Arkiva Kategorie: Uncategorized

Ik Mubarak!

Nuk ka mundur Hosni Mubaraku ta paramendojë se lëvizja kundër tij do të jetë kaq e fuqishme. Gjatë javës së shkuar as huliganët pro-qeveritarë, për të cilët spekulohet se janë mobilizuar nga industrialistët egjiptas të cilëve kriza e vendit po i kushton me humbje të afarizmit, nuk arriten të dëbojnë protestuesit nga sheshi Tahrir (që në arabisht do të thotë “liria”) i Kairos. Në kolumnën e javës së kaluar kam përmendur disa nga veçoritë socio-ekonomike që karakterizojnë shoqërinë egjiptase. Ato vlen të përkujtohen edhe një herë, por edhe të plotësohet me disa të tjera: një popullatë, gjysma e së cilës është nën moshën 25 vjeçare, një shkallë e papunësisë që tek rinia arrin deri në 25%, e ku 20% e popullatës është e varfër. Ndonëse pjesëmarrja në protesta përfshin të gjitha moshat dhe profilet socio-ekonomike, këto fakte tregojnë se armata e masave popullore e gatshme për të qëndruar në rrugë deri në fund është më se e mjaftueshme. Por fakti demografik nuk është i vetëm dhe as i mjaftueshëm: vetë çlirimi kognitiv dhe vetëbesimi i ndjerë nga thyerja e aparateve represive të regjimit nga masat popullore në luftimet nëpër rrugët e Kairos, Aleksandrisë, Suezit dhe qyteteve tjera të Egjiptit, dhe tejkalimi i frikës së ndjellur me dekada nga policia sekrete e Mubarakut, tashmë kërkon të realizohet në një realitet të ri shoqëror e politik për Egjiptin.

Kjo do të paraqesë problem për Mubarakun, i cili me kokëfortësi refuzon të përmbush kërkesat e protestuesve për të ikur menjëherë nga pushteti. Situata e tij politike po përkeqësohet meqë edhe Washingtoni ka ndryshuar qëndrimin e matur dhe tani presidenti Obama insiston në një tranzicion sa më të shpejtë (që nënkupton dorëheqjen e Mubarakut dhe formimin e një qeverie të tranzicionit). Aq më tepër që duket se ka defektorë edhe nga qeveria e re e formuar nga Mubaraku, disa nga të cilët thuhet se kanë shprehur simpati ndaj protestuesve. Çelësi kyç, sikur në Tunizi, do të jetë qëndrimi i armatës. Në Tunizi, humbja e mbështetjes nga armata rezultoi në detyrimin e presidentit Ben Ali të marrë rrugën e arratisë. Në Egjipt qëndrimi i armatës deri më tani ka qenë më neutral. Armata, ndonëse i ka pushtuar rrugët e Kairos, as nuk ka zbatuar dhunë kundër protestuesve, por as kreu i lartë nuk ka dhënë shenja konkete se e tërheq përkrahjen nga Mubaraku. Urdhërimi i armatës që të shuaj kryengritjen popullore me dhunë është hap i rrezikshëm gjithashtu për shkak se vetë armata përbëhet nga rekrutë të thjeshtë që mund të kenë simpati ndaj kërkesave të protestuesve, për të mos thënë se një veprim i tillë mund të shënojë fillimin e një lufte shkatërruese civile. Prandaj edhe arma e preferuar e Mubarakut dhe mbështetsve të tij ka qenë perndjekja me dhunë e protestuesve përmes mobilizimit të huliganëve civilë lojalë apo të paguar nga regjimi.

Vendosmëria e protestuesve është e qartë edhe nga fakti se ata nuk heqin dorë nga kërkesat përkundër faktit se Mubaraku ka shpenzuar të gjitha mjetet politike të një autokrati i cili gjendet buzë humbjes së pushtetit. Të tillët, menjëherë premtojnë reforma, duke bërë veprime të paparamenduara më parë. Në fillim Mubaraku shpartalloi qeverinë dhe emëroi një kryeministër të ri. Pastaj, ish-shefin e policisë sekrete të tij e emëroi zëvendes-president, ndonëse Mubaraku asnjëherë gjatë 30 vjetëve të qëndrimit të tij në pushtet nuk ka patur zëvendës-president (Mubaraku vetë ka qenë zëvendës-president në kohën e atentatit të kryer kundër presidentit Anuar Sadat më 1981). Në fillim të kësaj jave premtoi se nuk do të garojë në zgjedhjet presidenciale të shtatorit, të cilat Mubaraku i ka fituar çdo vit zgjedhor në masën mbi 80%, kuptohet çdo herë me manipulime dhe shantazhe. Një premtim që nuk duket aq impresiv duke marrë parasysh moshën 82 vjeçare të autokratit plak, dhe mandatet gjashtë-vjeçare presidenciale (megjithëse, gjatë zgjedhjeve të fundit të radhës, Mubaraku me krenari pat deklaruar se nuk do të largohet nga pushteti deri sa të vdes). Kartat e Mubarakut tashmë duken të shpenzuara kurse vendosmëria e protestuesve revolucionarë e palëkundur, përkundër dhunës.

Pyetja në mendjen e shumë njerëzve, kuptohet, është se çka do të bëhet me Egjiptin nëse ecuritë çojnë në largimin e Mubarakut. Fakti është se opozita më e organizuar në Egjipt është Vëllazëria Muslimane, organizatë me orientim islamist. Kjo lëvizje është zyrtarisht e ndaluar në Egjipt, por ajo vazhdon të veprojë (pjesërisht për qëllime të regjimit; Mubaraku vazhdon ta shantazhojë Perëndimin se nëse ai largohet, Egjipti do të shndërrohet në shtet islamist). Por kjo çështje nuk varet tashmë nga Mubaraku, por edhe nga aftësia organizative e segmenteve tjera të opozitës. Duke marrë parasysh se në krye të protestave kanë qenë sindikatat dhe organizata tjera, ndërsa Vëllazëria ka qëndruar anash për shumë kohë, nuk duket se ajo do të jetë në pozitë që të diktojë kushte në rast të një tranzicioni. Dhe vlerësimet e njohësve të rrethanave në Egjipt thonë se Vëllazëria nuk ka përkrahje në më shumë se 20% të popullatës. Frika te Washingtoni dhe të tjerët është natyrisht qëndrimi që do të kishte një qeveri e kontrolluar ose e dominuar nga Vëllazëria ndaj paktit të paqes midis Egjiptit dhe Izraelit, por edhe përkrahjes që ajo do të jepte për Hamasin palestinez, që mban lidhje të forta me Vëllazërinë.

Rikonstruktimi politik i Egjiptit në rast të ikjes eventuale të Mubarakut do të jetë proces i vështirë. Rrëzimi i regjimit nuk do të përkthehet në zbutje të papunësisë e as ulje të korrupsionit, që është i pranishëm gjithandej shoqërisë. Situata do të jetë më e vështirë nëse Mubaraku vazhdon të polarizojë situatën dhe dhuna vazhdon, duke provokuar shumë natyrishëm një valë të revanshizmit më vonë. Kam frikë se filozofi Alain Badiou ka vetëm pjesërisht të drejtë në vlerësimin e tij për ngjarjet në Egjipt: lëvizja në Egjipt po dëshmon se epoka e revolucioneve popullore nuk ka perënduar, siç trumpëtojnë liberalët dhe konservatorët (përfshirë dhe analistët qeveritarë të Kosovës), ndërsa ardhjen e demokracisë në botën arabe e shihnin të penguar nga gjoja specifikat e veçanta kulturore arabe dhe të fesë islame (një argument në të cilin gjejnë pajtim të plotë me Mubarakun, i cili këto ditë tha se sundimi i tij është i nevojshëm pikërisht për shkak të këtyre veçorive kulturore). Por nuk është e qartë që revolucioni në Egjipt do të prodhojë një situatë cilësisht të re të përmasave historike-botërore. Shpesh zhvillimet në Tunizi dhe Egjipt janë krahasuar me rënien e regjimeve komuniste në Evropën lindore në fund të viteve 1980. Mirëpo, ekziston një dallim i theksuar. Përderisa lëvizjet popullore në Evropën lindore fituan liritë politike me çmimin e humbjes së shumë të drejtave sociale, drejtësia sociale qëndron në zemër të kërkesave të lëvizjes në Egjipt. Të shpresojmë se revolucionarët egjiptas nuk do të bëjnë gabimin e evropianëve lindorë, që në mungesë të një ideologjie revolucionare, me entuziazëm përvetësuan konceptin neoliberal të organizimit shoqëror dhe politik, për ta kuptuar çmimin e tij vetëm më vonë. Nëse zhvillimet çojnë në nxjerrjen e një forme të re kushtetuese dhe politike në Egjipt, të shpresojmë se karshi të drejtave politike, forcat progresive të Egjiptit do të arrijnë që të drejtat sociale t’i bëjnë pjesë konstituive të këtij modeli, dhe të ndërtojnë forma organizative për ruajtjen dhe zhvillimin e solidariteteve dhe shoqërore dhe aleancave klasore të formuara gjatë momentit revolucionar. Vetëm atëherë mund të themi se Egjipi nuk është vazhdimësi e vizionit neoliberal dhe neokonservator për “fundin e historisë” dhe universalitetin e modelit politik dhe ekonomik liberal, por një moment i ri historik-botëror që çel kahje të reja për historinë botërore.

Sido që të vazhdojë rrjedha e ngjarjeve, në një formë, revolucioni në Egjipt është fakt i kryer. Emancipimi kolektiv që ka shkaktuar shndërrimi i mllefit dhe cinizmit individual në forcë revolucionare garanton se kthim mbrapa nuk ka. Të shpresojmë se autokrati plak do ta kuptojë këtë sa më parë dhe nuk do ta çojë vendin e tij drejt gjakderdhjes së mëtejmë.

Botuar te Koha Ditore, 6 shkurt 2011

Letër e hapur deputetit Nait Hasani

I nderuar z. Deputet,

në mungesë të një rruge tjetër të komunikimit zyrtar po ju drejtohem në këtë mënyrë. Si shtetas i Republikës së Kosovës dhe si familjar, konkretisht nip, i dy nga personave që ju përmes avokatit tuaj i ngarkoni me akuzën e rëndë të frymëzimit, urdhërimit dhe zbatimit të gjenocidit kundër popullit shqiptar në Kosovë, jam i interesuar të mësoj më shumë rreth padisë penale që ju pretendoni të ngreni kundër ish-udhëheqësve të Luftës Anti-fashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë, ish-udhëheqësve dhe zyrtarëve të tjerë të institucioneve të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në kuadër të Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, institucione këto të trashëguara nga Republika e Kosovës, pjesëtar i njërës nga të cilat, përkatësisht Kuvendit të Kosovës, jeni edhe ju. Më saktësisht, jam i interesuar ta kuptoj zellin tuaj për t’i persekutuar disa nga të vdekurit dhe që karrierën e tyre politike e përfunduan para mbi njëzet e më tepër vitesh, pasi që ata që sot janë gjallë dhe përfunduan në listën tuaj të spastrimit kanë mundësi të flasin e të mbrohen vetë. Megjithatë duhet të theksoj se po ju shkruaj për çështjen në përgjithësi, sepse nuk besoj që, kur vije puna te përgjegjësia morale dhe ligjore, të tillë çfarë po e kërkoni ju, individët duhet të mbrohen në pako, përkundrejt jush që mendoni se protagonistët e historisë moderne të Kosovës mund dhe duhet të dënohen në pako.

Fillimisht, më intereson t’i sqaroni motivet e padisë që keni ngritur, nga fakti që një gjë e tillë ndodhi pa zhvilluar asnjë debat në Kuvendin e Kosovës, dhe jo vetëm kaq, pa u angazhuar për zbardhjen e fakteve historike nga ndonjë komision i pavarur i përbërë nga historianë dhe hulumtues të paanshëm dhe pa agjenda politike e ideologjike. Kjo formë veprimi nga ju, dëshmon se ju nuk jeni për njohjen e drejtë të historisë moderne të Kosovës, aq më pak për drejtësi historike, por favorizoni ndjekjen e një politike përçarëse me qëllime të qarta revanishiste. Më intereson pse merreni me të ashtuquajtura “krime të komunizmit”, ndërsa nuk merreni me dënimin e krimeve të okupatorëve fashist dhe nazist dhe të bashkëpunëtorëve të tyre të periudhës 1941-44 në Kosovë, disa nga të cilët sot përkujtohen në Kosovë me festa e emërtime rrugësh, kundrejt personave në fjalë që nuk kanë asnjë mirënjohje zyrtare për veprën e tyre jetësore nga Republika e Kosovës. Më intereson gjithashtu, pse nuk ekziston as një dhe e vetmja akuzë kundër Slobodan Millosheviqit, zyrtarëve të regjimit të tij në gjykatat e Kosovës dhe individëve të implikuar në krime të dokumentuara gjenocidi, pikërisht atë akuzë që ju kërkoni t’ia mvishni një gjereratë të tërë liderësh dhe zyrtarësh të Kosovës, ndërkohë që këto krime janë shumë më të freskëta në kujtesën e popullit e Kosovës se sa ngjarjet e vitit 1945 apo 1968.

E dyta, meqë përgjegjësia penale, e tillë që vërtetohet në gjyq, është individuale dhe jo kolektive, pra një lëndë penale në Republikën e Kosovës nuk mund të ketë për bazë akuza politike por prova materiale për vepër penale, më intereson ta di të plotë lëndën gjyqësore kundër dy personave që përfshihen në padinë tuaj, Ymer Pulës dhe Fadil Hoxhës, meqë janë familjarë të mi, sidomos meqë ju këta persona i ngarkoni me akuzën e rëndë të gjenocidit. Siç besoj ta kini parasysh z. Deputet, Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, e miratuar nga OKB-ja më 1948, në radhë të parë si përgjigje ndaj Holokaustit dhe për parandalimin e krimeve të kësaj shkalle, gjenocidi përkufizohet si vepër që “synon ta shkatërrojë, tërësisht apo pjesërisht, një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”, përkufizim që përdorët edhe në Kodin Penal të Kosovës. Më intereson se në bazë të çfarë dëshmive ju argumentoni që këta persona kanë frymëzuar, urdhëruar, apo zbatuar gjenocid, meqë asnjë historian apo institucion shkencor, përveç akuzave me prapavijë politike të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë në vitin 1986, nuk ka pohuar se në Kosovë, midis viteve 1945 deri më 1989 ka ngjarë asnjë lloj gjenocidi, si dhe në bazë të cilës rregull juridike ju kërkoni përgjegjësi penale dhe përndjekje penale të personave që nuk janë më ndër të gjallët. Duke marrë parasysh se dokumentimi i përgjegjësisë për krimin e gjenocidit i zgjati me vite Gjykatës së Nurembergut, e cila pati në dispozicion dosje sekrete naziste të kapura nga Forcat Aleate, i zgjat me vite Gjykatës së Hagës, prokuroria e së cilës ka në posedim ekipe me dhjetëra hetues dhe qindra të tjerë si staf ndihmës për hulumtime të rasteve, pra iu deshen e i duhen vite të tëra që ta zbardhin vetëm një rast të përgjegjësisë kriminale për gjenocid, jam shumë kurioz ta di se si ju dhe avokati juaj arritet që në mënyrë maratonike të dokumentoni një gjë të tillë për mbi 30 persona për një periudhë 45 vjeçare.

E treta, dua ta shpreh faktin se unë kam dëgjuar për ligje lustrimi, kam dëgjuar për ligje që hapin për konsultim publik dosjet e aparateve të sigurisë dhe të policive sekrete, kam dëgjuar për masa për njohjen e viktimave të represionit politik, por nuk kam dëgjuar asnjë rast në historinë e kohës tonë që dikush të ketë tentuar të kriminalizojë me proces gjyqësor të gjithë protagonistët e një epoke të tërë historike. Një gjë e tillë është e paparë edhe në rastin e nazizmit, një nga regjimet më vrastare dhe më kriminale që ka njohur historia evropiane dhe botërore. Duke marrë parasysh këto, z. Deputet, unë nuk kam si të mos konstatoj se ky veprim i juaji nuk ka asgjë të bëjë as me zbardhjen e historisë dhe as me drejtësinë historike, por është një veprim i pamatur, i ultë dhe i turpshëm me motive kryekeput politike dhe revanshiste. Duket se një gjë të tillë e ka konstatuar edhe kreu i partisë suaj dhe udhëheqësia e Kuvendit të Kosovës, e cila ju ka lënë të vetmuar në kryqëzatën tuaj.

E katërta, siç kanë treguar vende me histori shumë më tragjike se Kosova (po, z. Deputet, ka të tilla!), çdo marrje me plagët historike të një shoqërie, qëllim nuk e kanë hakmarrjen e as nisjen e një gjuetie shtrigash, por është proces që në radhë të parë shoqëria të reflektojë mbi të kaluaren e saj, në mënyrë që të prodhojë një tjetër sistem vlerash, më demokratik, më inkluziv, më të drejtë, që të nxjerr mësimet historike, që të dënojë ato që duhet dënuar, por pa e denoncuar, mohuar dhe kriminalizuar në tërësi historinë e vet. Kjo e fundit është veti vetëm e arrivistëve politikë (një kategori ku po dëshmoni se bëni pjesë), të tillë që pretendojnë ta shpallin vetën e tyre prokurorë dhe gjyqtarë të parë e të fundit të historisë, që shpallin të kaluarën të pavlefshme me pretendimin që historia fillon me ta. Mjerë ju e mjerë ky vend, për këtë filozofi të mjerë politike që po e dëshmoni si prijatarë të veprimeve tuaja.

E pesta, më intereson nëse krahas gjenocidit, që nuk është fjalë për t’u marrë në gojë lehtësisht, pra që përbën një nga krimet më të tmerrshme që mund të bëhen, gjithashtu konsideroni si krim të rëndë kundër popullit manipulimin dhe vjedhjen nga pjesëtarët e pushtetit të parasë dhe të pronës publike, dhe më intereson nëse do të ndërmerrni hapa që avokatin tuaj dhe prokurinë e Kosovës ta angazhoni në përndjekje të atyre që zbatojnë krime të tilla e që janë sot ndër të gjallët, me zellin, përkushtimin dhe efiçiencën e njëjtë me të cilin e nxitni prokurorinë që t’i përndjekë të vdekurit dhe ata që nuk kanë mundësi të mbrohen.

E gjashta, më intereson ta di nëse ju keni ndërmend që, në përputhje me logjikën e revanshizmit dhe denoncimit të historisë që e promovoni, të shpallni të pavlefshëm shkollimin tuaj fillor, atë të mesëm dhe atë universitar, që i mbaruat në gjuhën shqipe (dhe jo, p.sh., në atë serbokroate) në kuadër të sistemit arsimor të KSAK, pra që në Kuvendin e Kosovës të figuroni si deputet i pashkollë, meqë ato institucione që ju i mbaruat u themeluan, u drejtuan dhe ekzistuan në saje të po atij regjimi dhe të angazhimit politik të po këtyre individëve që ju i akuzoni për gjenocid kundër popullit shqiptar. Më intereson nëse angazhoheni për mbylljen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve pasi që ky institucion u themelua nga Kuvendi i KSAK, një kuvend i kontrolluar nga komunistët dhe të tjerë që sipas jush, qenkan implikuar në krime gjenocidi, dhe nëse angazhoheni për djegien dhe shkatërrimin e plotë të letërsisë shqipe të botuar nga ndërmarrja “Rilindja”, pasi që ai institucion ka origjinat e veta në organin e Frontit Popullor Nacionalçlirimtar, një organizatë komuniste, dhe funksionoi në saje të punës së atyre që ju i akuzoni si zbatues të gjenocidit, përfshirë edhe Ymer Pulën që për një periudhë ishte drejtor i kësaj ndërmarrjeje.

E shtata, më intereson ta di se me çfarë të drejte morale ju e denonconi komunizmin dhe kërkoni rezolutë parlamentare për denoncimin e komunizmit, duke marrë parasysh se keni qenë bashkëpunëtor i Lëvizjes Popullore të Kosovës, pararendësja e së cilës njihej si Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, organizatë politike me orientim ideologjik komunist dhe marksist-leninist, që ka kultivuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me policinë sekrete (Sigurimin) e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, dhe që si model politik, ekonomik dhe kulturor ka patur stalinizmin që praktikohej në RPSSH. Kur, z. Deputet, filluat të njiheni si kundërshtar i komunizmit, kur keni qenë vetë i ngjizur e i formuar politikisht në variantën më të egër të asaj ideologjie? Ta dimë, z. Deputet, në mënyrë që, po qe e nevojshme, t’ju fusim në rang listën e disidentëve të njohur anti-komunistë, si Vaclav Havel në Çekosllovaki, Adam Michnik në Poloni, Andrei Sakharov në Rusi, e të tjerë si këta. Apo anti-komunizmin u kujtuat ta përvetësoni sot, nga kalkulimi oportunist se kështu do të dilni nga anonimiteti dhe të krijoni një identitet politik, të tillë çfarë ju nuk e keni dhe ju ka munguar në vazhdimësi që kur e keni zën pozitën e deputetit, dhe keni aprovuar në heshtje të gjitha proceset që ka kaluar ky vend në dhjetëvjetëshin e fundit, përfshirë ndarjen e Mitrovicës dhe të veriut të Kosovës, decentralizimin mbi baza etnike, kufizimet e ushtrimit të sovranitetit të Kosovës të përcaktuara nga Pakoja e Ahtisaarit, e të mos flasim për korrupsionin dhe abuzimet që ju ndodhin para hundësh.

Për fund, më intereson ta di, vetëm nga kureshtja, z. Deputet, se cilit flamur i betoheni ju, sepse me sa di unë, në kohën e KSAK, pra në kohën kur individët që ju i akuzoni për gjenocid kundër popullit shqiptar ishin në pozita udhëheqëse në Kosovë, flamur zyrtar i kombësisë shqiptare në Kosovë ishte flamuri i kuq me shqiponjën dykrenare në mes dhe yllin e kuq përmbi, dhe jo ndonjë flamur i sajuar me konkurs dhe i miratuar nga Kuvendi i Kosovës ku bëni pjesë edhe ju, ndërsa kushtetuta në fuqi njihte popullin shqiptar në Kosovë si pjesë përbërëse të kombit shqiptar, e nuk kishte një kushtetutë që nuk përmend fare popullin shqiptar as në preambulë, as në nenin e parë, e as në të dytin, kurse kombin shqiptar nuk e njeh fare si koncept e kategori, kushtetutë kjo e ratifikuar nga Kuvendi ku bëni pjesë ju personalisht, z. Deputet, me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Kam përshtypjen mos, z. Deputet, duke qenë i njohur edhe me historinë e aktivizmit tuaj, po ngarendni që të gjykoni simbolikisht figurat historike shqiptare komuniste të Kosovës për tentim-shkatërrim të kombit shqiptar, jo pse komunistët shqiptarë kanë një faj të tillë, por sepse dëshironi që me gjestikulacione dhe spektakle të tilla simbolike të bëni shenjë se jeni nacionalist dhe mbrojtës i kombit, pikërisht kur politikisht nuk arritet që të dëshmoheni i tillë.

Pres përgjigje nga ju, z. Deputet, në mungesë të së cilës gjithë këtë aferë të turpshme do ta konsideroj si tallje me historinë e Kosovës, tallje me popullin e Kosovës, tallje me partinë tuaj, tallje me votuesit tuaj, mbase edhe tallje me vetën tuaj!

Sinqerisht,

Besnik Pula

New York

20 prill 2010

Sundimi i ligjit kundër drejtësisë

Këto ditë u kumtua lajmi për gjykimin e sërishëm të Albin Kurtit, kësaj radhe nga prokuroria dhe gjykatësit e EULEX-it. Albin Kurti kishte qenë më parë subjekt i drejtësisë ndërkombëtare, duke u gjykuar nga prokuroria dhe gjykatësit e UNMIK-ut në vitin 2007. Atëherë, sikur kësaj radhe, akuza është e njëjtë, dhe ka të bëjë me rolin e tij në protestën e Lëvizjes Vetëvendosje të shkurtit 2007, e cila kishte rezultuar në vrasjen e dy protestuesve nga policia ndërkombëtare dhe lëndimin e dhjetëra të tjerëve nga dhuna policore. Atëherë, sikur sot, kemi të bëjmë pak apo aspak me drejtësinë, dhe shumë me përdorimin politik të instrumenteve ligjore dhe represive kundër kundërshtarëve politikë të regjimit aktual dhe të kritikëve të sundimit ndërkombëtar në Kosovë.

Pavarësisht se sa kanë luajtur rol motivet politike në nxitjen e vendimit të prokurorisë së EULEX-it për rigjykimin e Albinit, këtu qartë kemi të bëjmë me një rast ku ligji, përmes kryerjes së një padrejtësie, shërben si mjet për legjitimimin dhe shpërlarjen e padrejtësive tjera. Në fakt, kemi të bëjmë me një varg padrejtësish, që ndjekin pas si fantazmë karrierën gjyqësore të kësaj lënde.

Padrejtësia e parë është vetë lënda gjyqësore si e tillë. Gjykimi kundër Albin Kurtit, i mbajtur gjatë vitit 2007 nën përkujdesjen e prokurorisë së UNMIK-ut, u dëshmua atëbotë si një debakël total juridik. E para, ekzistonte një kontest serioz rreth bazës materiale të akuzës, që pandeh se Albini ka nxitur turmën në dhunë gjatë protestës së Lëvizjes Vetëvendosje të shkurit 2007. Nga video-xhirimet e protestës, që janë të shumta dhe gjehen kollaj në Internet, shihet qartë se elementi i dhunshëm në demonstratë kanë qenë jo protestuesit, por policia. Sipas hetimeve të bëra nga një panel i UNMIK-ut, është konstatuar se njëri nga viktimat e protestës është qëlluar nga pas, domethënë kur ka qenë në ikje e sipër nga policia, që tregon se në këtë rast, dhuna policore është përdorur në ofansivë, jo në mbrojtje. Për më tepër, në asnjë moment nuk ka pasë sulm nga protestuesit kundër policisë e as vërsulje drejt ndërtesave qeveritare që policia ka qenë angazhuar t’i mbrojë. Përgjegjësi kryesor për eskalimin e dhunës në protestën e shkurtit 2007 kanë qenë dhe janë njësitet e policisë së UNMIK-ut.

E dyta, për ta mbuluar skandalin e vet, atë të policëve rumunë të UNMIK-un që efektivisht ekzekutuan dy protestues, ajo tentoi që përgjegjësinë t’ia hedhë Albinit si udhëheqës të protestës, të organizuar nga një lëvizje që nuk bëri asgjë më shumë se sa të ushtrojë të drejtën elementare qytetare për t’u tubuar dhe shprehur pakënaqësinë e vet. E treta, gjykimi që pasoi u ndoq gjatë tërë kohës me gabime serioze procedurale, ikjen e njëpasnjëshme të avokatëve mbrojtës dhe arrogancën e gjykatësve që tejkalonte çdo mandat juridik. Për shkak të paaftësisë dhe jokompetencës së prokurorëve dhe gjykatësve ndërkombëtarë, Albini vuajti nëntë muaj nëpër burgje – edhe pse gjykata nuk arriti të dëshmojë asnjëherë se Albini ka kryer çfarëdo akti kriminal. Mirëpo, nga fakti se procesi gjyqësor tani, me EULEX-in, nuk vazhdon, por fillon nga e para (efektivisht duke e gjykuar Albinin dy herë për të njëjtën akuzë, diçka që është e ndaluar me ligj), kjo i bie që, sipas EULEX-it, Albini kurrë nuk ka qenë në paraburgim, me çka hapet rruga për burgosje të sërishme, pavarësisht nëse gjyqi arrin të dëshmojë fajësinë kriminale apo jo.

Dhe, padyshim, padrejtësia më e madhe është se vrasësit e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, dy protestuesve që e pësuan fatalisht më shkurt 2007, asnjëherë nuk u sollën para asnjë gjykate. Shpejt pas incidentit, UNMIK-u liroi nga detyra njësitin rumun, i cili me shpejtësi iku andej prej nga erdhi, që vrasësit të vazhdojnë jetën e tyre thuajse nuk ndodhi asgjë, aq më tepër duke u kompezuar për “shërbimet” e tyre me pagë nga buxheti i OKB-së. Paneli hetues i UNMIK-ut, në raportin e tij të qershorit 2008, konkudoi se vrasjet e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt ishin “të panevojshme dhe të shmangshme”, dhe se kishin ndodhur nga përdorimi i tepërt i dhunës policore. Por, në vend të drejtësisë për viktimat, atëherë, sikur sot, gjykohet Albin Kurti, në një përpjekje për ta bërë atë përgjegjës për dhunën e asaj dite, dhe duke tentuar që t’i dërgojë mesazh të qartë kërcënues Lëvizjes Vetëvendosje dhe çdo lëvizje tjetër që me kërkesat dhe veprimet e tij tejkalon kufijtë e të lejueshmës politike në Kosovë.

I ballafaquar me dështimin e tij të radhës, pasi që po dëshmohej se UNMIK-u nuk di të organizojë as dhe një gjykim të mirëfilltë (duke dështuar, madje, në aspektet më elementare teknike dhe formale të gjykimit), më 2007 gjykata papritur kishte pezulluar lëndën. Por kjo, tashmë është e qartë, ishte taktikë vonuese – rasti do të futej në sirtar (përkujtojmë se kjo ishte periudha e ndjeshme e negociatave për statusin e Kosovës) deri në ardhjen e një momenti më të përshtatshëm politik për rinisjen e procesit. Në ndërkohë gjykimi kishte shërbyer funksionin politik të mënjanimit të Albin Kurtit nga çfarëdo interventimi dhe veprimtarie politike gjatë periudhës së negociatave të liderëve kosovarë me Serbinë, duke e izoluar atë në burg dhe duke tentuar që me këtë të dëmtohet dhe të dobësohet Lëvizja Vetëvendosje e cila ishte e vetmja forcë politike që aktivisht kundërshtonte negociatat dhe Pakon e Ahtisaarit.

Atëbotë mësuam edhe diçka nga puna e aparateve të sigurisë në Kosovë. Kjo është se sipas tyre, jo të gjithë të akuzuarit janë të njëjtë. Përderisa të akuzuarit me lidhje të fuqishme politike lirohen për t’u mbrojtur në arrest shtëpiak, lihen të shëtisin lirshëm, gjatë gjykimeve i “humbin” dëshmitë dhe dëshmitarët etj., disa të tjerë kategorizohen si “shumë të rrezikshëm” (siç u kategorizua Albini) dhe ndaj tyre përdorën masa të veçanta izoluese. Nëse niveli i demokracisë në një shoqëri shihet nga veprimtaria e aparateve të tij të sigurisë, e kuptuam se ky aparat në Kosovë funksionon në formë selektive dhe përjashtuese, duke penalizuar të pafuqishmit dhe duke garantuar imunitet për të fuqishmit. Ky regjim, padyshim, vazhdon edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në emër dhe firmë.

Padrejtësia sot sërish shfaqet nën firmën e sundimit të ligjit, që kësaj radhe mban mbiemrin EULEX. E para, vetë fakti se gjykatat në Kosovë mund të hapin një lëndë, ta pezullojnë atë për një kohë, dhe ta rihapin sërish në të ardhmen përbën asgjë më shumë se sa një mekanizëm shantazhi politik. Aq më tepër kur i akuzuari vuan burgim pa iu shqiptuar asnjëherë asnjë dënim. Këtu qartazi kemi të bëjmë shumë pak me ligjin dhe drejtësinë, e shumë më tepër me presionin politik që drejtohet apo gëzon mbështetjen e qarqeve të larta politike të EULEX-it dhe kompleksit diplomatiko-politik të Prishtinës që qëndron mbrapa tij.

E dyta, fakti se mu kjo lëndë është prioritet i lëndëve në sirtarin e EULEX-it flet shumë për karakterin e këtij institucioni. Qytetari mesatar në Kosovë ka shpresuar se EULEX-i do të angazhohet për të ndalur format më flagrante dhe më të rënda të kriminalitetit në Kosovë, disa nga të cilat ndodhin brenda apo nën ombrellën e qarqeve të larta politike. Mirëpo, po bëhet e qartë se EULEX-i preferon të gjykojë figura publike të pavarura si Albin Kurti, që nuk kanë padronë të fuqishëm politikë, ekonomikë e diplomatikë mbrapa tyre. Gjithmonë në emër të sundimit të ligjit.

Perversitetet e shumta të këtij procesi kanë shumë pak të bëjnë me drejtësinë. Gjykimi i sërishëm i Albin Kurtit vetëm na përkujton – tragjikisht dhe revoltueshëm – për njëanshmërinë, joefektivitetetin, politizimin dhe – thjeshtë – ideologjizimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe arrogancën e një sistemi juridik që shfaqet, in flagrante delicto, duke kryer padrejtësi.

Botuar te Koha Ditore, 30 janar 2010

Funksioni ideologjik i korrupsionit

Si i kemi punët sot me korrupsionin? Korrupsionin duhet ta kuptojmë në dy nivele: në kuptimin pozitiv (çfarë përdoret në një shqyrtim juridik apo studim sociologjik), korrupsioni është akt që shkel një normë të caktuar ligjore apo morale, përmes të cilit individi përfiton diçka në një mënyrë që nuk i takon. Mirëpo, përveç këtij përkufizimi, kemi edhe një anë tjetër të korrupsionit, shumë më të rëndësishme se ky i pari: anën fenomenologjike të tij, në kuptimin e ekzistencës kolektive të tij si diskurs, si formë ligjërimi me të cilin ndërtohet përshkrimi i jetës shoqërore. Në këtë kuptim, korrupsioni nuk është kategori që përshkruan një akt konkret, por një shënjues i përgjithshëm që mbërthen përshkrimin e tërë transformimeve politike dhe ekonomike në Kosovë që nga viti 1999. Pikërisht ky është kuptimi i saktë i korrupsionit në diskursin politik kosovar. Përderisa rastet e dënimeve përmes proceseve juridike të rasteve të korrupsionit janë të pakta dhe të neglizhueshme, diskursi i përgjithshëm dëfton se korrupsioni është i gjithanshëm dhe gjithpërfshirës. Atë e gjen që nga niveli i ulët i administratës (ku, për një shërbim të vogël, duhet të paguash rryshfet), deri tek majat e larta të politikës, ku zihen lidhje të ngushta në mes të politikës dhe biznesit, ku manipulohet me fonde publike nga e cila individë të caktuar nxjerrin përfitime personale etj. Korrupsioni prandaj nuk është vetëm akt, ai është, në këtë diskurs, gjendje shoqërore. Është pjesë normale e rregullimit shoqëror gjatë “tranzicionit”, ku gojëdhënat dhe thashethemet për aferat e ndryshme korruptive të filanit apo fistekut shpërthejnë si rrufe nëpër diskutimet private. Ky diskurs nuk është i veçantë për Kosovën; të njëjtin e gjen në të gjitha vendet postsocialiste, që nga Rusia deri në Shqipëri. Aq shumë sa që mundemi saktësisht dhe pa ironizime ta mbërthejmë gjithë periudhën e “tranzicionit” në vendet e ish-Bllokut socialist në një tranzicion në një gjendje të përhershme të korrupsionit.

 

Korrupsioni, në këtë kuptim e tij si diskurs, pra, si ideologji, nuk ka të bëjë me rastet konkrete të korrupsionit, me shfaqje konkrete të tij, me një vlerë sasiore të tij. Përkundrazi, diskursi i korrupsionit përkufizohet nga papërcaktueshmëria e tij: sipas tij, në këtë kohë, GJITHKUSH është i korruptuar, aq më tepër kur fjala është për njerëzit e pushtetit – ata janë, pa dallim, të gjithë të korruptuar, të gjithë vjedhin. Por, në ekstrem, e dimë se sociologjikisht, një sistem shoqëror i tillë është i pamundur: çdo sistem shoqëror ndërtohet sipas disa normave, qofshin ato edhe perverzione të drejtpërdrejta të normave zyrtare të atij sistemi shoqëror. Korrupsioni total është i pamundur si fakt sociologjik: rezultati i tij është i imagjinueshëm vetëm në botën Hobbesiane të luftës së secilit kundër secilit, në një botë pa rregulla dhe pa kufij i cili ekziston vetëm hipotetikisht. Prandaj, vetë korrupsionin duhet ta kuptojmë si dukuri sistemike, me një fjalë, siç na mësojnë edhe studimet sociologjike, korrupsioni ekziston në vetëvete i normuar nga sistemi shoqëror: ka rregulla të korrupsionit, situata në të cilat korrupsioni është rrjedhë normale e gjërave, norma që i rregullojnë aktet korruptive (p.sh., deri në çfarë mase është e “lejueshme” që të plaçkitet paraja publike, sa është “çmimi” joformal që duhet të paguhet për një shërbim publik etj.). Korrupsioni është proces i dyanshëm: ai domosdoshmërisht kërkon dy palë, pra një bashkëveprim në krim, edhe pse palët nuk janë gjithnjë të barabarta. Në këtë mes, ndalesat formale kundër korrupsionit (p.sh. ligjet kundër vjedhjeve dhe malverzimeve me arkën e shtetit, procedura për rregullimin dhe kufizimin e shkëmbimeve monetare të fondeve publike, monitorimi publik i shpenzimeve buxhetore dhe sjelljes së zyrtarëve etj.) kryejnë efektin e nxitjes së vetë korrupsionit: me vetë ekzistencën e tyre ato provokojnë shkeljen e normës zyrtare dhe japin standardin karshi të cilit matet niveli i patologjive shoqërore. Mirëpo, ekzistenca e akteve korruptive nuk domethënë se sistemi shoqëror është disfunksional – ai mund të jetë disfunksional karshi ideologjisë dhe normave zyrtare të tij – por jo karshi ideologjive “praktike” të pjesëtarëve të saj, i cili shkon përtej normave dhe rregullave zyrtare për të pohuar se “në këtë vend/në këto rrethana, kështu bëhen punët”. Ideologjia pra nuk ekziston në rregullat formale të sistemit, por në të çarat që plotësojnë të metat e tij, që bëjnë sistemin të funksionojë si sistem.

 

Gjatë viteve 1950 dhe 1960, në sociologjinë amerikane lindi një degë e veçantë e sociologjisë që më vonë filloi të njihet si sociologjia e organizatave. Interesi i kësaj dege të sociologjisë lidhej me teoritë dominantë kohës, paradigmës së funksionalizmit, ku roli i sociologut shihej pothuajse sikur të një terapisti shoqëror, i ngarkuar me zbulimin e “defekteve” dhe “disfunksionaliteteve” dhe rasteve të “keqintegrimit” që mund të korrigjoheshin me intervenime korrigjuese politike, juridike dhe organizative. Mirëpo, ajo që zbuloi kjo degë e studimeve nuk ishte aspak në ndihmesë të “stabilizimit” të funsionimit të organizatave, por diçka shumë më subverzive: që organizatat të funksionojnë, shumë më të rëndësishme se rregullat formale, procedurat, aktet normative etj., ishin rregullat implicite, joformale, “praktike” që mundësonin akterëve të organizatës që “të kryejnë punë”. Mirëpo, duhet të shkohet edhe një hap më tej: a nuk është bota joformale e çdo organizate parakusht për ekzistencën e vetë organizatës formale? Organizimi modern burokratik prodhon anën e lapërdhishme të tij, ku që të kryhet puna dhe të nxirren rezultate efektivisht kërkohet shkelja e normave dhe rregullave formale të organizatës.

 

Lidhur me këtë, është mirë të kujtojmë një barcoletë nga koha e Enver Hoxhës. Një zyrtar i Sigurimit i drejtohet një qytetari: “çfarë mendimi ke për Patinë?!” Ky, i terrorizuar, i përgjigjet, “unë mendoj atë që e mendon ti”. Sigurimsi ia kthen: “jo, se po e mendove atë që e mendoj unë, duhet të të arrestoj në vend!”. A nuk ishin barcoletat mekanizmi ideologjik i cili plotësonte të çarat e ideologjisë së diskredituar zyrtare të sistemit socialist? Të njëjtin funksion sot, në epokën e ndërtimit të kapitalizmit, e kryen diskursi për korrupsionin. Korrupsioni rrallë herë ka objekt specifik, por kryen funksion ideologjik: Nuk është që diskursi për korrupsionin, siç thotë versioni liberal, “fsheh një të vërtetë, se zyrtarët janë të korruptuar, se biznesi është i korruptuar, por me ligje dhe implementim më të fuqishëm të tyre këto raste do të minimizohen etj.”, e vërteta është më skandaloze se kaq. Diskursi për korrupsionin, në fakt, është forma praktike e implementimit të normave dhe ideologjisë zyrtare të sistemit shoqëror (“demokracia parlamentare”, “sundimi i ligjit”, “ekonomia e tregut” etj.). Me një fjalë, duke aluduar në farsën që është ideologjia zyrtare, diskursi për korrupsionin shpreh të vërtetën e procesit historik që po e kalon shoqëria kosovare: një ndryshim radikal të kuptimeve thelbësore për normat shoqërore, të një ribërje klasore të shoqërisë dhe një rikategorizimi të hierarkive shoqërore dhe statusore. Aq sa që kjo na jep leje ta përmbysim shprehjen e dikurshme të marksizëm-leninizmit dogmatik: “rruga për në komunizëm kalon kah socializmi” (pra, që burokratizmi i tepërt socialist dhe intervenimet e ndryshme të aparatit shtetëror ishin një domosdoshmëri historike për të arritur tek një shoqëri komuniste), në këtë: “rruga për në kapitalizëm kalon kah korrupsioni” (që korrupsioni dhe të këqijat tjera janë domosdoshmëri për ndërtimin e një ekonomie kapitaliste). Këtë e dimë edhe nga Marksi, i cili kategorikisht hedh poshtë rrëfimet mitike për origjinën e kapitalizmit, që ato gjehen në natyrë, në shkëmbim, në arsye, por në procesin historik të asaj që ai e quan “akumulimi primitiv i kapitalit”. Ky proces ndodh në mënyrën më ilustrative në Anglinë e shekullin XVI, kur me ligje të reja nga Parlamenti, tokat dhe kullotat kolektive u shndërruan në prona private të aristokracisë, pas së cilave pasoi dëbimi i bujqëve dhe fshatarëve nga toka. Në këtë rast, siç shprehet Marksi, dhuna kishte funksion ekonomik, ndërsa akumulimi primitiv i kapitalit ishte parakusht për ndezjen e qarkut të akumulimit të vazhdueshëm kapitalist.

 

Nëse e marrim diskursin për korrupsion si shprehje të proceseve reale të ndërtimit të kapitalizmit (që nënkupton, në radhë të parë, formimin e një klase kapitaliste, ndërtimin, qoftë me mjete të “tregut”, siç janë monopolet dhe përvetësimi i aseteve të dikurshme publike, qoftë edhe me dhunën e plaçkitjes së hapur, shoqëruar me krijimin të hierarkive të reja shoqërore, të institucionalizimit të një sistemi klasor, të komodifikimit dhe monetarizimit të sa më shumë sferave shoqërore, të pjesëmarrjes në rrjetet e varshmërive dhe hierarkisë ekonomike globale etj.), çka nënkupton kjo për një politikë anti-korrupsion? Çka domethënë sot të denoncosh korrupsionin, pa rënë në grackën e koordinatave dominante ideologjike (“korrupsioni është i keq, por, me forcimin e shtetit, ai do të zhduket”,  apo “korrupsioni është i keq por, është i domosdoshëm për këtë fazë të zhvillimit të shoqërisë” etj.)?

 

Është interesant në këtë mes roli i ish-drejtorit në dorëheqje të RTK-së, Agim Zatriqi. Në Kosovë ka ndodhur një proces i ndryshëm nga vendet tjera ish-socialiste: përderisa atje, ishte burokracia e lartë e socializmit ajo që përfitoi më së shumti nga privatizimet dhe tregu liberal i “tranzicionit” (ku ish-drejtorët përvetësonin ndërmarrjet publike dhe shoqërore, duke u shndërruar në pronarë privatë të tyre dhe krijuar monopole të menjëhershme, ku ish-zyrtarët e sistemit socialist shpejt rimorrën pushtetin përmes zgjedhjeve etj.), diçka që prodhoi, sikur në rastin e Rusisë, një klasë të vogël miliarderësh brenda natës ndërsa varfëroi shumicën e popullatës, “korrupsioni” është asociuar shpesh me elitën ish-komuniste. “Po”, thonin liberalët e tranzicionit, “ne do të kishim demokraci, sundim të ligjit, treg të lirë etj., mirëpo problemi janë ish-komunistët e korruptuar që i zaptuan të gjitha!”. Ky diskurs u shfaq edhe në Kosovë me rastin e Zatriqit: ky akuzohej si “drejtor i keq” jo vetëm për shkak të aferave që kishin ndodhur në RTK gjatë kohës së tij, por nga fakti se Zatriqi ka qenë ish-aktivist politik në periudhën e socializmit, kishte mbajtur poste politike në ish-krahinën e Kosovës etj., pra ishte “komunist”. I njëjti diskurs përdorët edhe për gjykatësit dhe prokurorët: ata që kanë shërbyer në periudhën e krahinës së Kosovës shihen si të korruptuar, të padrejtë, të paaftë etj. (është intersant kjo marrje me kohën e autonomisë ndërsa shlyhet kujtesa e dhjetëvjetëshit nën Millosheviqin, kur shteti ishte njëmend represiv dhe i dhunshëm – ata që gëzonin privilegje politike dhe ekonomike në atë periudhë nuk shihen si problematik, nuk sfidohen dhe as kontestohet legjitimiteti i tyre). Por problemi në Kosovë është ky: Zatriqi është anomali në një kontekst ku “korrupsioni” nuk është karakteristikë e elitës ish-komuniste, por e asaj post-, madje edhe anti-komuniste. Në Kosovë, për korrupsionin nuk mund të fajësohen ish-komunistët, me formulën se, “po t’i hiqnim këta, gjithçka do të ishte në rregull”, pasi që “këta” nuk dominojnë sot në elitën politike dhe ekonomike të Kosovës.

 

Ku na lë kjo? Zhveshja e maskës ideologjike të korrupsionit si element i trashëguar nga e kaluara na e shpërfaq të vërtetën e aktualitetit historik: korrupsioni nuk është, as si ideologji, as si praktikë, mbeturinë nga e kaluara, por element konstituiv në ndryshimet aktuale shoqërore. Në këtë mes, thirrjet për forcimin e ligjit, për formcimin e shtetit, për denoncimin moral të korrupsionit janë reaksionare dhe thirrje për më tepër autoritarizëm. A nuk është po i njëjti sentimet që solli lindjen e putinizmit në Rusi, dhe nocionin e shtetit të fuqishëm, autoritar e represiv, me gjitha elementet fallike që lidhen me të? Paradoksi i këtij diskursi është se kërkesat e tij janë të realizueshme: shteti forcohet jo që të zhduk korrupsionin, por në mënyrë që të vazhdojnë më efektivisht proceset e nisura, duke vepruar në mënyra më autoritare dhe më të dhunshme, duke ngushtuar më tej hapësirat e veprimit të lirë politik e shoqëror. Prandaj, ndoshta më shumë se për denoncime të korrupsionit, sot kemi nevojë për denoncime të një sistemi politik dhe ekonomik i cili nuk mund të funksionojë pa të.

Botuar te Koha Ditore, 6 nëntor 2009

Sovraniteti i Kosovës dhe sovraniteti i Serbisë

Në vijim është përgjigja ime ndaj artikullit të fundit të Shkëlzen Gashit. Tërë debatin, i cili po zhvillohet në Kohën Ditore, mund ta lexoni më poshtë.  
 
Me Shkëlzen Gashin jemi pak a shumë dakord rreth pjesës më të madhe të çështjeve substanciale mbi problemin e sovranitetit në Kosovë. Ai numron kufizimet e shumta për ushtrimin efektiv të sovranitetit të brendshëm në Kosovë që rrjedhin nga Pakoja e Ahtisaarit, mbi të cilat jemi pak a shumë dakord (një detaj i rendësishëm: e ashtuquajtur “shumicë e dyfishtë” ku kërkohet shumica e votave të përfaqësuesve të minoriteteve për aprovimin e një ligji, nuk vlen për çdo ligj, por vetëm për ato të “interesit vital” për komunitetet – shih draft-Kushtetutën e Kosovës). Kontestuese midis nesh mbetët çështja e vazhdimësisë së sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Shkëlzeni vazhdon të pohojë se ky sovranitet vazhdon, në një mënyrë të sofistikuar, siç e quan ai. Unë pata argumentuar se një konstatim i tillë është i pasaktë. Të shohim tani ku qëndrojnë dallimet rreth karakterizimit të situatës dhe cilat janë arsyet për to.
Megjithëse ndarja konceptuale që ia bën sovranitetit politikologu Stephen Krasner (të cilin e citoi Shkëlzeni) është e dobishme, për hir të lexuesve dhe për hir të argumentit unë sovranitetin do ta thjeshtëzoja këtu vetëm në dy aspekte themelore: (1) kontrollin e brendshëm të territorit (ushtrimin efektiv të pushtetit), përfshirë dhe monopolin mbi përdorimin legjitim të mjeteve të dhunës (funksionimi i forcave të armatosura si ushtria dhe policia), dhe (2) legjitimiteti ndërkombëtar mbi territorin. Në qershor 1999, Serbia efektivisht e ka humbur formën e parë të sovranitetit mbi Kosovën. Me njohjen ndërkombëtare pas 17 shkurtit, Serbia e humb edhe formën e dytë të sovranitetit mbi Kosovën. Format e mbetura të ushtrimit të pushtetit të Serbisë në Kosovë, që bëhet përmes të strukturave paralele administrative, do mund ta cilësonim si një ushtrim të pjesërishëm të autoritetit sovran, mirëpo ato nuk përbëjnë ushtrim të sovranitetit mbi Kosovën SI TËRËSI. Në vijim do t’i adresoj çështjet e hapura.
Me Shkëlzenin jemi kryesisht dakord rreth rëndësisë historike të njohjes ndërkombëtare të Kosovës. Mirëpo Shkëlzeni thotë se përkundër njohjes, kufizimet tjera mbi pushtetin në Kosovë megjithatë nuk e vendosin Kosovën në raport të barabartë me Serbinë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Kjo është e saktë, por kjo nuk rrjedh nga fakti se Serbia ruan sovranitetin e saj ndërkombëtar mbi Kosovën. Kjo rrjedh nga fakti i kufizimeve të sovranitetit që Serbia nuk i ka. Serbia nuk sundohet nga një mision ndërkombëtar por një qeveri sovrane. Serbia gjithashtu është anëtare e OKB-së dhe organizatave tjera ndërkombëtare. Serbia gjithashtu nuk e trajton Kosovën si shtet të pavarur sepse nuk e njeh si të tillë, por e sheh si pjëse të territorit të saj. Por njohja ndërkombëtare e Kosovës megjithatë ia anulon Serbisë sovranitetin ndërkombëtar mbi Kosovën (që e gëzonte me Rezolutën 1244 dhe me UNMIK-un, deri në momentin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës), pasi që për shtetet që e njohin Kosovën, Kosova dhe Serbia tashmë përbëjnë dy subjekte të ndryshme ndërkombëtare. Ky është fakti kryesor, pavarësisht pretendimeve të Serbisë se Kosova është akoma pjesë e territorit të saj. Dhe ky është aspekti i “efekteve në terren” të njohjes – njohja përbën më shumë se një akt simbolik, siç po e lë të kuptohet Shkëlzeni. Njohja i jep legjitimitet një pushteti, pavarësisht se sa kontroll të brendshëm ka ai. P.sh. Transnistria, Osetia jugore dhe Abkhazia kanë kontroll të brendshëm po aq sa shumë shtete të pavarura, por nuk gëzojnë njohje ndërkombëtare, prandaj dhe si rrjedhojë shihen si entitete jolegjitime dhe janë të privuara nga shumë privilegje që i takojnë vetëm shteteve të njohura. Bosnja-Hercegovina u njoh si entitet ndërkombëtar, dhe pavarësisht luftës që zhvilloi Millosheviqi, ai nuk arriti ta zhdukë këtë entitet, por u desh ta njoh ekzistencën e tij si shtet sovran. Pra njohja ndërkombëtare ka një efekt të vetin edhe “në terren”, sepse ndryshon rrënjësisht koniukturat ndërkombëtare brenda të cilave trajtohet një territor i caktuar. Çështja nuk është se a konstituohen shtetet nga brenda apo nga jashtë, me fakt në terren apo me njohje (në historinë e shteteve, kemi nga të dyja llojet). Çështja është se për të ekzistuar efektivisht një shtet sovran, i duhen dyjat: edhe pushteti brenda territorit, edhe njohja ndërkombëtare. Kosova tashmë është në proces të përfitimit të kësaj të fundit edhe pse mund të jetë e kufizuar në të parën. 
Çështja tjetër kontestuese është statusi i Pranisë Ushtarake Ndërkombëtare (PUN). Unë nuk pajtohem me konstatimet e Shkëlzenit që mandati mbi të cilin ndërtohet PUN tregon për vazhdimësinë e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Arsyeja pse PUN (apo, më saktësisht, NATO) nuk ka një marrëveshje të llojit Status of Forces Agreement (SOFA) me Kosovën është në radhë të parë sepse NATO-ja vazhdon në Kosovë ta ketë rolin e një pranie paqeruajtëse me autoritete të gjera (ngjashëm me SFOR/EUFOR në Bosnjë). Në rastet e marrëveshjeve SOFA, ushtrisë së huaj i jepen disa të drejta të caktuara (shfrytëzimi i territorit, i bazave dhe hapësirës ajrore etj.), por jo edhe e drejta për zbatimin e funksioneve të sigurisë, siç janë intervenimet, arrestimet dhe operacionet ushtarake brenda vendit, siç i gëzon PUN. Ndërkaq, arsyeja pse bazë e mandatit të saj është Rezoluta 1244, është inercioni juridik – meqë Rusia bllokoi aprovimin e një rezolute të re, PUN duhet të shfrytëzojë si bazë të mandatit të saj paqeruajtës rezolutën ekzistuese, në mënyrë që të ketë legjitimitet ndërkombëtar. PUN, madje, nuk nxjerr autoritetin e saj vetëm nga Rezoluta 1244, por do ta nxjerr edhe nga Kushtetuta e Kosovës. Me një fjalë, nuk është vetëm mandati nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së por edhe autoriteti sovran i Kosovës që ia “falë” atë mandat dhe ia transferon PUN-së (dhe PCN-së) një pjesë të sovranitetit të saj (kuptohet, autoritetet e Kosovës janë të kushtëzuara politikisht dhe obligohen nga Pakoja e Ahtisaarit, të cilën e kanë pranuar, për ta bërë një hap të tillë, por interpretimi strikt juridik është ky). Asnjë nga këto nuk tregojnë pse Serbia do të vazhdojë të ruajë ndonjë lloj sovraniteti mbi Kosovën. Pavarësisht mandatit dhe statusit juridik të PUN në Kosovë, ai nuk do të jetë instrument i Beogradit. Të kesh sovranitet do të thotë të kesh pushtet komandues, e kjo nuk ka qenë e as nuk do të jetë e vërtetë për asnjë moment përsa i përket raportit midis Beogradit dhe PUN. Ndërkaq, interpretimi se FSK do të jetë segment i institucioneve të mbrojtjes të Serbisë më duket absurd. Në çdo pikëpamje, forcat e sigurisë, përfshirë dhe PUN, i nënshtrohen institucioneve civile, dhe përderisa nuk ekziston një pushtet civil i Serbisë mbi Prishtinën e as mbi PUN (i cili do të udhëheq FSK-në), nuk do të ekzistojë kurrfarë kontrolli i Serbisë mbi FSK-në. Ndryshe i bie se komanda civile e FSK-së do të jetë Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, që është absurde.
Çështja përfundimtare janë borxhet dhe strukturat paralele. Shkëlzeni nuk e shtron drejtë çështjen e borxheve dhe trashëgimisë, duke argumentuar se për shkak se ajo nuk është zgjidhur drejtë, do të thotë se Kosova vazhdon të jetë nën sovranitetin e Serbisë. Edhe ky konstatim është i pabazuar. Ndarja e Kosovës po konsiderohet ndërkombëtarisht si ndarje nga Serbia e jo nga ish-Jugosllavia, prandaj dhe Kosova nuk merr pjesë të barabartë në çështjet e sukcesionit të ish-Jugosllavisë. Mirëpo, fakti pse kjo çështje nuk është zgjidhur drejtë nuk do të thotë se si rrjedhojë, vazhdon sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën. Një çift i martuar mund të divorcohet dhe njëra palë të mbetët e dëmtuar për shkak të ndarjes së jobarabartë të pasurisë. Mirëpo, mosndarja e barabartë e pasurisë nuk e anulon faktin e divorcit. 
E vetmja pikë ku Shkëlzeni mund të argumentojë për një mbetje të ushtrimit të autoritetit të Serbisë në territorin e Kosovës, janë strukturat paralele administrative, edhe pse Shkëlzeni nuk e thekson këtë çështje dhe e trajton vetëm në kuadër të Pakos së Ahtisaarit dhe provizioneve të saj për decentralizimin. Mirëpo problemi kryesor nuk janë provizionet e Ahtisaarit (sado të këqija që janë) se sa fakti që Serbia ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë një autoritet të pjesshëm në enklavat serbe përmes funksionimit të strukturave paralele. Mirëpo, duhet të jemi shumë të qartë kur flasim për strukturat paralele: ky autoritet është i pjesëshëm në formë, sepse përfshin kryesisht funksione administrative, arsimore dhe sociale, dhe nuk ka si pjëse të saj forca të uniformuara të rendit (të paktën jo legjitime dhe legale). E dyta, ky autoritet shtrihet vetëm në zona të fragmentuara nëpër Kosovë (kryesisht në veri, si dhe në disa enklava serbe). Kështu, ai përbën ushtrim të një autoriteti administrativ të Serbisë brenda pjesëve të territorit të Kosovës, por jo ushtrim i sovranitetit mbi Kosovën si tërësi. Duhet gjithashtu ta kemi parasysh se strukturat paralele janë dhuratë që UNMIK-u ia lë pas Kosovës së pavarur. Për nëntë vite, edhe pse do të duhej të  ishte autoriteti i vetëm juridik në Kosovë, UNMIK-u toleroi strukturat paralele dhe lejoi zhvillimin dhe zgjerimin e tyre (ndërsa liderët kosovarë toleruan tolerancën e UNMIK-ut). Pra, si fakt juridik, strukturat paralele edhe sipas Rezolutës 1244 janë krijesa jolegjitime dhe ilegale. Decentralizimi dhe Pakoja e Ahtisaarit janë përgjigje politike ndaj këtij realiteti, duke tentuar që të krijojë një strukturë të dyfishtë, apo, siç pat thënë në një rast vetë Ahtisaari, të pajtojë ekzistencën e strukturave autonome brenda një shteti unitar. Por, pavarësisht se çfarë thuhet në Pako, realiteti është se implementimi i decentralizimit mund të mbetët peng i politikës së Beogradit, përderisa vazhdon politika e tolerimit të strukturave paralele. Për decentralizimin mund të thuhet shumë (unë kam shkruar për rreziqet e saj qysh në vitin 2006), sepse ai po e shndërron problemin e ushtrimit të pushtetit të Kosovës në enklavat serbe në një problem afatgjatë, dhe ia jep Beogradit një levë të përhershme për të manipuluar me minoritetin serb. Mirëpo çështja thelbësore këtu është se as strukturat paralele, as decentralizimi nuk përbëjnë ushtrim as faktit e as juridik të sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën si entitet politik.
Në fund, e theksoj sërish se me Shkëlzenin pajtohemi përsa i përket kufizimeve të shumta të ushtrimit të sovranitetit që do të ketë shteti i ri i Kosovës. Ky shtet i ri është i kufizuar në fushat kyçe që e bëjnë një shtet, që janë në radhë të parë forcat e rendit, drejtësisë dhe sigurisë. Prandaj dhe marrja e Shkëlzenit me këtë problematikë është me vend. Aty ku nuk pajtohem është që të gjurmojmë gjer në imtësi dokumente të ndryshme juridike për të kërkuar ekzistencën apo jo të sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Unë them se praktikisht dhe legalisht, ky sovranitet ka mbaruar. Realiteti ndërkaq duhet të kërkohet mu aty ku Shkëlzeni thotë se duhet të konstatohet ekzistenca e një shteti: kontrolli në terren. Përderisa Serbia gjen rrugë për ushtrimin e pushteteve të drejtpërdrejta administrative brenda zonave të caktuara të Kosovës, rreziku për paqe dhe stabilitet do të jetë i përhershëm. Ndërkaq, kufizimet e sovranitetit të brendshëm që rrjedhin nga Pakoja e Ahtisaarit mbajnë rrezikun e shndërrimit në një varshmëri të përhershme të Kosovës ndaj strukturave të jashtme për aspektet kryesore të pushtetit. Një shtet i tillë nuk është dhe nuk mund të jetë sovran dhe i pavarur në kuptimin e plotë të fjalës. Shkëlzeni mund ta quaj Deklaratën e Pavarësisë një Deklaratë të Varësisë, por kjo varësi nuk shkon në drejtim të Serbisë por në drejtim të strukturave tjera nga të cilat mbetët e varur Kosova. Përfundimisht, deklarata e 17 shkurtit për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran nuk ishte konstatim i një situate të krijuar, por shprehje e një aspirate të vazhdueshme, përpjekjet për të cilat tashmë do të zhvillohen në një terren të ri politik. Prandaj dhe rëndësia që këtë terren të ri politik ta perceptojmë drejtë dhe saktë.

Rezoluta 1244 dhe njohja ndërkombëtare (nga Shkëlzen Gashi)

Në vijim është përgjigja e Shkëlzen Gashit ndaj reagimit tim. Artikulli postohet këtu me leje nga Shkëlzeni për t’ua lehtësuar të interesuarve që ta ndjekin debatin. Ky shkrim është botuar në Kohën Ditore të datës 25 shkurt 2008.

 

 

Nga një lexim i kujdesshëm i shkrimit të mikut tim Besnik Pula, të botuar në gazetën Koha Ditore të datës 21 shkurt 2008, vërehet qartë se ai dhe unë jemi në të njëjtat valë për pjesën më të madhe të problemeve që ai i trajton në shkrimin e tij. Sidoqoftë, për një trajtim më adekuat të tematikës se sa sovrane do të jetë Kosova, për mendimin tim, do të ishte mirë të merren katër kuptimet e termit sovranitet, që i jep Stephen Krasner në librin e tij të tilluar Sovereignty: Organized Hypocrisy: sovraniteti legal ndërkombëtar; sovraniteti westphalian; sovraniteti i ndërvarësisë; dhe sovraniteti i brendshëm. Meqë ra fjala, kuptimit të fundit të termit sovranitet, pra sovranitetit të brendshëm, Besniku i është referuar në magjistraturën e tij brilante me titull Contested Sovereignty and State Disintegration: The Rise of the Albanian Secessionist Movement in Kosova, të mbrojtur në Georgetown University. Sidoqoftë, le t’i trajtojmë me radhë këto kutpime të sovranitetit në rastin e Kosovës.

 

Për sa i përket sovranitetit të brendshëm, që është organizimi formal i autoritetit dhe aftësia e autoritetit për të ushtruar kontroll brenda shtetit, duhet thënë se Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN) jo vetëm që do të jetë autoriteti final sa i përket interpretimit të Planit të Martti Ahtisaarit (e drejta për të gjykuar në shkallë të fundit, sipas Jean Bodin është prerogativë e sovranitetit) por, ai edhe do të ketë fuqi të përjashtojë nga detyra secilin zyrtar nëse kundërshton Planin e Ahtisaarit. Po ashtu, Kuvendi i Kosovës, jo vetëm që nuk mund ta miratojë Kushtetutën e Kosovës pa miratimin e PCN-së, por, për më keq, nëse ka kontradiktë mes Kushtetutës së Kosovës dhe Planit të Martti Ahtisaarit, ky i fundit mbizotëron. Sipas Pakos së Ahtisaarit, për miratimin, ndryshimin apo shfuqizimin e ligjeve kërkohet edhe shumica e anëtarëve të Kuvendit, të cilët mbajnë ulëse të rezervuara apo të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve, të cilat nuk janë në shumicë. Edhe Jean Bodin në librin e tij “Sovraniteti” thotë se shenja e parë e sovranitetit nënkupton pushtetin për të vendosur ligje. Për më shumë, PCN-ja do të ketë të drejtën, nëse është e nevojshme, të anulojë çdo veprim, që ndërmerret nga autoritetet e Kosovës. Sovraniteti i ndërvarësisë ka të bëjë me kapacitetin e autoritetit lokal për të kontrolluar qarkullimin e informatave, të mirave, njerëzve, kapitalit përmes kufijve të shtetit. Kapaciteti për këto kontrollime, në të vërtetë, i takon Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar sepse ai ka kompetenca në sferën e sundimit të ligjit, gjyqësi, polici, dogana, shërbime korrektuese…

Në vijim të kësaj, ai do të ketë autoritetin e emërimit të drejtpërdrejtë të udhëheqësve të doganave, tatimeve, privatizimit, financave dhe thesarit. E, sikundër thotë Jean Bodin-it, emërimi apo shkarkimi i zyrtarëve kryesorë është element i rëndësishëm i sovranitetit.

 

Kuptimi i tretë i sovranitetit sipas Krasnerit është sovraniteti westphalian, i cili i referohet mosndërhyrjes së ndonjë autoriteti të jashtëm brenda shtetit. Në këtë pikë, Kosova duhet të ketë sovranitet vetëm sa kanë shtetet sovrane dhe të pavarura përreth. Mirëpo, ç’

është e vërteta, Kosova do të ketë ndërhyrje nga dy autoritete të jashtme: Misioni i BE-së (i cili do operojë në bazë Rezolutës 1244 gjegjësisht pikës 10 dhe 17 të kësaj rezolute), që me kompetencat që ka është Qeveri e njëmendtë e Kosovës, kurse Qeveria formale e Kosovës do të jetë agjension i këtij misioni; dhe Republikën e Serbisë, që do të ketë të drejtë të ketë marrëdhënie të drejtëpërdrejta me entitetin serb në Kosovë (afërsisht 1/3 e territorit të Kosovës), duke i financuar komunat serbe në Kosovë, pothuajse në çdo sferë të jetës.

 

Në fund, kemi sovranitetin legal ndërkombëtar, që i referohet njohjes legale të shteteve nga shtetet tjera. Nuk ka asnjë dilemë se njohja e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur nga një varg i shteteve më të fuqishme në botë, përbën një hap tejet të rëndësishëm (që nuk mund të minimizohet në asnjë mënyrë) duke e vendosur Kosovën në raport tjetër karshi Serbisë, por jo në raport mes dy shteteve sovrane e të pavarura. Në aspektin e sovranitetit legal ndërkombëtar, Kosova ka pozicion pothuajse identik me Tajvanin sepse që të dy këto entitete kanë gjysëm-subjektivitet ndërkombëtar, ngase nuk janë anëtarë në organizatat ndërkombëtare sikur OKB-ja apo OSBE-ja. Në të vërtetë, Tajvani është në pozicion më të mirë se Kosova sepse nuk ka mision ndërkombëtar që e sundon sikur Kosovën dhe nuk ka entitet kinez brendapërbrenda sikur që ka Kosova entitetin serb. Në anën tjetër, BiH, edhe pse e ndarë brendapërbrenda sikur Kosova, për sa i përket sovranitetit legal ndërkombëtar, për dallim prej Kosovës, ka subjektivitet të plotë ndërkombëtar (këtu po dallojmë Besniku dhe unë), ngase është anëtar i organizatave ndërkombëtare si OKB, OSBE dhe i njohur ndërkombëtarisht nga Serbia e Kroacia.

 

Një tjetër dallim mes Besnikut dhe meje konsiston në atë se ai, siç duket, është përkrahës i shkollës konstituive të së drejtës ndërkombëtare për sa i përket njohjes së shteteve të pavarura dhe sovrane, e unë përkrahës i shkollës deklarative. Unë mendoj se njohja nuk mund dhe nuk e krijon shtetin, pra njohja nuk është konstituive, por është thjesht deklarative. Sikundër pat thënë edhe Robert Badinter në mendimin numër një, efektet e njohjes nga shtetet tjera janë krejtësisht deklarative. Shteti duhet të ekzistojë paraprakisht. Njohja e shtetit nuk është asgjë tjetër veçse deklarim se sipas shtetit A, ekziston shteti B. Andaj, njohja ndërkombëtare prej disa shteteve, përbën realitet të ri, por jo realitet të ri në terren, ashtu siç po pretendon Besniku. Konventa për të Drejtat dhe Detyrat e Shteteve, e njohur si Konventa e Montevideos, precizon se, përveç territorit dhe popullsisë, entiteti që tenton të bëhet shtet sovran dhe i pavarur duhet të ketë nën kontroll atë territor. Pra, shteti duhet të ekzistojë njëmend, e vetëm pastaj të shpallet ekzistenca e tij dhe të kërkohet njohje nga komuniteti ndërkombëtar. Kontrolli i territorit është shumë më i rëndësishëm sesa njohja ndërkombëtare. Serbia, për shembull, nuk e ka parë njohjen ndërkombëtare të Bosnjë dhe Hercegovinës si një ngjarje që do të ndryshonte ndonjë gjë në realizimin e planit të saj. Për më shumë, Millosheviq edhe ka bërë shaka duke thënë se edhe perandori romak Kaligula e ka deklaruar kalin e tij për senator, por kali i tij asnjëherë nuk është bërë senator, andaj e njëjta gjë do të ngjajë edhe me Alia Izetbegovicin: ai do të ketë njohje ndërkombëtare, por jo shtet. Çeshtja e sovranitetit nominal të Serbisë mbi Kosovën është komplikuar jashtëzakonisht shumë, duke u bërë sfidë për shumë ekspertë të së drejtës  ndërkombëtare. Në të vërtetë, kjo edhe është arsyeja përse në shkrimin tim, ‘Deklarata e Varësisë’, të botuar më 19 shkurt 2008 në KOHA Ditore (Timothy Garton Ash në shkrimin e tij të botuar më 21 shkurt në Los Angelos Times të titulluar ‘The Kosovo precedent’

thotë se Deklarata e Pavarësisë është po ashtu deklaratë e varësisë) kam thënë se Serbia do të ketë sovranitet në mënyrë fort të sofistikuar mbi Kosovën. Këtu është dallimi kryesor mes Besnikut dhe meje. Ja përse mendoj se sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën do të jetë i sofistikuar:

 

Në bazë të të ashtuquajturës ‘Deklaratë për Pavarësinë e Kosovës’ Prania Civile Ndërkombëtare (PCN) dhe Prania Ushtarake Ndërkombëtare (PUN), të themeluara në bazë të Rezolutës 1244, duhet të mbesin në Kosovë për të zbatuar përgjegjësitë e dhëna sipas Rezolutës 1244 dhe Planit të Martti Ahtisaarit. Nëse Kosova është shkëputur de facto e de jure nga Serbia, ashtu siç pretendon Besniku, atëherë, përse Prania Ushtarake Ndërkombëtare duhet të qëndrojë në Kosovë në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës, të nënshkruar mes NATO-s dhe RFJ-së, e jo në bazë të SOFA-s (“Status of Forces Agreement”

) të nënshkruar mes NATO-s dhe Kosovës dhe, për më keq, ta zbatojë Rezolutën 1244, e cila, përveçse garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, parasheh kthimin e qindra (jo mijëra) forcave serbe në Kosovë. Pra, nuk është ndryshuar Rezoluta 1244, por është ndryshuar interpretimi i saj.

 

Sipas Planit të Martti Ahtisaarit, Kosova nuk do të ketë ushtri, por Forcë të Sigurisë, e cila do të jetë kryesisht përgjegjëse për përgjigjen ndaj krizave, asgjësimin e mjeteve eksplozive, mbrojtjen civile, pra, me pak fjalë, Forca e Sigurisë do të ketë për obligim të përmbushë funksione të sigurisë, që nuk janë të përshtatshme për policinë apo organizatat tjera të zbatimit të ligjit dhe, më e rëndësishmja, Prania Ushtarake Ndërkombëtare (PUN) do të ketë autoritet ekzekutiv mbi FSK-në. PUN-ja do të vazhdojë t’i zbatojë praktikat e vëna në funksion të Komisionit të tanishëm të Përbashkët për Implementim me Republikën e Serbisë. Me kalimin e kohës, ashtu siç parasheh Plani i Martti Ahtisaarit, veprimtaritë e Komisionit të Përbashkët për Implementim do të bëhen pjesë e një Komisioni të Përbashkët Ushtarak të ri, që do të përfshijë autoritetet nga Kosova dhe Serbia, në kuadër të të cilit do të trajtohen çështje ushtarake dhe të sigurisë me interes të përbashkët. Për më shumë, PUN-ja në koordinim me PCN-në do t’

i përcaktojnë masat për krijimin e mirëbesimit midis FSK-së dhe institucioneve të mbrojtjes të Serbisë. Kjo, për mendimin tim, tregon se FSK do të jetë segment i institucioneve të mbrojtjes të Serbisë, duke e bërë kështu sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën tmerrësisht të sofistikuar.

 

Një tjetër element, që e forcon argumentin tim se sa vështirë i hetueshëm është sovraniteti i Serbisë mbi Kosovën, ka të bëjë me borxhin ndërkombëtar. Plani i Martti Ahtisaarit nuk parasheh ndarjen e pasurisë, aseteve dhe arkivave sepse kjo do të mund të ngjante vetëm nëse Kosova do të shkëputej prej Serbisë. Për më keq, Kosova do të marrë pjesë vetëm në ndarjen e borxhit ndërkombëtar të Serbisë. Kjo ngjet sepse Kosova mbetet e lidhur me Serbinë. Meqë jemi tek kjo problematikë, më duhet të them se, për mendimin tim, Kosova nuk do të duhej të pranonte marrjen pjesë në procesin e trashëgimit të Jugosllavisë (ndarja e pasurisë, aseteve, borxhit) sepse atëherë do ta mohonim faktin se Kosova është okupuar më 1912. Në vijim të kësaj, është me rëndësi të përmendet se Letonia, Lituania dhe Estonia kanë refuzuar të marrin pjesë në procesin e trashëgimit të BRSS-së, që u pat definuar në marrëveshjen e bërë në Alma Ata (kryeqytetin e dikurshëm të Kazakistanit), me arsyetimin se në rast se pranojmë të jemi edhe ne trashëgimtarë të BRSS-së, sikundërqë kërkon Rusia, atëherë, pranojmë se kemi qenë themelues të BRSS-së, e jo të okupuar nga BRSS-ja.

 

Krejt në fund, Besniku thotë se në praktikë rolin dhe pushtetin e PCN-së dhe EULEX-it nuk do ta përcaktojë vetëm teksti literal i Planit të Martti Ahtisaarit dhe dokumentet tjera politike, por edhe pozicioni politik që karshi tyre do të marrin institucionet e Kosovës. Logjikisht do të duhej të ishte kështu, por në rastin tonë nuk do të jetë kështu, në radhë të parë, për shkak të mungesës së forcës, e sikundër e din Besniku, politika pa forcë është sikur muzika pa instrumente, e mbi të gjitha, nuk do të jetë kështu sepse, përveç që kemi politikanë të padijshëm e servil, ne kemi edhe politikanë të korruptuar, e si rrjedhojë të shantazhuar.

 

Artikull në Guardian

këtë link mund ta lexoni editorialin për marrëveshjen e Ahtisaarit, me bashkëautorë mua dhe Anna Di Lellio, i botuar në gazetën Guardian të Britanisë.

Pavarësia pa vetëvendosje e dokumentit të Ahtisaarit

Dikujt mund t’i duket paradoksal propozimi që gjatë vitit të kaluar ia pata bërë Albinit për qëllimin përfundimtar të Lëvizjes Vetëvendosje! Gjatë vitit 2006, kur po bëhej e qartë se të paktën në disa qarqe të bashkësisë ndërkombëtare po përkrahej ideja për shkëputjen formale të Kosovës nga Serbia – gjë që tashmë po propozohet tërthorazi në letrën e Ahtisaarit – insistimi i Lëvizjes në pavarësi ndërsa kundërshtonte negociatat dukej paradoksal. Kjo për arsyen se Lëvizja kundërshtonte negociatat që, tashmë po merrej vesh, ishin dezajnuar nga sponsorët diplomatik të tyre që, në njëfarë forme, ta pavarësonin Kosovën nga Serbia. Problemi pra nuk ishte pavarësia formale (tek e fundit, po arrihet ajo që kërkonte vazhdimisht Ibrahim Rugova, “njohja formale e pavarësisë”), prandaj pavarësia nuk do të duhej të ishte aspak në thelb të mesazhit politik të Lëvizjes. Përkundrazi, propozimi im për Lëvizjen ka qenë ky: që të radikalizoheshin kërkesat, mesazhi themelor i Lëvizjes do të duhej të ishte “Jo Pavarësi! Vetëvendosje!”

Në slloganin e mësipërm qëndron e kondensuar e tërë problematika e procesit aktual nëpër të cilin po kalon sot Kosova. Dhe unë në këtë pikë duhet të them se shpreh pajtimin tim të plotë me diplomacinë ruse, ndonëse nuk ndaj motivet cinike dhe interpretimet selektive të saj: PO, Kosova nuk është rast i veçantë, por ËSHTË precedent në botë. Të pakten, DUHET TË JETË precedent në politikën botërore. Një luftë progresiviste politike në Kosovë nuk mund ta kishte për qëllim një objektiv të ngushtë politik, një parim të kufizuar politik që vlen vetëm për kohën dhe hapësirën e vet imediate, të tillë çfarë e kanë konceptuar negociatorët kosovarë në konceptin e tyre të pavarësisë. Jo, liria e Kosovës nuk duhet të jetë një eveniment politik me relevancë vetëm për hapësirën tonë dhe atë të rajonit ballkanik. Liria dhe çlirimi i Kosovës duhet të bëjë jehonë duke ngjallur shpresën e të gjithë popujve të vegjël dhe të shtypur në botë që sot luftojnë për pavarësinë e tyre, për emancipimin dhe lirinë e tyre. Vetëm atëherë liria e Kosovës do të mund të ishte një dukuri e përmasave të historisë botërore, dhe jo vetëm një eveniment lokal politik.

Pikërisht për këtë arsye pata insistuar që projekti themelor politik i Lëvizjes duhet të jetë jo pavarësia, por pikërisht vetëvendosja. Duke e lënë anash këtë parim, pikërisht kjo na kërcënohet sot: një pavarësi e jashtme pa vetëvendosje të brendshme.

Ç’është vetëvendosja? Vetëvendosja është një koncept që është popullarizuar në fillim të shekullit XX nga presidenti amerikan Woodrow Wilson (i cili më vonë u pendua për të) dhe nga Lenini, sidomos përmes traktit të tij të famshëm, “E drejta e kombeve për vetëvendosje” (për të cilën nuk ishte penduar asnjëherë). Mirëpo mishërimi dhe konkretizimi i vërtetë i vetëvendosjes si praktikë dhe si parim është bërë në periudhën e luftërave çlirimtare të dekolonizimit. Është periudha midis viteve 1950-1960, ndoshta një nga periudhat më progresive të shekullit XX, kur vetëvendosja u shndërrua në një parim themelor të ligjit ndërkombëtar, që, bashkë me zgjerimin e konceptit të të drejtave të njeriut, mund të thuhet se ishte një nga elementet më emancipuese të sistemit ndërkombëtar gjatë gjysmës së dytë të shek. XX.

Në kohërat tona të cinizmit postmodern dhe relativizmit liberal, barra ka rënë mbi popujt e shtypur të kësaj epoke dhe forcat progresive brenda tyre që ta mbrojnë dhe avancojnë konceptin dhe praktikën e vetëvendosjes. Fatkeqsisht, popujt e shtypur të epokës sonë jo vetëm që nuk arriten të krijojnë ndonjë aleancë mes vete, as të shprehin solidaritetin me njëri-tjetrin në mënyra të tjera, por madje në mënyrë cinike minuan projektet politike të njëri-tjetrit (kujtoj këtu kundërshtimin e fuqishëm që bënë intelektualë si Edward Said dhe idhtarë të tjerë të çështjes së palestinezëve ndaj intervenimit të NATO-s në Kosovë, si dhe akuzat e ndyra që ata përdorën kundrejt shqiptarëve të Kosovës dhe veçanërisht UÇK-së). Dhe as kosovarët nuk kanë shfaqur ndonjëherë ndonjë interesim të veçantë për fatin e palestinezëve, të tamilëve, ose të çeçenëve.

Sigurisht se në negociata futen edhe palë që janë në luftë, por ajo që vlen për çfarëdo negociate, kur ajo nuk bëhet midis të barabartëve, është se cila palë i vendos kushtet. Në negociatat midis Kosovës dhe Serbisë, kushtet i vendosi një palë e tretë, UNOSEK-u i mbështetur nga Grupi i Kontaktit, që përcaktoi jo vetëm që palët duhet të takohen në bisedime, por edhe substancën e asaj që do të bisedohet (decentralizimin, rregullimin e brendshëm territorialo-administrativ dhe kushtetues të Kosovës). Pikërisht këto kushte ishin esenca e mohimit të vetëvendosjes – parimi i vetëvendosjes, siç është artikuluar p.sh. në Rezolutën 1514 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, i garanton popujve të çliruar LIRI TË PLOTË, PA KUSHTE, që domethënë se është populli sovran ai që vendos për rregullimin e brendshëm të shtetit në formim e sipër. Sigurisht se praktika historike ka qenë më e komplikuar (duke çuar në lindjen e diktaturave të egra post-koloniale apo të formave të reja kontrollit dhe influencës neo-imperialiste), por të paktën, parimi i njohur nga kjo rezolutë dhe të tjerat sikur ajo ka qenë ai i një lirie pa kushte që shtetet e reja në mënyrë të mëvetshme të organizojnë jetën shoqërore dhe politike të tyre. Mirëpo, është me rëndësi të theksohet kjo – kur them në mënyrë të mëvetshme nuk domethënë në mënyrë që refuzon çdo ndihmë ose ndërhyrje nga jashtë. Përkundrazi, mëvetësia domethënë edhe posedimin e autonomisë për të zgjedhur (dhe jo për t’u imponuar) modalitetet e asistencës dhe mbështetjes që merren nga jashtë. Çdo “mbështetje” apo “ndihmë” që “pranohet” me detyrim ose nën kërcënime mbetët në kuadrin e një raporti vasal, të pabarabartë, pavarësisht se liderët tanë retorikisht flasin për “miqësi” dhe “aleanca” që nuk janë aspak të tilla.

Është pikërisht në këtë pikëpamje që rruga që do të ndjek Kosova do jetë një rrugë e një pavarësie pa vetëvendosje – e një statusi formal të pavarur që imponohet dhe mbikëqyret nga jashtë, dhe i cili përcakton kushtet e veta. Substanca e dokumentit të Ahtisaari-t është rregullimi i brendshëm kushtetues dhe territorialo-administrativ që do të ketë Kosova, duke përjashtuar shprehimisht (në të fshehurën pikë 3.9 të Aneksit I) të drejtën e referendumit për akëcilin aspekt të marrëveshjes. Dhe jo vetëm përsa i përket decentralizimit, që për mua është problemi më i vogël: dokumenti propozon një mbikëqyrje dhe kontroll të gjithanshme politike dhe ushtarake të Kosovës, duke i imponuar jo vetëm kufizime drastike në mbrojtje (me shpërbërjen e TMK-së dhe krijimin e një ushtrie që numron më pak se një batalion i rregullt i ushtrive normale, të armatosur lehtë), por edhe një prani, mbikëqyrje dhe kontroll të thellë dhe të gjithashëm mbi tërë sistemin politik, juridik dhe ekonomik të Kosovës. Mbrojtja, ligji, ekonomia, administrata shtetërore, janë këto shtyllat kryesore të një shteti të pavrur – këto JANË shteti, “substanca e shtetit” siç shprehën negociatorët kosovarë (përkundrazi, mund të thuhet se neve po na imponohet pikërisht një shtet pa substancë). Sigurisht, ka raste historike kur kanë ekzistuar shtete që nuk kanë gëzuar kontroll të plotë mbi këto fusha – këto shtete janë njohur historikisht si shtete të okupuara ose si shtete koloniale. Lidhur me këtë, duhet shtuar: është më se e qartë se njohuria historike dhe teorike përbën bazën për çdo veprimtari politike, thjesht në mënyrë që politika të mos degjenerojë në një lojë fjalësh dhe retorikash çfarë është sot. Aspirtatat tona politike nuk mund t’i kuptojmë ndryshe, dhe ato duhet kuptuar në esencë dhe jo vetëm shqiptuar për hir të obligimit. Njohuria teorike dhe historike janë të pazëvendësueshme për veprimtari të qartë politike – jo indoktrinimi por njohuria e mirëfilltë kritike!

Megjithatë, një gjë është e qartë: pavarësia ahtisaariane e Kosovës përbën disfatën historike të vetëvendosjes dhe dëshmon paaftësinë tonë për ta mbrotjur dhe jetësuar këtë parim universal. Dështimi ynë për ta shndërruar në universale luftën tonë politike, dhe si pasojë për të qenë pjesë e universales, është dështim gjithashtu për ta gëzuar lirinë ashtu siç kuptohet ai si parim universal. Dhe liria mund të jetë vetëm universale, ose s’mund të jetë fare. Pavarësia ahtisaariane e Kosovës përbën heqjen dorë nga vetëvendosja dhe si pasojë, heqje dorë nga liria që na takon, zëvendësimin e saj me një liri të cunguar dhe të ngushtuar, që, rrjedhimisht, nuk përbën fare liri. Pavarësia ahtisaariane e Kosovës përbën përdhosjen e vetëvendosjes dhe legjitimimin e praktikave neokoloniale që nisen me UNMIK-un dhe që do të vazhdojnë në forma të tjera, duke nxitur gjithashtu forma të reja të rezistencës dhe rebelimit, çfarë do t’i dëshmojmë në vitet që vijnë.

Vetëvendosja ka qenë mesazhi radikal i lëvizjes me këtë emër, dhe vetëvendosja është vërtetë një koncept radikal në rrethanat tona politike. Ai është një mesazh që niset nga një realitet konkret dhe partikular por me një domethënie universale që tejkalon situatën ku lindë, por edhe veçantinë e kohës sonë, për të qenë një jehonë që trashëgohet nëpër breza në Kosovë por edhe përtej saj. Prandaj unë i mbetem besnik bindjes sime se akoma, mesazhi më radikal politik që mund të ekzistojë në Kosovë sot është ky: AS PAVARËSI JO, VETËVENDOSJE!

Botuar te gazeta Vetëvendosje!

Statusi si disfatë

Zyra e kryendërmjetësit të OKB-së për negociatat midis Kosovës dhe Serbisë këto ditë njoftoi se dokumenti i zyrës së tij për statusin e ardhshem të Kosovës do t’u shpaloset negociatorëve kosovarë dhe atyre të Serbisë më 2 shkurt. Agjensitë ndërkombëtare të lajmeve dhe disa gazeta tjera të jashtme kanë njoftuar se propozimi nuk do të përmbajë termin “pavarësi”, por në të njëjtën kohë njeh të drejtën e Kosovës për të kërkuar anëtarësim në institucione ndërkombëtare dhe hapë rrugën për njohje ndërkombëtare nga shtetet tjera.

Dihet gjithashtu se, ndonëse dokumenti i Ahtisaarit pritet që përfundimisht ta hapë mundësinë për shkëputjen formale të Kosovës nga Serbia, ajo gjithashtu do të përmbajë befasitë e pakëndshme që lidhen me autonominë e gjerë të komunave serbe që do të krijohen në Kosovë dhe me statusin e veçantë që do ta gëzojë Kisha Ortodokse Serbe, duke përfshirë këtu edhe krijimin e “zonave të veçanta” rreth objekteve të Kishës.

Për më tepër, publikimi i dokumentit të shumëpritur të Ahtisaarit nuk do të shënojë fundin e këtij procesi të komplikuar diplomatik dhe politik për zgjidhjen e statusit të Kosovës, por vetëm një kthesë në një rrugë që akoma pritet të jetë përplot vështirësi dhe paqartësi.

Kështu, tashmë është e qartë se statusi nuk do të jetë i zgjidhur menjëherë pas daljes së dokumentit ë Ahtisaarit, por mund të zvarritet të paktën deri në mars apo prill, në mos edhe më tej. Është e ditur se asnjë qeveri e Serbisë nuk do ta pranojë një marrëveshje që lejon shkëputjen përfundimtare të Kosovës. Është gjithashtu e ditur se trysnia ruse mbi anëtarët tjerë të Grupit të Kontaktit do të vazhdojë. Kështu që procesi, edhe me daljen e dokumentit të Ahtisaarit, nuk do të përmbyllet akoma.

Në prill, Britania e Madhe merr udhëheqjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shtet ky i cili është treguar i favorshëm ndaj opsionit të pavarësisë. Udhëheqja e KS-së ia bën të mundur këtij shteti hedhjen në votë të një rezolutë të re për Kosovën, për t’i dhënë peshë ndërkombëtare propozimit të Ahtisaarit, i cili në formën e tanishme mbetët në nivelin e një propozimi, pra juridikisht një dokument i vdekur. Në një situatë të tillë, marrëveshja e Ahtisaarit duhet t’i imponohet Serbisë (ngaqë pritet që pala kosovare do ta pranojë pa vërejtje dhe ankesa). Ndërsa për shtetet e Grupit të Kontaktit që favorizojnë pavarësinë, rruga e preferuar e imponimit është Këshilli i Sigurimit.

Por përbrenda KS-së ekziston kërcënimi i përhershëm i vetos ruse, si anëtare e përhershme e këtij trupi. Rusia disa herë ka kërcënuar se çdo dokument i papranueshëm për Serbinë është i papranueshëm edhe për të, kështu që ky kërcënim mund të eliminohet vetëm nëse ndodhin pazare tjera të një niveli diplomatik midis shteteve të fuqishme, siç është mbështetja amerikane dhe evropiane për anëtarësimin e Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), një nga organizatat më të fuqishme ekonomike ndërkombëtare, gjë që Moska ka synuar vite me radhë, dhe koncesione të tjera që mund të kërkojë Rusia nga Perëndimi në sfera të ndryshme të interesave të saja politike dhe ekonomike.

Por në mungesë të lëshimit pe nga Rusisa, përdorimi i vetos nga ajo do ta sillte Kosovën në një situatë shumë paradoksale. Dështimi i një rezolute të re për Kosovën brenda KS-së gjatë pranverës domethënë se në letër do të ekzistojë marrëveshja e Ahtisaarit, por ajo s’do të ketë asnjë fuqi juridike. Në fuqi akoma do të vazhdojë të jetë Rezoluta 1244 e vitit 1999, që Kosovën e lë të sunduar nga UNMIK-u. Zgjidhja atëherë zvarritet deri në qershor, kur Rezoluta 1244 pret skadimin automatik. Në këtë situatë, Kosova vërtetë shndërrohet në një “tokë të askujt”, me të vetmën mundësi njohjen individuale nga shtetet e veçanta si shtet i pavarur – apo, nëse presioni vazhdon dhe rezistencës ruse i bashkohen shtete të tjera, sidomos nga radhet e BE-së, mund të kërkohet kthimi në tavolinën e negociatave për raunde të tjera bisedimesh midis Prishtinës dhe Beogradit. Kuptohet se vazhdimi i bisedimeve do të jetë vetëm në funksion të blerjes së kohës për diplomacinë ndërkombëtare, sepse në asnjë variantë nuk mund të pritet arritja e një marrëveshjeje për statusin midis palëve. Ndërkohë që vazhdimi i bisedimeve është në disfavor të plotë të palës kosovare, sepse në atë rast diplomacia ndërkombëtare mund të kthehet me një strategji tjetër, duke e përjashtuar komplet ndarjen midis Kosovës dhe Serbisë dhe duke imponuar një zgjidhje tjetër që domosdoshmërisht nënkupton ruajtjen e një lloj lidhjeje juridike midis Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo të gjitha këto paqartësi dhe e gjithë pasiguria rreth të ardhmes politike të Kosovës është simptomatike e asaj se si është menaxhuar i gjithë ky proces i ndërlikuar diplomatik dhe politik. Sigurisht se hyrja e shteteve të reja në bashkësinë ndërkombëtare nuk është një ngjarje e përditshme dhe as e shpeshtë. Bashkësia ndërkombëtare e shteteve mbetët një klub ekskluziv ku anëtarësimi mban një çmim të lartë dhe i cili i mohohet shumë grupeve aspirante nëpër botë, pavarësisht legjitimitetit të kërkesave të tyre (kujto këtu rastin e palestinezëve ose të kurdëve). Kështu që mospajtimet që rasti i Kosovës ka ngritur në qarqet e diplomacisë ndërkombëtare nuk është i jashtëzakonshëm dhe krejt i pritshëm.

Mirëpo sigurisht se ajo që spikat më së shumti në këtë proces është roli aspak vendimtar dhe aspak me peshë i palës kosovare. Edhe pas faktit se ajo ka pranuar të hyjë në negociata në kushte krejt të disfavorshme për Kosovën, ajo që nga momenti i parë nuk ka qenë proaktive në proces dhe nuk i ka prirë ngjarjeve, duke u mjaftuar me një pritje pasive të vendimeve dhe lëvizjeve që ndodhin tjetërkund. Ajo e ka pranuar defaktorizimin e vet si një nga premisat fundamentale të procesit, duke ia kaluar barrën e argumentimit dhe mbrojtjes së opsionit të pavarësisë SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe shteteve të tjera që jopublikisht kanë favorizuar këtë opsion.

Për të mos përmendur faktin që gjatë tërë procesit, Ekipi Negociator ka bërë koncesione deri edhe të panevojshme për rrethanat. Flitet madje se edhe zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit janë habitur nga gatishmëria e tepruar e negociatorëve kosovarë për të lëshuar pe ndaj kërkesave të Beogradit në çështjet “teknike” të decentralizimit. Por kjo sjellje irracionale politike ka shpjegim në atë që mund të quhet “teori e vasalit të zellshëm”. Vasali i zellshëm është ai që i shërben padronit jo vetëm nga detyrimi dhe nevoja, por shërbimin e përbrendëson si dëshirë të veten. Shërbimi i padronit shndërrohet në bërthamën e identitetit personal të vasalit, ndërsa vlerësimi pozitiv i padronit në ushqimin kryesor të qenies së tij. Për më tepër, duke dëshiruar që të tregohet se është shërbëtor shembullor, ai mundohet jo vetëm që t’i plotësojë qejfet e padronit sipas kërkesave që bën ai, por edhe t’u paraprijë atyre. Si rezultat, ai jo vetëm u përgjigjet kërkesave të menjëhershme padronit, por ai aktivisht përpiqet që të anticipojë qejfet e ardhshme të padronit në mënyrë që ato t’i plotësojë para se ai ta këtë bërë kërkesën. Ky zell i tepruar i vasalit madje bëhet i neveritshëm për vetë padronin. E njëjta vlen për Ekipin Negociator të Kosovës, një grup vasalësh të zellshëm që lëshuan pe më tepër se që u kërkua nga ta, vetëm nga anticipimi se kjo mund t’u kërkohet nga padronët ndërkombëtarë, duke tentuar që me servilitetin e tyre të dëshmojnë me çdo kusht dëgjueshmërinë e tyre. Kujtoj këtu një nga vizitat e Ahtisaarit në Prishtinë, ku hamendja kryesore e negociatorëve kosovarë ishte jo si do t’i mbrojnë qëndrimet e tyre dhe interesat e Kosovës, por si do t’i përshtasin qëndrimet e tyre sipas kërkesave të Ahtisaarit — me fjalë tjera, si do ta kënaqin atë. Tashmë flitet se dokumenti i Ahtisaarit do të ketë elemente dukshëm të pakëndshme lidhur me çështjet “teknike”të negociuara, për të cilat publiku kosovar nuk ka qenë i njoftuar me kohë, si p.sh. duke garantuar autonomi të lartë territoriale për komunat e reja serbe të Kosovës dhe duke ua mundësuar këtyre komunave ruajtjen e lidhjeve institucionale me autoritetet e Serbisë.

E dyta, Ekipi Negociator nuk ka tentuar fare, madje i është shmangur me çdo kusht, një mobilizimi të përgjithshëm popullor lidhur me çështjen e statusit të Kosovës, duke privuar vetëvetën nga mjeti ndoshta më i fuqishmi politik që ka në dorë. Në vend të një politike mobilizuese, ajo është mjaftuar me premtime zemërgjera dhe me kërkesa të llojit rugovist të viteve 1990: “vetëm rrini urtë e mbani qetësinë burra, se po kryhet kjo punë!” Sigurisht se kjo indolencë dhe apati popullore e nxitur nga udhëheqësia politike e vendit — pos prishjeve të herëpashershme të kësaj qetësie artificiale nga Lëvizja Vetëvendosje — ka pasur efektet e veta në diplomacinë ndërkombëtare, duke ia hapur rrugën zvarritjeve dhe shtyrjeve të njëpasnjëshme çfarë mund të presim akoma, pasi që mesazhi kryesor politik që ka dalur nga Kosova gjatë vitit të fundit ka qenë ai i një gatishmërie të paparë të elitës politike kosovare për dëgjueshmëri deri në shkallë serviliteti ndaj Ahtisaarit dhe sponsorëve diplomatik të negociatave, dhe i një gatishmërie për të pranuar gjithçka, me kushtin e vetëm që ajo ta mbajë një lloj etikete të pavarësisë, sado të cunguar, kufizuar dhe të kontrolluar.

Kjo “njëfarë pavarësie”, që nuk është fare pavarësi në kuptimin e saktë të fjalës, është arsyeja pse statusi i ardhshem do të jetë një disfatë politike për Kosovën. Me pranimin riorganizimit të thellë territorial në baza etnike, Kosova formalisht e pavarur do të jetë politikisht dhe administrativisht një vend tjetër nga ai që është sot. Për të mos përmendur faktin se edhe më tej, Kosova do t’i nënshtrohet një kontrolli të jashtëm politik, nga misioni i ardhshem i BE-së, që do të jetë vazhdimësia institucionale dhe politike e UNMIK-ut në Kosovë. Në të gjitha dimensionet e mundura, Kosova formalisht e pavarur do të jetë një mini-Bosnjë, e fragmentuar etnikisht, e monitoruar politikisht dhe e trajtuar përherë si një entitet artificial politik. Do të bëhet më se e qartë, edhe për ata me kujtesë shumë të shkurtër historike, se kur në fillim të viteve 1990, populli i Kosovës nisi luftën e tij politike për pavarësi, ajo luftë nuk e kishte për qëllim që Kosovën ta shndërrojë në atë që do ta shndërrojë dokumenti i Ahtisaarit. Kundrejt aspiratave të veta, Kosova do të ketë dështuar. Këtu qëndron esenca e disfatës, edhe në qoftë se kjo disfatë mban maskën e fitorës së “njëfarë pavarësie”.

Botuar te Koha Ditore më 27 janar 2007.

LDK-ja e katërt

Merret vesh se këto ditë në Prishtinë, i ashtuquajturi krah i Nexhat Dacit në LDK do të ndahet nga kjo parti për ta formuar një parti të re. Akoma nuk dihet emri i kësaj partie të re të përfolur, por siç raportohet, ky krah ka siguruar një numër të mjaftueshëm të deputetëve për ta formuar një grup të vetin parlamentar brenda Kuvendit. Kjo nënkupton edhe paqëndrueshmërinë e koalicionit aktual, pasi që ajo do ta humbasë mazhorancën e nevojshme për mbajtjen e qeverisë – përveç nëse koalicioni zgjerohet për ta përfshirë në gjirin e saj edhe partinë e re (pasi që, siç përflitet, në krahun e Dacit bëjnë pjesë edhe një numër ministrash brenda qeverisë aktuale). Sido që të jetë, spekulimi për konfiguracionet e reja qeveritare është i rëndësisë dytësore. Qeveria aktuale, sikur ato të mëparshme, kanë një mision të madh historik por një funksion të ngushtë politik – ato kanë synuar realizimin e pavarësisë së Kosovës, por politikisht, roli i tyre ka qenë i rendit dytësor në të gjitha proceset e deritanishme politike. Edhe pavarësia formale për të cilën po përflitet në media, është një pavarësi që do të merret përkundër, dhe jo si rezultat, i qeverisë. Roli i qeverive unmikiane ka qenë më shumë ideologjik se sa praktik, më shumë administrativ se sa politik. Kjo e fundit mund të tingëllojë si paradoksale, sepse duket paradoksale të jesh politikisht ideologjik kurse praktikisht administrativ, mirëpo në Kosovë ka ndodhur paradoksi – administrimi është shndërruar në ideologjinë dominante, kurse ideologjia objekti kryesor i administruar. Hapësira për politikë të vërtetë ka mbetur vetëm jashtë institucioneve të administrimit ideologjik.

Sido që të jetë, rikonfigurimet në fushën politike kanë një domethënie të vetën që është shkon përtej asaj se kush dhe cili do t’i mbajë titujt ministror. Kjo sepse kësaj radhe po ndodh një ndarje e vërtetë e partisë më të madhe të Kosovës. Them pikërisht një ndarje e vërtetë sepse ikjet e mëparshme nga kjo parti kanë qenë kryesisht individuale. Në rastin e para disa viteve, Edita Tahiri iku nga partia duke formuar një grup të ri politik, por karriera e saj politike me këtë u shkurtua drastikisht, që u dëshmua në disfatën e partisë së re të saj gjatë zgjedhjeve parlamentare. Ikja e saj e la bazën e LDK-së pothuajse të paprekur. Ikja e saj, sikur e të tjerëve para saj, nuk ishte një ikje nga LDK-ja, por një ikje nga Rugova. Mirëpo nga Rugova tani më nuk mund të iket, tani grupet rivale brenda LDK-së nuk duan të ikin nga Rugova; përkundrazi, ata luftojnë se cili do ta marrë Rugovën me vete.

Pikërisht për këtë arsye, kësaj radhe nuk kemi të bëjmë me një ikje nga LDK-ja në stilin e Edita Tahirit dhe të gjithë ish-drejtuesëve të tjerë që braktisën këtë parti vit pas viti. Kësaj radhe kemi të bëjmë me një çarje, një frakturë brenda vetë trupit partiak (që u dëshmua edhe nga dhuna e manifestuar gjatë kuvendit të partisë). LDK-ja, nga gjiri i saj, po e lindë LDK-në e katërt.

Pse them LDK-në e katërt? Sepse deri tani i kemi pasur edhe tri LDK-ja tjera. Të gjitha vetitë që i ka mishëruar LDK-ja– si organizatë politike: informalizmin, jotransparencën, liderizmin dhe pseudodemokracinë e brendshme; politikisht: mosgatishmërinë për të vepruar, konfuzionin ideologjik dhe nënshtrimin servil ndaj UNMIK-ut dhe diplomacisë perëndimore – me kohë i kanë përvetësuar si të vetat tri partitë tjera kryesore, PDK-ja, AAK-ja dhe ORA. Për të mos thënë se të gjitha këto parti janë në esencë parti lideriste. Jo domosdoshmërisht në kuptimin që këto parti, si organizata partiake, kanë trajtuar liderët e tyre sikur LDK-ja Rugovën, por në faktin se Rugova ka përfaqësuar për liderët e partive tjera modelin e liderit që duhet imituar. Si ndryshe shpjegohet intelektualizmi patetik i Thaçit, aura e paprekshmërisë e Haradinajt, dhe rugovizmi i vonshëm i Surroit? A nuk janë këta tre trashëgimtarët më të denjë të liderizmit rugovist? Këta, te Rugova kanë parë Tjetrin e tyre, dhe duke bërë përpjekje që ta minojnë rolin e tij politik, kanë përvetësuar sjelljet e tij politike. Konkluzioni i tyre i përbashkët, por të cilin e kanë arritur secili në rrugë të vet, ka qenë se për ta mposhtur Rugovën, për ta zëvendësuar atë, duhet të bëhesh sikur ai, duhet të “titoizohesh” si lider, ashtu siç LDK-ja e “titoizoi” Rugovën. Natyrisht se për këtë gjë, ata e kanë fajësuar popullin. Populli, si një njerkë e keqe, i ka detyruar këta që të rugovizohen.

Këtij grupi liderësh dhe partish do t’i bashkohet LDK-ja e katërt e Nexhat Dacit. Mirëpo ndryshe nga partitë tjera që janë shndërruar në LDK, kjo LDK e katërt del drejtpërsëdrejti nga gjiri i vetë LDK-së. Pikërisht për këtë arsye, dinamika, por edhe rëndësia e kësaj ngjarje është krejt tjetërfare. Kjo sepse rugovizmi i LDK-së së katërt të Dacit është i drejtpërdrejtë dhe autentik – kjo parti, në të vërtetë, mëton të jetë, siç thonë nismëtarët e saj, “ndjekësja e vërtetë e frymës dhe vizionit të Rugovës”, duke shkuar deri aty sa që emrin e Ibrahimit të fusë edhe si pjesë në një nga emrat e propozuar të partisë. Kjo parti nuk do ta zëvendësojë aurën rugoviste duke u bërë një kopje e zbehtë e LDK-së së udhëhequr dikur nga Rugova, qëllimi i saj është përkundrazi një parti që sublimon Rugovën në simbolizmin themelor që justfikon vetë qenien e partisë. Partia e Dacit do të jetë partia e vërtetë e fesë rugoviste. Për nga forma, LDK-ja përçahet ashtu sikur është përçarë çdo lëvizje fetare pas vdekjes së profetit. Po ky ishte fati i krishtërimit pas Krishtit (ndarja në ndjekësit e mësimeve të Palit kundrejt gnostikëve), apo edhe e islamit pas Muhametit (ndarja midis sunitëve dhe shiitëve, ndjekësve të imamit Ali). Dhe meqë për LDK-në, Rugova kishte po këtë rol dhe pozitë, atë të një profeti shekullar dhe modern të identitetit nacional të Kosovës, LDK-ja e sotme ndahet pikërisht mbi këto baza – midis besimtarëve të Rugovës dhe besimtarëve të vërtetë të Rugovës. Ndërsa liderët e opozitës së LDK-së janë bërë rugovistë duke qenë anti-Rugova, lëvizjet politike që do ta dalin nga LDK-ja janë parti që do ta kultivojnë rugovizmin pa Rugovën. Problemi i tyre është, cilën variantë të rugovizmit do ta kultivojnë?

Sigurisht se lexuesi mund ta ketë vërejtur një lajthitje në numrimin e partive. Nëse partia e re e Dacit do të jetë LDK-ja e katërt, tri LDK-të tjera janë PDK-ja, AAK-ja dhe ORA, ku mbeti atëherë LDK-ja e vërtetë? A domethënë kjo se LDK-ja origjinale është LDK-ja e pestë? Përgjigja është jo: pas ndarjes së grupit të Dacit, LDK-ja e vërtetë nuk do të jetë më as LDK-ja e parë e as e pesta. Mirëpo kjo kërkon një shtjellim tjetër.

Përderisa LDK-ja ka qenë modeli themelor i organizimit partiak dhe Rugova modeli i vetëm i liderit politik, partitë tjera në mënyrë gati të pavetëdijshme janë modeluar sipas atij kallëpi. Mirëpo përderisa ato mbesin të ngarkuara me barrën e historisë së pavetëdijshmës së tyre, kurse partia e ndjekësve të Dacit gjen në idolatrizimin e Rugovës vlerën e vetme të saj politike, LDK-ja e vërtetë shkon, paradoksalisht, duke u de-LDK-izuar. Pas frakturës së brendshme, kjo parti nuk do të jetë më ajo që ka qenë.

Paradoksalisht, LDK-ja tashmë po merr tipare krejt tjera si formacion politik. Është e vetmja parti kosovare, brenda së cilës ka pasur një konkurrencë dhe ballafaqim real politik. Është e vetmja parti ku njerëzit që deri më tani kanë qenë anonim dhe të panjohur, kanë ardhur në krye të partisë. Dhe është e vetmja parti që, tash pasi Fatmir Sejdiu ngriu postin e kryetarit të partisë, do të udhëhiqet formalisht nga Ekrem Kryeziu, një figurë që personifikon antitezën e karizmës dhe liderizmit. LDK-ja po burokratizohet si parti, por në kuptimin e mirëfilltë të fjalës – ajo po shndërrohet në një makinë anonime dhe impersonale organizative që prodhon efekte pa nevojën që veprimet e saj të bekohen nga një figurë e përmasave mistike në krye të saj. Po shndërrohet në një makinë të vërtetë politiko-organizative. Partia që dikur ishte partia e vullnetit të Rugovës, po shndërrohet në partinë e vullnetit të asnjërit specifik. A s’është kjo esenca e revolucionit që në fillim të shekullit XIX, lindja e burokracisë moderne i bëri sundimit të monarkizmit absolutist? Sovrani nga një subjekt u shndërrua në emër – burokracia ekzekuton vullnetin e sovranit, por paradoksalisht qenia e tij konkrete bëhet irrelevante. Kujtoni këtu praktikën pothuajse universale moderne të vendosjes së portretit të kreut të shtetit (personifikuesit të sovranit) nëpër zyrat e ndryshme qeveritare. Përshtypja që krijohet nga kjo është se këto zyra shtetërore shfaqin në ambientet e tyre pamjen e sovranit, në mënyrë që të tregojnë se po veprojnë në emër të tij, pra po e zbatojnë në praktikën e tyre burokratike vullnetin e tij. Por a s’është realiteti krejt i kundërt nga kjo përshtypje? Larg së qeni implementuese të vullnetit të sovranit, këto zyra veprojnë përkundër dëshirave dhe vullnetit të tij, bëjnë një jetë të vetën, duke bërë gjëra në emër të sovranit krejt jashtë dëshirave, madje edhe jashtë dijenisë së tij (kujtojeni këtu korrupsionin nëpër zyra të ndryshme shtetërore, ndërsa vetë kreu i shtetit përherë flet se si po merren masa kundër korrupsionit). Emri i sovranit kështu shërben, paradoksalisht, si një mbulesë universale për veprime që nuk janë aspak të tijat, ndërsa esenca e shtetit modern gjendet (siç e kishte vënë re Hegeli dhe dramatizuar Kafka) aspak në figurën e sovranit por pikërisht në anonimitetin e këtyre zyrave. Kjo e shpjegon se pse prioriteti i parë i çdo kreu të ri të shtetit është reforma – që do të thotë se kreu i shtetit do të përpiqet (sërish) që t’i ndalojë zyrat e ndryshme administrative të shtetit që të bëjnë çfarë duan vetë, pra që ta përdorin emrin e sovranit për të vepruar si të duan, një përpjëkje që në mënyrë të paevitueshme çon në dështim.

Ky lloj revolucioni është pikërisht ajo që po ndodh me LDK-në. Pas vdekjes së Rugovës, shumë pjesëtarë të LDK-së kanë konsideruar se Rugova tashmë po shkon drejt një sublimimi, drejt një shenjtërimi për t’u hyjnizuar përherë si themelues i shtetit. Por jo – domethënia e vërtetë e vdekjes së Rugovës nuk është sublimimi i tij, por, paradoksalisht, sublimimi i LDK-së. Pas Rugovës, LDK-ja shndërrohet në diçka që nuk ka qenë, kurse Rugova edhe në jetën e tij të amshueshme mbetët po ai i njëjti. Mbase, kjo qëndron në thelb të ndarjes brenda LDK-së: pas Rugovës, ndarja është midis rugovistëve dhe LDK-istëve.

Mirëpo a është kjo shenjë se LDK-ja po shndërrohet në një Parti të Shtetit, nëse me shtetin e kuptojmë pikërisht atë forcë anonime dhe impersonale shoqërore që zbaton vendimet gjithashtu impersonale të sovranit (kujtojeni këtu idealin e anonimitetit të ligjeve dhe të drejtësisë, që duhet ta përfaqësojë Shteti)? Të mos e harrojmë edhe origjinën e vërtetë (dhe të ndrydhur dhe të papërmendur) institucionale (nëse jo politike), të LDK-së, Lidhjen Socialiste të Popullit Punonjës, atë aparatin burokratik parapolitik të socializmit që kishte për qëllim organizimin e masave punonjëse drejt ofrimit të një opozite (fiktive) karshi Partisë Komuniste. Burokratizimi përfundimtar i LDK-së kështu përbën një kthim në origjina (apo, më saktë, kthimin e vetë origjinës), një shndërrim në po atë institucionin anonim parashtetëror që kishte qenë dikur, me një funksion të pastër burokratik, një trup politik me emër por pa subjekt. Nuk ka më LDK të Rugovës, Rugova është ai që ka qenë i LDK-së.

Këtu qëndron edhe perspektiva e kësaj partie, që shkon drejt realizimit të vetës si Parti, ndërsa grupi politik i Dacit, mbrapa misticizmave dhe kultit do ta fsheh faktin se është një grup pa një substancë reale politike, apo që do të jetë pikërisht një parti e kultivimit të kultit. Kjo çarje e LDK-së është edhe çarje përbrenda vetë idesë rugoviste, që ka qenë gjithnjë kontradiktore, gjithnjë ambivalente midis idealit për demokraci që ka përfaqësuar dhe realitetit kultik, liderist dhe autoritar që ka mishëruar. Partia e vërtetë Shtetit do të jetë ajo që do ta arrijë vizionin rugovist duke e tejkaluar Rugovën e misticizmave që legjitimonin arbitratitetin autoritar dhe lirimin nga barra e përgjegjësisë politike, por duke e ruajtur atë lëvozhgën e jashtme të rugovizmit që simbolizonte shansën për demokraci dhe vetësundim të këtij populli. Ka ardhur koha që të ndahen rugovistët, në mënyrë që të lindë një parti e vërtetë e shtetit.

Botuar te Koha Ditore më 11 janar 2007.

Ndiqe

Get every new post delivered to your Inbox.

Join 640 other followers

%d bloggers like this: