzakonshme fiskale si pasojë e prishjes së marrëveshjes për kredi nga ky institucion dhe kalimin e Kosovës në status të monitorimit. Përmbushja e kritereve rigoroze të FMN-së tashmë është kusht nëse qeveria do të ketë sërish mundësi të financohet nga FMN-ja, dhe qeveria arriti të tejkalojë krizën e mundshme buxhetore të shkaktuar nga dështimi në shitjen e PTK-së (jo pse privatizimi ishte politikë e drejtë, por se qeveria kalkulonte që deficitin e vitit 2011 ta mbulojë me shitjen e këtij aseti). Mirëpo, krejt kjo vjen me një çmim të madh në pikëpamje ekonomike dhe sociale: ngrirje të rrogave në sektorin publik, vështirësi në financimin e beneficioneve për veteranët e luftës, reduktime të ashpra në investime kapitale (me përjashtim të autostradës Morinë-Merdar), vonesat në kryerjen e pagesave për bizneset kontraktore të qeverisë, dhe manovrime të ndryshme ku borxhet e një dikasteri mbulohen me transferte të brendshme nga kontoja e një tjetri. Nuk e dimë ende (dhe kjo nuk theksohet në raport) nëse për financimin e buxhetit 2011 është prekur fondi rezervë. Disa prej këtyre nuk theksohen në raport, por janë të ditura për të gjithë ata që kanë ndjekur gjatë vitit mënyrën e qeverisjes së financave publike nga kjo qeveri.

Mirëpo, vargu i problemeve ekonomike dhe financiare për vitin 2012 është i madh. Vështirësitë janë strukturore, ndërsa shkurtpamësia dhe moskalkulimi se vendi mund të ballafaqohet me probleme ekonomike, e ka lënë qeverinë me shumë pak hapësirë që të manevrojë në rrethanat me të cilat ballafaqohet vendi tani. FMN-ja tashmë kërkon disiplinë të jashtëzakonshme fiskale dhe buxhetore, duke e bërë vitin 2012 – ashtu siç paralajmërohet në buxhet – një vit me më pak investime, më pak rritje të shpenzimeve dhe një varfërim të përgjithshëm si pasojë e paaftësisë për ta përballuar inflacionin e madh i cili pas llogarive të ciklit të fundit matës mund të rezultojë në 8 ose 9 për qind gjatë vitit 2011, një nga normat më të mëdha të inflacionit në rajon dhe Evropë. Nga raporti, gazetarët dhe redaksitë mediale gjithashtu do ta kuptojnë pse qeveria hoqi dorë nga premtimi i saj për heqjen e TVSH-së për mediat. Për të siguruar qëndrueshmërinë fiskale të vendit, FMN-ja kundërshton çfarëdo zvogëlimi të TVSH-së, ndërkohë që për nevojat e financimit buxhetor qeveria u detyrua të ngris tatimet sikur ato në të ardhura dhe në duhan. Gjatë këtij viti qeveria gjithashtu do të ngris çmimin e energjisë elektrike, ndërkohë që tashmë është në presion të madh që ta realizojë pa vonesa privatizimin e PTK-së dhe Distribucionit të KEK-ut.

Problemi kryesor, natyrisht, është se raporti i FMN-së kap një tren në lëvizje – aty përshkruhen parametrat e ecjes si shpejtësia dhe sa me mjeshtri treni i kap kthesat, por nuk vlerësohet kahja dhe as ku çojnë përfundimisht binarët. Kjo është me rëndësi të theksohet, pasi që ndodh shpesh që gazetarët dhe analistët e ndryshëm medialë t’i marrin vlerësimet e FMN-së si fjala e fundit përsa i përket suksesit apo dështimit të politikave ekonomike të vendit. Ndërkaq, problemi më kryesor i kësaj qeverie nuk janë gjithmonë keqkalkulimet në vlerësimin dhe zbatimin e politikave ekonomike (sado që edhe ato janë, ta themi modestisht, jo të rralla), por ai më esencial i modelit zhvillimor që ajo ka përpara, i cili nuk po sjell rezultate dhe është i paqëndrueshëm.

Vlera në dollarë e aksioneve të Deutsche Bank AG gjatë një viti, të tregtuara në NYSE (sipas Bloomberg).

(1) Logjika është si në vijim: problemet e shtuara të Deutsche Bank, si banka më e madhe gjermane, mund të merren si indikator për gjendjen e ekonomisë gjermane, që mund të dëmtohet qoftë nga rënia eventuale e eksporteve gjermane, apo nëse kriza e eurozonës dëmton bazën e kapitalit të Deutsche Bank. Nëse Gjermania bie në krizë ekonomike, kjo domethënë shtim të papunësisë atje, që domethënë rënie e remitancave në Kosovë, që domethënë ulje e konsumit në Kosovë, që domethënë rënie e importeve, që domethënë rënie e të hyrave tatimore në buxhetin e Kosovës.

Kolumna javore, Koha Ditore, 8 janar 2012.

Pse Kosovës i duhet monedha e vet

Siç njofton “Financial Times”, një draft kontratë e re për fondin shpëtues për vendet e eurozonës, Mjeti për Stabilitet Financiar Evropian (EFSF) përmban një pikë në të cilën tërheq vërejtjen për investitorët se euroja mundet të jetë në të ardhmen e afërt një monedhë e pavlefshme dhe joligjore. Në Londër, zyrat juridike janë të bombarduara me kërkesa për konsulencë nga firmat që hamendën se si duhet t’i trajtojnë kontratat e bëra në euro në rast të dështimit të monedhës. Në shtete të tjera qeveritë po i shohin nëse shtypshkronjat e monedhave të dikurshme nacionale, janë ende të përdorueshme, në rast se duhet të zëvendësohet euroja. Sado që përpjekjet për shpëtimin e monedhës së përbashkët po vazhdojnë, në çdo cep të Evropës qeveritë kanë nxjerr plane kontigjente në rast se gjërat marrin një kahje të paparashikuar dhe euroja bie.

Në Kosovë, ndonëse euroja është monedhë zyrtare, nuk ka ndonjë shqyrtim serioz nga institucionet përgjegjëse, por as nga shoqëria e gjerë, për zgjidhjet në rast të dështimit eventual të euros. Pa dashur t’i hyjë analizës së shkaqeve të kësaj (që padyshim nuk janë shumë të thella), një debat duhet të fillojë rreth mundësisë që, pavarësisht fatit të euros, Kosova të shqyrtojë mundësinë e nxjerrjes së një monedhe të veten. Madje, besoj se një kalim i përkohshëm në një monedhë vendore do të sillte beneficione të shumta për zhvillimin ekonomik të vendit dhe është një risk që vlen të ndërmerret, apo që, në këtë fazë, të paktën të shqyrtohet dhe studiohet me seriozitet, pavarësisht fatit të euros.

Ta zëmë se Kosova do ta nxirrte një monedhë të vetën. Këtë monedhë po e quaj, krejt arbitrarisht, “dardhë”. Përfitimi i Kosovës do të ishte në të paktën tri forma.

E para, shtetit kosovar do t’i krijohej arma tepër e vlefshme e politikës monetare. Mungesa e politikës monetare nga BQK-ja po i kushton Kosovës në disa mënyra. Nën një, BQK nuk ka mundësi që të kontrollojë sasinë e parave në qarkullim, që do t’i mundësonte asaj që të ndikojë në shkallën e inflacionit. Kjo shihet edhe nga shifrat. I gjithë rajoni i Ballkanit (ashtu dhe si gjithë ekonomia botërore) po përjeton një ngritje të shkallës së inflacionit. Mirëpo dallimet janë tepër evidente. Kosova ka shkallën më të lartë të inflacionit nga të gjitha vendet e rajonit. Kjo shpjegohet pjesërisht nga fakti se Kosova ka varshmëri më të lartë ndaj importeve. Mirëpo një shpjegim tjetër është se shtetit të Kosovës i mungon instrumenti i politikës monetare për të zbutur efektet e inflacionit, duke shtuar likuiditetin e ekonomisë (me rritjen e sasisë së parave). Një situatë e ngjashme është në Mal të Zi, i cili gjithashtu përdorë euron, ku presioni i inflacionit tejkalon mesatarën e vendeve tjera të Ballkanit. Në Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi, p.sh., shkalla e inflacionit megjithatë është mbajtur nën kontroll.

Nën dy, politika monetare do t’i jepte mundësi BQK-së që gjithashtu të ndikojë në normat e interesit bankar. Përveç se ka inflacionin më të lartë në rajon, bankat kosovare kanë gjithashtu disa nga kamatat më të larta në rajon dhe në Evropë. Kjo është pengesë e jashtëzakonshme për nxitjen e investimeve dhe për zhvillimin ekonomik. Në kohën kur ekonomitë evropiane, amerikane por edhe ajo kineze, po stimulohen me uljen e normave të interesit, shtrejtia e kredive në Kosovë e vështirëson praninë e likuiditetit që do të nxiste investimet private në biznese, në patundshmëri dhe në konsum. Duke marrë kontrollin e politikës monetare, BQK do të mund të kishte ndikim më të fuqishëm në uljen e normave të interesit dhe stimulimin e investimeve.

E dyta, përveç mundësisë që politika monetare të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik, kalimi nga euroja në një monedhë vendore ka një beneficion të dytë. Kjo do të ishte mundësia që, përmes konvertimit të euros në monedhën e re, Kosova të krijojë një bazë të mirë të rezervave devizore, që do të ishin kryesisht në euro. Aktualisht në Kosovë qarkullojnë rreth katër miliardë euro në vit. Nëse vetëm 20 për qind e kësaj shume do të konvertohej në monedhën e re vendore (ndërkohë që do të mund të konvertoheshin më shumë), Kosova do të mund të gjeneronte dikund 800 milionë euro në rezervat e veta. Të hyrat nga remitancat, që janë kryesisht në euro, përmes konvertimit gjithashtu do të kontribonin në ndërtimin e rezervave devizore. Këto rezerva gradualisht mund të konvertohen në ari (dhe në instrumente të tjera financiare), duke forcuar gradualisht bazën dhe besueshmërinë e monedhës së re dhe në forcimin e dukshëm të kapaciteteve financiare të shtetit kosovar.

E treta, monedha kosovare do të ishte relativisht e devalvuar. Kjo nuk është diçka medoemos e keqe; në fakt, për një ekonomi të varfër, është pozitive. Në qoftë se shkëmbimet në vend do të bëheshin me valutën e lirë dardha në vend të valutës së shtrejtë euro, kjo do të nënkuptonte zbritjen e çmimeve të shumë elementeve bazë të konsumit. Efekti gjithashtu do të ishte në lehtësimin e presioneve të inflacionit në paga. Niveli i pagave, të shpërblyera me dardha, me vlerë të ulët si monedhë por me fuqi më të lartë blerëse brenda Kosovës se sa euroja, do të kishte efekt rritjen e standardit të jetesës. Kjo është një nga arsyet pse shtetet fqinje si Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia me monedhat e tyre të lira kanë kosto më të lirë të jetesës (dhe rrjedhimisht edhe shkallë më të vogël të varfërisë) se sa Kosova që përdorë euron. Aq më tepër që një valutë e devalvuar shkon drejtpërsëdrejti në funksion të stimulimit të eksporteve.

Mësimi për vlerën e devalvimit vjen nga shembulli i Argjentinës. Për shumë vite, vlera e konvertueshme e pesos argjentiniane ishte e fiksuar me dollarin. Në vitin 2001, Argjentina pësoi një krizë financiare që ia bëri ta papërballueshëm nivelin e borxheve të jashtme, pikërisht për shkak të lidhjes së pesos me dollarin, duke shkaktuar një krizë të thellë ekonomike në vend. Zgjidhja ishte shkëputja e vlerës së pesos nga dollari, që u ndërmor nga qeveria argjentinase më 2002. Me devalvimin e pesos, jo vetëm që u zbuten efektet e krizës, por edhe u krijuan kushtet për një rimëkëmbje të fuqishme. Argjentina sot është një nga shtetet me rritjen ekonomike më të madhe në Amerikën latine, diçka që nuk do të arrihej sikur Argjentina të përpiqej me çdo kusht që ta ruante paritetit e pesos me dollarin.

Me fjalë të tjera, beneficionet e nxjerrjes së një monedhe vendore janë të shumta. Në anën tjetër, janë edhe rreziqet.

Një nga problemet e një ekonomie importi si Kosova është se pagesat do të vazhdojnë të kryhen në euro. Bizneset e jashtme nuk do të pranojnë pagesa në monedhën kosovare, duke detyruar bizneset kosovare që importet të vazhdojnë t’i blejnë me euro. Kjo do të thoshte se Kosova do të vazhdonte të ishte vend i dy valutave paralele: dardhës dhe euros. Mirëpo, shtrejtimi relativ i euros karshi dardhës do të ndikonte gjithashtu që kosovarët të jenë më të matur rreth urisë së tyre të pangopur për importe, duke stimuluar uljen e importeve dhe kujdesit të shtuar ndaj përkrahjes dhe zhvillimit të industrive vendore.

Rrezikut të monedhës së re do t’i kontribuonte gjithashtu edhe fakti se shumë kosovarë mund të mos kenë besim, sidomos fillimisht, në vlerën dhe qëndrueshmërinë e monedhës së re. Për këtë arsye, shumë kosovarë mund të hezitojnë ta përdornin valutën e re, duke preferuar që kursimet t’i mbajnë në euro apo që pagesat e caktuara t’i bëjnë vetëm në euro (si në periudhën e viteve 1990 në Shqipëri, kur pagesat preferoheshin në dollarë në vend të lekut). Për këtë arsye, tranzicioni në monedhën e re do të duhej të ishte gradual dhe i mirë organizuar. P.sh., monedha e re mund të fillonte me një vlerë të fiksuar kundrejt euros, për një periudhë të caktuar, p.sh. 2 për 1. Mirëpo duhet mbajtur në mend se kryesi më i madh i pagesave në Kosovë është shteti i Kosovës. Në momentin që shteti i Kosovës do t’i kthente pagat në dardha, efekti i monedhës së re do të ishte i menjëhershëm, sepse ato para do të derdheshin përnjëherë në konsum dhe në qarkullim të gjerë.

Si në shumë gjëra tjera në treg, vlera e një monedhe përcaktohet në bazë të perceptimeve më shumë se sa të fakteve objektive. Në qoftë se shteti i Kosovës do të dëshmohej kredibil dhe do të qëndronte pas monedhës së re, besimi në monedhën e re do të rritej. Ajo do të bëhej e pranueshme sidomos nëse do të krijonte efekt në standardin e jetës dhe në nivelin e çmimeve. Dhe, natyrisht, do të duhej të garantohej pavarësia e plotë e BQK-së nga ndikimet politike dhe manipulimet e monedhës për qëllime afatshkurtëra nga qeveritë në pushtet.

Nxjerrja e monedhës së re nuk do të ishte, siç mund të pohojë ndonjëri, shmangie nga BE-ja dhe ikje nga integrimi. Monedha kosovare do të kishte një mision të vetëm: të reduktojë hendekun e madh midis saj dhe shteteve evropiane në zhvillimin ekonomik. Rreziqet e euros për shtetet më të varfëra tashmë janë evidente, siç është edhe mungesa e politikës monetare, dhe një ikje e përkohshme nuk do t’i bënte dëm Kosovës. Tek e fundit, Kosova nuk është anëtare e eurozonës, por përdorë euron në mënyrë vullnetare. Kosova do t’i ribashkohej eurozonës atëherë kur do të mund të bëhej anëtare fuqiplotë e saj. Dhe kur me profilin e saj ekonomik do t’i përngjante më shumë një shteti mesatarisht të zhvilluar evropian. Për momentin, euroja është tepër e shtrejtë, dhe tepër barrë e madhe, për Kosovën e varfër.

Kolumna javore, Koha Ditore, 18 dhjetor 2011.

Kujt i duhen negociatat Kosovë-Serbi?

Negociatat midis Kosovës dhe Serbisë kanë arritur një pikë kritike, tani pasi që asnjëra nga palët nuk mori “shpërblimet” e pritura nga BE-ja. Synimi i Kosovës, e aq më pak i Serbisë në këto negociata, kurrë nuk ka qenë “normalizimi i marrëdhënieve” apo progresi drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme për marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë (që nuk mund të jetë asgjë përfundi njohjes së Kosovës nga Serbia). Është e qartë se të dyja palët kanë shfrytëzuar negociatat si levë politike për afrim me BE-në. Boris Tadiqi ka kalkuluar se me bashkëpunimin e pjesshëm dhe gjysmak në negociata, Serbia do ta arrijë statusin e vendit kandidat, gjë që tashmë nuk do të realizohet, për shkak të refuzimit të një grupi shtetesh, përfshirë këtu Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe. Hashim Thaçi ka kalkuluar se me dëgjueshmërinë e tij ndaj kërkesave të Brukselit, do të “shpërblehet” me liberalizim vizash dhe ca përfitime tjera, por edhe këto “shpërblime” për dëgjueshmëri tashmë nuk po duken në horizont. Deri tani minjtë kujtonin se mund të fitonin në lojën e organizuar nga elefantët, por tashmë elefantët tregohen të patrazuar nga shantazhet e minjëve (si të barrikadave serbe në veri të Kosovës) dhe as të përpjekjeve të tyre për t’i impresionuar me dëgjueshmëri (si Hashim Thaçi me gatishmërinë e tij për të pranuar çdo propozim të Brukselit).

Natyrisht, BE-ja aktualisht është në halle shumë më të mëdha dhe shtetet anëtare kanë telashe më prioritare se sa të preokupohen me ngatërresat e Ballkanit. Kriza e brendshme politike e shkaktuar nga kriza e eurozonës dhe preokupimi me të ardhmen e euros dhe fatin e ekonomive evropiane e ka sjellur BE-në në një krizë ekzistenciale. Përçarjet tashmë të shpërfaqura në takimin e Këshillit Evropian gjatë javës që shkoi, midis Gjermanisë dhe Francës në njërën anë, dhe Britanisë së Madhe në anën tjetër, rreth ndryshimeve të Traktatit të Lisbonës për përforcimin e rregullave të mbikëqyrjes fiskale të shteteve, po e hapin shtegun për një ndarje të re brendaevropiane dhe vë në pikëpyetje formën aktuale të unitetit evropian. Është vështirë të mendohet për zgjerim, në momentin kur vetë BE-ja nuk e di si do të duket vitin që vjen.

Megjithë fatin e paqartë të BE-së, Boris Tadiqi dhe Hashim Thaçi kanë shumë të investuar në suksesin e tyre në afrimin me BE-në.

Boris Tadiqi ka synuar prej kohësh kandidaturën e Serbisë në BE-së, si realizim të një misioni themelor të partisë dhe lidershipit të tij. Negociatat, si dhe përçarja brenda BE-së përsa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, ia kanë bërë të mundur Tadiqit që të vazhdojë me formulën e tij “edhe BE-ja edhe Kosova”. Me një fjalë, që Serbia do të anëtarësohet në BE, pa e “humbur” Kosovën. Ky nuk është vetëm sllogan. Për Tadiqin, kjo formulë ka qenë e nevojshme për ruajtjen si të koalicionit qeverisës ashtu dhe mirëmbajtjes së balansit elektoral në Serbi, i cili përmes Kosovës, lehtësisht mund të shkojë në favor të forcave ultranacionaliste dhe anti-BE. Tadiqi synon që të jetë ai që e çon Serbinë në BE, por jo ai që i nënshtrohet presionit që Serbia përfundimisht ta njohë humbjen e Kosovës. Deri më tani, Tadiqi nuk ka dhënë shenjë se do të largohet nga ky kurs.

Refuzimi i një numri shtetesh për ta miratuar kandidaturën e Serbisë do të jetë një goditje për Tadiqin, por jo fatale. Disa në Kosovë, këtë e interpretojnë si një fitore të Kosovës. Mirëpo, pas një leximi më të kujdesshëm të kushteve që i janë vënë Serbisë, shihet se thelbi i tyre ka të bëjë më shumë me rolin e Serbisë në trazirat në veriun e Kosovës, në vazhdimin e barrikadave dhe në rrezikimin e sigurisë së trupave evropiane, se sa me ndonjë kërkesë precize që Serbia ta njoh Kosovën. Ky nuk është kusht dhe pavarësisht angazhimit sidomos të kancelares Angela Merkel, nuk duket se në Evropë ekziston gatishmëria që të shkohet deri në fund, dhe Serbisë t’i jepet ultimatumi: o BE-ja o Kosova!

Krejt kjo domethënë se Serbisë i është “ngrerë veshi” që të jetë më e përqëndruar sidomos rreth kontrollimit dhe qetësimit të gjendjes në veri të Kosovës. Ironikisht, trazirat në veri vetëm sa e kanë shtuar rolin dhe rëndësinë e Serbisë. Në shkurt, Serbia do t’i nënshtrohet një vlerësimi të dytë për kandidaturë. Kjo do të thotë se Tadiqi ka kohë edhe tre muaj që të angazhohet rreth veriut, të implementojë marrëveshjet e arritura (sidomos asaj për menaxhimin e përbashkët të kufirit), njashtu që të shpërblehet me kandidaturën e Serbisë, e cila gati si krejt me pahir (!) do t’i vije dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Shpërblime pret edhe Hashim Thaçi. Dhe politikisht, ai gjendet në hall të njëjtë si Tadiqi, ndonëse të natyrës tjetër. Me popullaritet në rënie, me nevojën që ta spastrojë imazhin e tij të jashtëm, i paaftë që të sigurojë zgjerimin e njohjeve të Kosovës, dhe pa ndonjë mundësi që të ndikojë te përmirësimi i gjendjes ekonomike në vend, përafrimi i Kosovës me BE-në është e vetmja levë që i ka mbetur Thaçit që të sigurojë legjitimitetin e tij si lider politik. Gjatë fushatës së zgjedhjeve të kaluara, jo pa arsye Thaçi ngulte këmbë në liberalizimin e vizave, si një nga synimet e tij kryesore. Natyrisht, nga një pikëpamje më e gjerë politike dhe ekonomike, liberalizimi i vizave, sado i dëshirueshëm, domethënë pak për Kosovën, meqenëse ka shumë e shumë politika të tjera që janë më prioritare dhe më të nevojshme. Lidhja e tërë mandatit të tij të dytë me slloganin e integrimit dhe në veçanti me liberalizimin e vizave (për çka dikur Thaçi jepte edhe afate dhe data) kishte të bënte pikërisht me synimin e Thaçit për të shfrytëzuar mundësinë që përmes lëshimit pe në bisedime, dhe përmes gatishmërisë për të pranuar marrëveshje pavarësisht përmbajtjeve (domethënë për të hequr dorë nga çfarëdo parimi), të llogariste se do të “shpërblehet” (term i përdorur tashmë nga vetë anëtarë të kabinitetit të tij, si Edita Tahiri) për “bashkëpunim” dhe dëgjueshmëri.

Mirëpo, problemi nuk është se çfarë do të ndodh tash, por çfarë do të ndodh pas tre muajsh, kur, nën presion që të “shpëtojë” Serbinë nga mundësia e humbjes elektorale të forcave pro-evropiane të Tadiqit, BE-ja të detyrohet, sado me ngurrime dhe dyshime, që t’ia japë Tadiqit fitoren e statusit kandidat për Serbinë, me frikën se një alternativë e dytë kundrejt Tadiqit në Serbi është absolutisht e padëshirueshme. Në ndërkohë Tadiqi mund të bëhet më rigoroz në vënien nën kontroll të veriut, ndonëse kjo nuk duket punë e lehtë, për shkak të interesave të veçanta të grupeve të ndryshme politike e kriminale atje, të cilëve u konvenon anarkia aktuale. Sido që të jetë, mbetet akoma pikëpyetje nëse Thaçi do t’i marrë “shpërblimet” që i pret, siç është liberalizimi i vizave, sidomos në kushtet e një krize ekonomike mbarëevropiane në të cilën gjëja e fundit që do t’i duhej shumë shteteve të BE-së është një valë e re imigrantësh nga Kosova. Thaçi, megjithatë, i nxënë ngusht dhe në zor për të fituar shpërblimet e shumëpritura nga Brukseli, do të jetë i gatshëm t’i hyjë kompromiseve edhe më të mëdha, siç është pranimi i kërkesës së Tadiqit për status special për veriun, sidomos nëse edhe Brukseli fillon të anojë nga një zgjidhje e tillë. Kjo u pa edhe me rastin e marrëveshjes së fundit për kufijtë. Refuzimet vinin nga Beogradi ndërsa Prishtina pa ndonjë hamendje pranoi marrëveshjen për administrim të përbashkët të pikave kufitare.

Dhe në perspektivë, situata vetëm sa do të ndërlikohet. Tadiqi ka gjasa reale që të hyjë në BE me formulën e tij, “edhe BE edhe Kosova”, mirëpo kursi implicit i Thaçit, i shprehur në formulën “edhe BE edhe pa shtetësi” nuk funksionon. Ka dhjetëra vjet që Greqia bllokon Maqedoninë vetëm për shkak të emrit të saj. Është marrëzi të mendohet se Serbia nuk do të vazhdojë të pengojë, minojë dhe bllokojë Kosovën në çdo hap të vetin, aq më shumë kur këtë mund të bëjë nga pozicioni i një shteti kandidat të BE-së, e mbase pas pak vitesh edhe si vend anëtar i BE-së. Tadiqi nuk ngurron ta kërcënojë BE-në me “jo”, nuk ngurron të shfrytëzojë frikën dhe interesin e BE-së në Serbinë që të nxjerr koncesione, dhe strategjia e tij tashmë po jep rezultat. Askush nuk po i bën presion atij që ta njoh Kosovën, ndërsa marrëveshjet “teknike” me Kosovën nuk i kushtojnë asgjë Serbisë. Thaçi është ai i cili ka lidhur gjithë fatin e tij politik me vazhdimin dhe suksesin e negociatave. Pa to ai është ndërkombëtarisht jorelevant kurse në politikën e brendshme mbetët me agjendë të dështuar. Thaçi do të përkujdesët që negociatat jo vetëm të vazhdojnë por që ato të zhvillohen me shumë sukses.

Kolumna javore, Koha Ditore, 11 dhjetor 2011.
Ndiqe

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 640 other followers

%d bloggers like this: