Home

Ekonomia e sotme globale është e konstituuar nga mekanizma multilateralë. Që nga institucionet financiare ndërkombëtare, si FMN dhe Banka Botërore, e deri të organizatat regjionale si tregu i përbashkët i Bashkimit Evropian, apo edhe organizimi i tregtisë botërore përmes Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), janë këto infrastruktura institucionale që qëndron në bazë të tregtisë dhe qarkullimit global të mallrave e shërbimeve.

Për një shtet të ri si Kosova, integrimi në ekonominë globale si pjesëmarrëse e përhershme pengohet edhe nga mekanizma institucionalë dhe fakti i mosnjohjes së pavarësisë nga një pjesë e mirë e shteteve të rëndësishme të globit, disa nga të cilat bëjnë pjesë mu në këto organizata multilaterale. P.sh., përderisa Kosova është anëtare e FMN-së, ajo nuk mund të bëhet pjesë e OBT-së. Edhe anëtarësimi në BE përmban në vete sfida të shumta që, përveç përmbushjes së kritereve të anëtarësimit, duhet të ballafaqohet me faktin e mosnjohjes së shtetësisë nga pesë vende anëtare.

Të gjitha këto paraqesin pengesa jo vetëm politike e diplomatike për konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, por edhe në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe synimit të saj për të përfituar nga mundësitë zhvillimore që ofron pjesëmarrja në ekonominë globale. Megjithatë, një sferë e rëndësishme e marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare mbetët jashtë mekanizmave multilateralë. Fjala është për investimet e jashtme, që ende qeverisen sipas marrëveshjeve bilaterale mes shteteve, përmes traktateve të njohura si Traktate Bilaterale të Investimeve (TBI). Lidhja e TBI-ve nuk varet nga organizatat multilaterale dhe mekanizmat e ndryshme të vetos që ato përmbajnë, për shkak se vendimet në to mbështeten në votën e anëtarëve, qoftë të tërësishme ose të pjesshme.

Si rrjedhojë, në sferën e TBI-ve, diplomacia kosovare ka një fushë më të gjerë veprimi, sepse ato mund t’i lidhë, teorikisht, me secilin shtet që e njeh. Këtë sidomos nga fakti se vendet që njohin Kosovën përfaqësojnë pjesën më të madhe të PBB-së botërore dhe disa nga ekonomitë më të fuqishme në botë.

Si pasojë, do të dukej e pritshme që diplomacia kosovare do të angazhohej që të sigurojë lidhjen e sa më shumë TBI-ve, sidomos me shtetet kryesore partnere të Kosovës dhe sponsore të pavarësisë së saj, në mënyrë që të sigurojë një qarkullim të qëndrueshëm të investimeve në ekonominë e Kosovës.

Në fakt, një vlerësim sado sipërfaqësor dëshmon se kjo fushë e diplomacisë kosovare pothuajse ka dështuar. Kosova ka vetëm gjashtë (6) marrëveshje për mbrojtjen reciproke të investimeve, ose marrëveshje të tipit TBI. Marrëveshjet ekzistuese TBI të Kosovës janë me SHBA-të (2009), Austrinë (2010), Unionin Ekonomik Belgjikë-Luksemburg (2010), Zvicrën (2011) dhe Turqinë (2012). Ekziston edhe një marrëveshje me Shqipërinë, e lidhur në kohën e UNMIK-ut. Sa për krahasim me rajonin, Shqipëria ka 43 marrëveshje të tila, Serbia 52, Maqedonia 39, Mali i Zi 18. Me numrin e saj të marrëveshjeve TBI, Kosova është e krahasueshme me Afganistanin dhe Liberinë. Ritmi i marrëveshjeve TBI që nga pavarësia tregon se, mesatarisht, Kosova ka nënshkruar vetëm një TBI në vit. Ky është një ritëm jashtëzakonisht i ngadaltë dhe i pafavorshëm, madje edhe i dëmshëm për ekonominë e Kosovës.

TBI-të janë të rëndësishme sepse i ofrojnë garanca juridike ndërkombëtare investitorëve të jashtëm mbi sigurinë e investimeve të tyre në shtetet pranuese, p.sh. sigurinë e pronës, e qarkullimit të kapitalit, dhe mundesinë e arbitrimit ndërkombëtar të konflikteve. Si të tilla, TBI-të janë të dobishme sidomos për shtetet në zhvillim si Kosova, me traditë të dobët të mbrojtjes ligjore, pasi që i japin një garancë shtesë investitorëve të jashtëm se investimet e tyre janë të garantuara jo vetëm nga ligjet e vendit pranues, por edhe nga marrëveshjet ndërkombëtare. Ato gjithashtu ngrisin nivelin e bashkëpunimit ekonomik midis shteteve nënshkruese. Ato gjithashtu ngrisin nivelin e sigurisë për vetë shtetet pranuese të investimeve, pasi që edhe ato përfitojnë garanca për arbitrazh ndërkombëtar në rast se investitori shkel marrëveshjet me shtetin nikoqir, ndërmerr aktivitete abuzive ose nuk përmbush premtimet të cilat ka marrë përsipër.

Marrëveshje TBI Kosova nuk ka me Gjermaninë, ndër investitorët kryesorë të jashtëm në Kosovë dhe fuqia kryesore ekonomike në Evropë, me Francën, me Britaninë e Madhe e cila është qendra financiare e Evropës, me Japoninë, e as me shtetet e Evropës qëndrore e lindore të cilat janë anëtare të BE-së dhe të cilat do të mund të ishin burim i investimeve në Kosovë, si p.sh. Polonia, Hungaria ose Çekia. Investitorët turq duken të jenë të vetmit që deri më tani kanë shfrytëzuar mundësitë që u ka dhënë marrëveshja me Turqinë e lidhur në vitin 2012.

Është paksa ironike që dy qeveri të njëpasnjëshme që, që nga shpallja e pavarësisë, kanë trumpëtuar rëndësinë e investimeve të jashtme, nuk kanë arritur që të lidhin marrëveshje që krijojnë infrastruktrën bazike për tërheqjen e investimeve në Kosovë. Kjo sidomos duke marrë parasysh reputacionin ndërkombëtar të Kosovës si vend me korrupsion të lartë dhe ku sundimi i ligjit është në nivel të pakënaqshëm. Marrëveshjet TBI do të kishin efekt në zbutjen e frikës tek investitorët për sigurinë e Kosovës si destinacion i investimeve të tyre.

Edhe pse mosekzistienca e marrëveshje TBI nuk është shkaku kryesor dhe as i vetëm për këtë, ky fakt është mjaft domethënës në shpjegimin e asaj se pse Kosova ka parë pak rritje, madje edhe rënie, të investimeve të jashtme gjatë viteve të fundit.

Në një deklaratë të paradokohshme, Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë se lidhja e një numri kaq të vogël të TBI-ve është rezultat i faktit se negocimi i tyre zgjat me vite. Ndërsa, kanë premtuar se MPJ është duke punuar në lidhjen e një dyzine TBI-sh, përfshirë me shtetet si Gjermania, Holanda dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në fakt, ndonëse në të kaluarën, negocimi i TBI-ve mund të ketë zgjatur me vite, gjatë dekadës së fundit, lidhja e marrëveshjeve TBI është përshpejtuar nga fakti se shumë shtete të zhvilluara ato i bazojnë sipas një modeli shabllon. Kjo i përcakton marrëveshjes TBI një përmbajtje pak a shumë standarde, pavarësisht shteteve nënshkruese. SHBA-të, p.sh., përdorin një shabllon të tillë për lidhjen e marrëveshjeve TBI me pothuajse çdo shtet. Marrëveshje shabllon (model) kanë edhe Gjermania, Franca, Italia, Norvegjia, Kanadaja e shumë shtete të tjera.

Pra, problemi nuk qëndron te ajo se negocimi i marrëveshjeve TBI merr shumë kohë, sepse përmbajtja e marrëveshjeve nuk kërkon hamendësim të tepërt e as takime të panumërta.

Problemi qëndron tjetërkund. Problemi i parë qëndron te mosdefinimi i prioriteteve të diplomacisë ekonomike në politikën e jashtme, ku lidhja e TBI-ve, është neglizhuar apo nuk është konsideruar prioritet i angazhimeve diplomatike dhe i politikës së jashtme. Ky problem nuk ka të bëjë vetëm me MPJ-në, por me mungesën e prioriteteve strategjike e zhvillimore të dy qeverive të fundit që kanë udhëhequr Kosovën, lidhjen (para së gjithash konceptuale, e më pastaj edhe organizative) të politikës së jashtme me një strategji zhvillimore ekonomike. Si pasojë e këtyre dështimeve, ekonomia e Kosovës ka humbur mundësitë për nxitjen e investimeve, rritje të qëndrueshme ekonomike dhe hapje të vendeve të punës.

Problemi i dytë, dyshoj unë, është te mungesa e kredibilitetit e këtyre dy qeverive të kaluara, nën udhëheqjen e Hashim Thaçit, që të lidhin marrëveshje TBI me shtete të rëndësishme. Besoj se vetë shtetet partnere nuk kanë parë gatishmërinë e as kredibilitetin tek qeveritë e gjashtë viteve të fundit, për të garantuar provizionet ligjore e institucionale që i kërkojnë marrëveshjet TBI. Thjesht, shtetet partnere nuk duan t’i fusin në rrezik investitorët e tyre, duke i nxitur ata që të derdhin para në një vend i cili nuk mund ta garantojë për sigurinë bazike të tyre.

Pavarësisht këtyre, qeveria e ardhshme e Kosovës (e cila, përderisa shkruaj këta rreshta, akoma nuk është konstituuar), duhet ta ndryshojë drastikisht kursin e gjertanishëm duke bërë lidhjen e marrëveshjeve TBI prioritet të parë të politikës së saj të jashtme. Kjo duhet të bëhet jo vetëm si qëllim në vete, por në kuadër të një strategjie më të gjerë zhvillimore ku investimet e jashtme janë një element i rëndësishëm (ndonëse jo i vetmi) për rritjen e punësimit në Kosovë, sigurimin e një rritjeje të qëndrueshme ekonomike, dhe ndërtimin e një ekonomie që është thellësisht (dhe jo vetëm margjinalisht) e lidhur në ekonominë globale.

Botuar në revistën “Ekonomia”, nëntor 2014.

Lini një koment